Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurorja Anila Leka kalon testin e vetingut

Vendimi për konfirmimin në detyrë të prokurores Anila Leka u dha unanimisht nga trupa gjykuese e KPK, e përbërë nga  Roland Ilia, Suela Zhegu dhe Firdes Shuli.

Prokurorja në Prokurorinë e Përgjithshme, Anila Leka | Foto nga : LSA

Konfirmi në detyrë i prokurores erdhi pasi hetimi administrativ nuk ka konstatuar probleme në asnjërin prej kritereve të rivlerësimit. Në seancën dëgjimore të zhvilluar në 4 qershor, relatorja e çështjes, Firdes Shuli deklaroi se hetimi për prokuroren Anila Leka nuk ka zbuluar probleme me pasurinë si dhe ka konstatuar përshtatshmërinë e figurës.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasuria e prokurores Leka përbëhet nga një apartament në Tiranë me sipërfaqe 91.5 metra katrorë, një apartament në Golem me sipërfaqe 74 metra katrorë dhe një llogari bankare në bono thesari me vlerë rreth 5 milionë lekë. Pjesë e pasurisë së prokurores ishin dhe dy llogari bankare të prindërve të saj në  vlerën e 16 mijë dollarëve.

Të dhënat e dorëzuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kanë konfirmuar përshtatshmërinë e figurës së subjektit për të vazhduar detyrën. Ndërsa për të vlerësuar kriterin profesional të prokurores, janë marrë në shqyrtim nga grupi  i monitorimit 5 dosje të hetuara nga Leka, ku nuk është konstatuar asnjë problem profesional.

Deri tani KPK ka konfirmuar dy prokurorë në detyrë dhe ka shkarkuar një të tretë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *