Prokurorja Afërdita Ndoi (djathtas) duke dalë nga KPK | Foto : E.Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Prokurorja Afërdita Ndoi përballet me vetingun

Prokurorja Afërdita Ndoi u pyet në seancë dëgjimore lidhur me qëndrimet e mbajtura prej saj në dy çështje hetimore të verifikuara pas një denoncimi anonim dhe deklarimet për pagesën e disa kësteve për blerjen e një apartamenti.

Prokurorja Afërdita Ndoi (majtas) duke dalë nga KPK | Foto : E.Hoxhaj

Prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Afërdita Ndoi, u përball të mërkurën me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në të tri kriteret e rivlerësimit.

Procesi i vetingut për prokuroren Ndoi po realizohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Firdes Shuli relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.

Ndoi është diplomuar në shkollën e Magjistraturës në vitin 2003. Ajo është emëruar fillimisht në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe është transferuar në vitin 2009 në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Subjekti është vlerësuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) për të tri kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Ajo u përball të mërkurën në seancë dëgjimore me gjetjet e hetimit administrativ të Komisionit dhe pyetje për asetet e krijuara gjatë viteve si subjekt i ligjit të deklarimit të pasurive  dhe likuiditet e deklaruara.

Prokurorja Ndoi u vlerësua në mënyrë pozitive nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, për sa i përket pastërtisë së figurës, pasi nuk ka lidhje me krimin e organizuar dhe si rrjedhim vlerësohet e përshtatshme për vazhdimin e detyrës në sistemin e drejtësisë.

Ajo është vlerësuar gjithashtu pozitivisht nga Prokuroria e Përgjithshme për sa i përket profesionalizmit, por është përballur me pyetje për një dosje hetimore për veprën penale ‘mjekim të paligjshëm’ pas një denoncimi anonim.

Vlerësimi i pasurisë

Për një apartament me sipërfaqe 66.2 m2 në Farkë të Tiranës të porositur në vitin 2009 për vlerën 25 mijë euro, subjekti ka deklaruar si burim krijimi pagat e saj e të bashkëshortit. Shuli shpjegoi se nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se porosia është kryer fillimisht për një apartament 78 m2, po për vlerën 25 mijë euro.

Komisioni konstaton se në deklaratën periodike për vitin 2009 nuk është deklaruar burimi I krijimit të kësaj pasurie që rezulton të jetë regjistruar në emër të bashkëshortit dhe të subjektit në vitin 2011.

Sipas Shulit, Ndoi ka deklaruar para Komisionit se nuk i ka dokumentet për kalimin e shumës së paguar për llogari të shoqërisë ndërtuese, ndërsa  kjo e fundit ka vënë në dispozicion dokumente se pagesat janë kryer me këste përgjatë viteve 2007, 2008 dhe 2009.

“Subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar në vitet përkatëse pagesat për shlyerjen e kësteve dhe as pakësimet,” pohoi relatorja Shuli.

Ajo shtoi se për këtë arsye, në analizën financiare nuk janë konsideruar të ardhurat që kanë shërbyer për pagesën e kësteve dhe në analizën financiare për vitin 2009, ka rezultuar një balancë negative në vlerën 2 milionë e 642 mijë lekë.

Shuli tha se subjektit i janë kërkuar shpjegime për paqartësinë e pagesave në vitet 2007, 2008 dhe 2009, në mungesë të aktit të porositjes së apartamentit. Sipas relatores, prokurorja Ndoi kishte dhënë shpjegime se pagesat ishin kryer edhe në këto vite dhe se kishte vënë në dispozicion një analizë financiare sipas të cilës rezultonte me burime të mjaftueshme për shlyerjen e vlerës së apartamentit.

Shuli tha se shpjegimet dhe provat e dorëzuara do të vlerësohen gjatë vendimmarrjes përfundimtare.

Prokuroja Afërdita Ndoji e pranoi gjatë seancës dëgjimore se nuk i kishte deklaruar likuiditetet që kishin shërbyer për pagesën e kësteve gjatë viteve 2007, 2008 dhe 2009, por theksoi se kishte pasur mundësi kursimi dhe sipas saj, kjo rezultonte edhe në analizën financiare të KPK.

“Kam vlerësuar se pagesat nuk ishin objekt deklarimi”, pohoi ajo dhe shpjegoi se në vitin 2005, kishin rënë dakord verbalisht me shoqërinë ndërtuese që të kryenin disa pagesa për një apartament, por pa rënë dakord se çfarë banese do të merrnin. Ndoi shtoi se shoqëria po ndërtonte dy pallate dhe se dakordësia për kryerjen e pagesave ishte përcaktuar vetëm për vlerën për sipërfaqen në m2.

“Fakti se kanë qenë detyrime të shoqërisë ndaj nesh, këto shpenzime nuk kanë qenë objekt deklarimi në vitet përkatëse. Pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 do të ishin objekt deklarimi,” shpjegoi Ndoi.

Ajo këmbënguli se lëvizjet dhe tërheqjet e vlerave nga banka tregojnë se kanë ndodhur pikërisht kur janë kryer pagesat e kësteve. “Rezulton se me të ardhurat e pagave kemi pasur mundësi financiare për shlyerjen e vlerës së apartamentit”, theksoi Ndoi.

Në seancë u evidentua edhe pjesa takuese e prokurores Ndoi në katin e dytë të një shtëpie të ndërtuar nga babai në Bathore para se ajo të fillonte arsimin universitar. Vlera e pjesës takuese në objektin e regjistruar në vitin 2017 është deklaruar nga subjekti në shumën 4.5 milionë lekë. Shuli tha se kjo pasuri është pasqyruar nga prokurorja Ndoi edhe në vitin 2003; në 2004-ën dhe në deklaratën veting.

Ndërkohë, Komisioni nuk ka gjetur probleme në blerjen e dy autoveturave nga 100 mijë lekë secila, në llogaritë bankare dhe në një mjet të dhuruar nga babai. Pa probleme janë gjetur edhe deklarimet për gjendjet cash.

Hetimi për mjekim të pakujdesshëm

Prokurorja Afërdita Ndoi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës. Gjithashtu, ajo është vlerësuar pozitivisht edhe nga grupi i punës së Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me 3 vendimet e zgjedhura prej saj dhe 5 çështjet rastësore, vlerësim që është gjetur i drejtë edhe nga KPK.

Por, një denoncim anonim i datës 15 shtator 2020, ka sjellë riçeljen e hetimit për prokuroren Ndoji, një ditë para se ajo të dëgjohej në seancë dëgjimore. Në denoncim trajtohej kërkesa e prokurores për heqjen e masës së pezullimit për punonjësen e ASHK Durrës, si dhe lidhur me një vendim mosfillimi dhe një vendim pushimi për një çështje që ka pasur si objekt hetimin e një rasti për mosdhënie ndihme të duhur mjekësore.

Relatorja Shuli u ndal në fjalën e saj në dy vendimmarrjet për çështjen e dytë – ku ishte verifikuar lidhur me pasojat që kishin sjellë vdekjen e një paciente që vuante nga sëmundje e pashërueshme. Sipas Komisionit, nga dosja duket se hetimet e prokurores nga viti 2011 deri në 2012-ën, kur është vendosur mosfillimi i hetimeve janë në tejkalim të afateve. Shuli tha se prokurorja Ndoi kishte vendosur mosfillim të hetimeve, në kundërshtim me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor sipas të cilit konstatohej se shkak ishte edhe mjekimi i pakujdesshëm.

Kundër vendimit të mosfillimit është ankuar bashkëshorti i të ndjerës dhe gjykata ka vendosur prishjen dhe rifillimin e hetimeve. Prokurorja Ndoi ka vendosur pushimin e hetimeve edhe një herë, por edhe ky vendim është rrëzuar nga gjykatat me formë të prerë për hetime të paplota.

Sipas Shulit, gjatë hetimit të dytë të kryer nga prokurorja Ndoi, vendimi për kryerjen e aktit të ekspertimit është vonuar 8 muaj, ndërkohë që në dosje mungon urdhri për kryerjen e veprimeve hetimore.

Prokurorja Ndoi shpjegoi se e ndjera Sh.M. kishte gjetur vdekjen si pasojë e një sëmundje të pashërueshme, ndërkohë që një vit më vonë bashkëshorti kishte kryer kallëzim penal për mjekim të pakujdesshëm.

Ajo vijoi se kishte tërhequr gjithë aktet e dosjes së pacientes së ndjerë dhe kishte urdhëruar aktin e ekspertimit.

“Afati 20 ditor që pretendohet si shkelje nuk parashikohet në kodin e procedurës penale. Pasi administrova aktin e ekspertimit mjeko-ligjor vendosa mosfillimin bazuar në prova,” pohoi Ndoi.

Ajo shpjegoi se pasi gjykata kishte prishur vendimin e mosfillimit kishte kryer ankim dhe se Gjykata e Lartë i kishte dhënë të drejtë. Prokurorja Ndoi tha se me anë të ekspertimit mjeko-ligjor nuk provohej se shkaku i vdekjes kishte qenë mjekimi i pakujdesshëm, ndërkohë që sëmundja kishte qenë e pashërueshme.

Pas rifillimit të hetimeve, Ndoi tha se i kishte kërkuar Urdhërit të Mjekëve që të caktonte 5 ekspertët më të mirë të kësaj fushe për të konkluduar lidhur mbi shkaqet që kishin çuar në vdekjen e të ndjerës.

Akti i dytë i ekspertimit ka konkluduar të kundërtën e aktit të parë dhe prokuroja Ndoi tha se kishte vendosur pushimin e çështjes. “Vendosa pushimin bazuar në prova dhe në bindjen e brendshme”, deklaroi Ndoi. “Pas ankimit gjykata e prishi vendimin e pushimit me pretendimin se aktet e ekspertimit ishin në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe kërkoi kryerjen e një akti ekspertimi mjeko-ligjor të ri.”

Relatorja Firdes Shuli i solli në vëmendje prokurores Ndoi se dispozita në fjalë nuk parashikonte si pasojë vetëm vdekjen, por edhe dëmin e shëndetit ose rrezikimin e jetës. “Ku e bazuar bindjen?”, e pyeti ajo.

Ndoi sqaroi se e ndjera vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe se ishte në stadin e dytë. Sipas saj, konkluzioni i mjekëve ishte evaziv, pasi në aktet e ekspertimit nuk përcaktoheshin pasojat, por se pasqyrohej vetëm mosmjekimi i duhur. Ndoi shtoi se nga një analizë e kryer, pacientja kishte dalë negative, pavarësisht se vuante nga sëmundja e pashërueshme dhe se mjekimi nuk kishte ndikuar në ardhjen e pasojës.

Prokurorja tha se e kishte ankimuar pasi në vendimet e gjykatës për prishjen e vendimeve të mosfillimit dhe të pushimit të hetimit, kërkohej kryerja e veprimeve hetimore që sipas saj I kishte kryer të gjitha.

“Gjykata e ka prishur vendimin e pushimit edhe pas aktit të tretë të ekspertimit”, pohoi Ndoi dhe tha se qëndrimi i njëjtë i prokurorisë tregonte se kishte pasur të drejtë.

Ndërkohë Komisioni ka verifikuar denoncime publike në medie lidhur me një një procedim për një punëonjëse të ASHK Durrës, që është hetuar nga prokurorja Ndoji. Sipas relatores Shuli, subjekti ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, gjë që është pranuar nga Gjykata e Apelit.

Ndoji ka deklaruar para Komisionit se e ka kryer kërkesën për heqjen e masës së sigurisë bazuar në rrethanat e çështjes dhe të bindjes së brendshme. Gjithashtu, ajo ka sjellë si provë një tjetër dosje, ku ka mbajtur qëndrim tjetër për të njëjtën shtetase që akuzohej për tjetër vepër penale.

Prokurorja Ndoi deklaroi në seancë se punonjësja e AKSH Durrës ishte edhe e kallëzuar dhe viktimë në të njëjtën kohë, pasi ishte mashtruar nga persona të tjerë. Ajo shtoi se në momentin kur kishte kryer kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, provat ishin marrë dhe se kishte konsideruar gjendjen familjare dhe ekonomike të të kallëzuarës.

Komisioni nuk ka gjetur prova apo indicie lidhur me një denoncim tjetër publik të kryer në medie, sipas të cilave prokurorja Ndoi kishte përfituar pronë në Gjirin e Lalzit.

Në fund të seancës dëgjimore, Ndoi e falënderoi Komisionin për punën e kryer për rivlerësimin e saj. “Në punën time kam zbatuar vetëm ligjin dhe Kushtetutën dhe kërkoj konfimimin në detyrë”, përfundoi prokurorja Afërdita Ndoi.

Komisioni do të shpallë vendimin të enjten më 8 tetor, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *