Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurorja Anila Leka pret rikonfirmimin pas vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Anila Leka ka burime të ligjshme për pasurinë e saj si dhe konfirmoi përshtatshmërinë e figurës. Vendimi jepet më 6 qershor.  

Komisioneret Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Pamela Qirko gjatë seancës dëgjimore me prokuroren Besa Nikëhasani, të mbajtur në Tiranë më 17 prill 2018. Foto Arkiv: Gent Shkullaku/LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit paralajmëroi të hënën “dritën jeshile” për konfirmimin e  prokurores së Prokurorisë së Përgjithshme, Anila Leka, pasi hetimi administrativ nuk ka konstatuar probleme në asnjërin prej kritereve të rivlerësimit.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, relatorja e çështjes, Firdes Shuli deklaroi se hetimi për prokuroren Anila Leka nuk ka zbuluar probleme me pasurinë si dhe ka konstatuar përshtatshmërinë e figurës.

“Referuar të dhënave të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe  hetimit të kryer, rezulton se pasuria e  subjektit Anila Leka është krijuar me burime të ligjshme. Po ashtu nuk rezulton të jetë në kushtet e konfliktit të interesit,” tha Shuli në seancë.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasuria e prokurores Leka përbëhet nga një apartament në Tiranë me sipërfaqe 91.5 metra katrorë, një apartament në Golem me sipërfaqe 74 metra katrorë dhe një llogari bankare në bono thesari me vlerë rreth 5 milionë lekë. Pjesë e pasurisë së prokurores ishin dhe dy llogari bankare të prindërve të saj në  vlerën e 16 mijë dollarëve.

Të dhënat e dorëzuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kanë konfirmuar përshtatshmërinë e figurës së subjektit për të vazhduar detyrën. Ndërsa për të vlerësuar kriterin profesional të prokurores, janë marrë në shqyrtim nga grupi  i monitorimit 5 dosje  të hetuara nga Leka, ku nuk është konstatuar asnjë problem profesional.

Prokurorja Anila Leka u shpreh e kënaqur me rezultatet e Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit. Ajo deklaroi në seancë se nuk ka asnjë kundërshtim me gjetjet dhe se pret që të rikonfirmohet në detyrë.

Vendimi për Anila Lekën  do të merret nga trupa gjyqësore e përbërë nga Roland Ilia, Suela Zhegu dhe Firdes Shuli më 6 qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *