Prokurori i Apelit Durrës, Ludovik Doda | Foto : Vladimir Karaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Prokurori Ludovik Dodaj përballet pa probleme me KPK

Prokurori i Apelit të Durrësit dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ludovik Dodaj, u përball thuajse pa probleme me raportin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në seancë publike.

Prokurori i Apelit Durrës, Ludovik Doda | Foto : Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të enjten seancën e parë dëgjimore që prej mesit të marsit kur vendi u fut në karantinë për shkak të epidemisë.

Me masa të shtuara sigurie që përfshinin maskat e dorezat për pjesëmarrësit një trupë e drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Olsi Komici, bëri me dije gjetjet nga hetimi ndaj prokurorit të Apelit të Durrësit dhe anëtarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ludovik Dodaj.

Komisioni tha se nga hetimi i thelluar Dodaj nuk kishte pasur probleme as në kriterin e figurës dhe as në atë të profesionalizmit, por sipas KPK u gjet me mungesë burimesh financiare vetëm për vitin 2008. Relatorja tha se atij i mungonin në analizën financiare të këtij viti një shumë prej 358 mijë lekësh.

Në fjalën e tij prokurori tha se ishin llogaritur gabim shpenzimet në vitin 2007 dhe argumentoi se nëse uleshin ato shpenzime llogaritë e tij familjare balancoheshin.

Komisioni vuri në dukje se ishte hetuar pasuria e prokurorit dhe ajo e dy fëmijëve, vajzës dhe djalit të tij. Sipas relatores Dodaj kishte deklaruar saktë veprimet e kryera për blerjen e një apartamenti në Durrës në vitin 2006.

Relatoja tha se apartamenti ishte mbuluar kryesisht me të ardhurat e marra nga shitja e një shtëpie në Shkodër, kursimet, një hua nga kunati dhe të ardhurat nga shitja e mobiljeve të shtëpisë në Shkodër në shumën 300 mijë lekë. Tafa tha se këto të fundit nuk ishin konsideruar të ardhura të ligjshme, por nga relatimi u duk se ato nuk kishin ndikuar në analizën financiare.

Ngjashmërisht pa probleme u gjet blerja e një makine. Po ashtu KPK vuri në dukje se nga hetimi pa probleme kishin rezultuar edhe pasuritë e dy fëmijëve të prokurorit.

Ndërkohë në vlerësimin e figurës Tafa vuri në dukje se Doda kishte jetuar pa paguar qira për disa vite (2002-2006) në shtëpitë e dy personave në Durrës, të cilët ishin proceduar më pas penalisht në vitin 2009 dhe 2011.

Sipas relatimit N.Gj në banesën e të cilit Dodaj kishte qëndruar nga shtatori 2002 deri në qershor 2003, është proceduar në vitin 2011 për prodhim dhe shitje narkotikësh. Ndërkohë Ll.K, banesën e të cilit Dodaj e kishte përdorur në vitet 2003-2006, është proceduar në vitin 2009 për “shkelje të barazisë në tendera”.

KPK tha se Dodaj nuk i kishte deklaruar këto si kontakte, por edhe se nga hetimi që prej vitit 2006 kishte rezultuar që ai nuk kishte mbajtur kontakt me këto persona. Në përfundim tha se kjo nuk ndikonte në vlerësimin për prokurorin.

Vetë Dodaj tha se konfirmonte gjetjet e hetimit dhe tha se kishte zbatuar ligjin dhe se kishte qenë i paanshëm. Ai tha se kishte qenë i vetëdijshëm për të shmangur kontaktet e papërshtatshme për një prokuror.

Në kriterin e profesionalizmit KPK vuri në dukje se ndaj prokurorit kishte katër denoncime, por tha se në to nuk kishin gjetje që mund të cënonin punën e tij që po ashtu u vlerësua pozitivisht.

Ludovik Dodaj punon si prokuror pranë Gjykatës së Apelit të Durrësit prej vitit 2002. Në dhjetor të vitit 2019, ai u zgjodh përmes shortit anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në fund të seancës dëgjimore ai kërkoi që të konfirmohej në detyrë. Seanca për vendimin u caktua më 8 qershor në orën 9.45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *