Prokurori Pelivan Malaj pa seancës së ndërprerë në KPK. Foto:Edmond Hoxha/BIRN
KPK Lajme Vendi

Prokurori Pelivan Malaj akuzon KPK se fshehu një provë të tij

Prokurori Apelit Vlorë, Pelivan Malaj kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese duke pretenduar se nuk ishte konsideruar dhe pasqyruar në raportin e hetimit administrativ një provë të sjell prej tij. KPK ia kaloi kërkesën një trupe tjetër, ndërsa pritet të merret vendim për vijimin e seancës.

Prokurori Pelivan Malaj pa seancës së ndërprerë në KPK. Foto:Edmond Hoxha/BIRN

Konstatimi i prokurorit të Apelit Vlorë Pelivan Malaj për mosadministrimin e një prove të dorëzuar prej tij nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualfikimit, si dhe kërkesa verbale për përjashtim te trupit gjykues sollën shtyrjen e seancës dëgjimore të parashikuar për t’u zhvilluar paraditen e 24 dhjetorit.

Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për prokurorin Malaj kryesohet nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Pelivan Malaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si avokat. Në maj 2003, ai është emëruar prokuror i Prokurorisë së Apelit Vlorë, detyrë të cilën e ka ushtruar për gati dy dekada. Malaj ka qenë gjithashtu kryetar i Shoqatës së Prokurorëve.

Në fillim te seancës dëgjimore të enjten, kryesuesi Lulzim Hamitaj tha se hetimi administrativ për prokurorin Malaj është përfunduar vetëm në kriterin e pasurisë.

Malaj kërkoi që në fillim të paraqiste një kërkesë paraprake. Ai tha se kishte kryer një kontroll te CD me prova të dërguar nga ana e KPK nga kishte konstatuar se mungonte një shkresë e dërguar nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Vlorë që konfirmonte se ai kishte ushtruar profesionin e avokatit, se kishte qenë i regjistruar me nipt dhe kishte paguar tatimet. “Pasqyrohen edhe tatimet e paguara për vitin 1997 nga puna si avokat”, sqaroi Malaj. “Kjo provë konsideroj se e përmbys balancën negative të konstatuar nga Komisioni”, theksoi Malaj.

Ai e akuzoi Komisionin se e kishte fshehur këtë provë. “Nuk përmendet as në raportin tuaj. Është një rrethanë e rëndësishme që vë në dyshim paanshmërinë dhe objektiviterin tuaj”, tha Malaj.

Ai deklaroi se me datë 2 dhjetor i ishte komunikuar fillimisht data e seancës dhe më pas i ishin dhënë rezultatet e hetimit administrativ. Malaj kërkoi përjashtimin e të tre anëtarëve të KPK.

Kryesuesi Hamitaj ju drejtua subjektit duke i thënë se kishte pasur kohë të mjaftueshme për të dorëzuar provat, por Malaj tha se e kishte konstatuar një ditë me parë këtë fakt.

Ai kërkoi kohë për te përgatitur me shkrim kerkesën dhe për te bashkangjitur provat që pretendon.

Trupa gjykuese e KPK u tërhoq dhe vendosi t’i kërkojë shpjegime Malajt lidhur me përmbajtjen e shkresës së pretenduar, se cili ishte institucioni që e kishte lëshuar dhe mënyrën se si ai e kishte dorëzuar në KPK.

Prokurori Malaj përshkroi datën dhe numrin e protokollit të shkresës. “Është shkresë e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Vlorë e vitit 2017, e dorëzuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në vitin 2020. Thuhet se kam qenë i regjistruar si avokat me kod fiskal dhe se kam deklaruar dhe paguar deryrimet që nga 11 marsi i vitit 1998. Gjithashtu sqarohet se kam paguar detyrimet edhe nga viti 1999 kur lash detyrën si prokuror rrethi, deri në vitin 2002. Kjo shkresë është derguar pranë Komisionit e skanuar pas pyetësorit të dytë”, shpjegoi Malaj.

Ai pretendoi se kishte depozituar si prova edhe mandate të pagesës së detyrimeve tatimore për periudhën 1994-1997, si dhe një shkresë të QKB-se rezultonte subjekt i çregjistruar. “Nëse rezultoj i çregjistruar do të thotë se kam qenë i regjistruar. Po të ishin përfshirë të ardhurat nga puna si avokat nuk do të rezultoja me balancë negative në vlerën 6.7 milionë lekë për vitin 2003. Është e provuar se kam qenë i regjistruar me kod fiskal që në vitin 1994”, pohoi Malaj.

Hamitaj e pyeti subjektin se në çfarë periudhe ishte dorëzuar ky dokument dhe nëse ishte pasqyruar në parashtrimet e datës 21 dhjetor.

Malaj sqaroi se dokumenti në fjalë ishte dorëzuar në muajin mars. Ai këmbënguli se kërkesa për përjashtim nuk kishte të bënte me velrimet e mëvonshme të KPK, nëse do e merrte në konsideratë më vonë këtë dokument. “Kërkesa për përjashtim ka të bëjë me faktin se kjo provë nuk është konsideruar deri tani. Flas për paanshmrinë dhe objektivitetin gjatë hetimit administrativ”, pohoi ai.

Malaj deklaroi se KPK merrte në konsideratë një shkresë të tatimeve sipas se cilës nuk figuronte aktualisht i regjistruar si avokat dhe se provat e tjera nuk ishin konsideruar.

Kryesuesi Hamitaj tha se nuk mund të pretendohej nga subjekti se përse nuk ishte konsideruar deri tani dokumenti i debatuar në seancën dëgjimore. “Mosvlerësimi deri tani i një dokumenti nuk sjellë rënie të peshës së tij. Lidhur me arsyen pse nuk është marrë në konsideratë, mund të jetë një mungesë teknike që nuk prish asgjë në aspektin substancial”, pohoi Hamitaj.

I pyetur nga vëzhguesi Steven Kessler nëse kërkesa për perjashtim të trupit gjykues lidhej vetëm me moskonsiderimin e kësaj shkrese, Malaj u shpreh se kjo gjë kishte sjellë mungesën e përfshirjes në analizën financiare, pasi nuk u ishte përcjellë ekspertëve.

“Unë kam deklaruar që në vitin 2003 të ardhurat nga avokatia. Nëse do të ishin konsideruar do të kishim një tjetër analizë financiare. Fakti që ju nuk e keni përfshirë më bënë të dyshoj”, sqaroi Malaj.

Në përfundim, kryesuesi Hamtiaj tha se subjektit të rivlerësimit i jepej kohë brenda ditës së sotme, të enjten, të dorëzojte me shkrim kërkesën për përjashtimin e trupës gjykuese, që do te shqyrtohej nga një tjetër trupë. Seanca dëgjimore u shty dhe u bë me dije se rifillimi do të njoftohej nga KPK në faqen online në internet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *