Prokurori Stojani del i pastër në veting

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri të ditur se nga të dhënat administrative, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Sokol Stojani rezulton pa pasuri të fshehura, pa lidhje me elementë të krimit dhe me aftësi profesionale ndërsa dha shpjegime për tre kallëzime ndaj tij.

Prokurori Stojani përballë KPK në Tiranë më 30 tetor 2018. Foto: BIRN

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Sokol Stojani e kaloi lehtë procesin e rivlerësimit kalimtar para trupës gjykuese të përbërë nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu, Valbona Sanxhaktari pasi kontrolli i pasurisë, ai i figurës dhe i aftësive profesionale nuk identifikuan asnjë problem.

Seanca dëgjimore për Stojanin u zhvillua më 30 tetor 2018.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILKPDKI) pati raportuar se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të saktë, ka mjaftueshmëri financiare për pasurinë e vet, nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesave, nuk ka bërë fshehje të pasurisë dhe nuk ka bërë deklarim të rremë.

Sipas deklaratave të pasurisë, Stojani disponon një apartament në Tiranë të blerë në vitin 2002 me një kredi të butë të dhënë nga Banka e Kursimeve me vendim qeverie si dhe një automjet me vit prodhimi 2008 të blerë në vitin 2017 për 4,700 euro.

Personat e lidhur nuk disponojnë pasuri të tjera.

Sa i përket pastërtisë së figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një skedë të pastër për të në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit duke e shpallur “të përshtatshëm” për vijimin e detyrës.

Sa i përket aftësive, KPK raportoi se Stojani ka marrë vlerësimin shumë mirë gjatë periudhës së rivlerësimit 2016-2018 dhe ndaj tij nuk ka pasur masë disiplinore.

Ndaj Stojanit janë dorëzuar në të shkuarën tre kallëzime penale.

Sipas Stojanit, në njërin rast, ish-Ministri i Brendshëm Fatmir Mediu bëri kallëzim ndaj tij në kohën kur ai ishte përfaqësues i akuzës për çështjen e shpërthimit në fshatin Gërdec të Tiranës, ku 26 persona humbën jetën.

Stojani argumentoi se kallëzimi i Mediut përbënte një strategji të mbrojtjes për të dobësuar akuzën në kohën kur kjo e fundit po përgatitej ta çonte çështjen në gjykatë.

Mediu kishte argumentuar në kallëzim se dyshonte se pyetjet me të cilat ishte përballur nga gazetarët gjatë një interviste televizive ishin formuluar nga Stojani.

Gjykata e Lartë vendosi në 14 nëntor 2009 mbylljen e procedimit penal për ish-ministrin me argumentimin se ai ishte rizgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe për këtë arsye kishte rifituar imunitetin parlamentar.

Dy kallëzimet e tjera lidheshin me një ish-prokuror që u ankua ndaj Stojanit si dhe me babain e një viktime aksidenti rrugor që sipas Stojanit, ishte i bindur se vajza ishte ekzekutuar dhe aksidenti ishte inskenuar. Stojani argumentoi se ai kishte konkluduar se bëhej fjalë për aksident dhe jo për vrasje.

Komisioni deklaroi se Stojani ishte treguar bashkëpunues gjatë procesit të Vetingut ndëra vetë Stojani falënderoi komisionin “për profesionalizmin dhe seriozitetin” e hetimit administrativ dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Vendimi për Stojanin pritet të jepet të mërkurën më 31 tetor.

Stojani bën pjesë në listën e dytë prioritare të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, listë ku përfshihen një pjesë e gjyqtarëve të apelit, kandidatët për Gjykatën Kushtetuese dhe zyrtarë të tjerë të lartë të sistemit të drejtësisë.

Gjergj Erebara
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.