Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurorja Antoneta Sevdari kalon pa probleme testin e pasurisë dhe të figurës

Ndërsa kaloi pa asnjë problem dy kriteret e rivlerësimit, vetingu për prokuroren Antoneta Sevdari u ndal edhe tek një hetim i kryer prej saj ndaj një zyrtari të kallëzuar për deklarim të rremë të pasurisë-hetim i cili u pushua nga gjykata dhe nuk u apelua në kohë.

Prokurorja Antoneta Sevdari në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Antoneta Sevdari, e cila është njëherazi edhe kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë kaloi pa probleme të martën testin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës. Ndërkohë, KPK analizoi një hetim të kryer nga prokurorja Sevdari për një zyrtar të akuzuar për “deklarim të rremë të pasurisë” dhe evidentoi faktin se ajo nuk kishte ushtruar në kohë ankimim ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë.

Trupi gjykues i drejtuar nga Firdes Shuli, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtar Roland Ilia kreu hetimin administrativ ndaj prokurores për të tria kriteret e rivlerësimit. E pranishme në seancën dëgjimore, Sevdari e quajti të drejtë raportin e lexuar në sallë dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Sipas relatores Sanxhaktari, pasuria familjare e subjektit të rivlerësimit përbëhej nga 350 m2 tokë truall, e blerë në vitin 2001 për 700 mijë lekë, një shtëpi banimi e legalizuar në vitin 2013, ku Sevdari dhe bashkëshorti i saj kishin si pjesë takuese 1/3, një apartament  i blerë për 97 500 euro me kursimet familjare nga paga dhe të ardhurat e bashkëshortit si person fizik.

Verifikimet e kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arritën në përfundimin se deklarimet e prokurores Sevdari kanë qenë të sakta dhe se pasuria e saj ka burime të mjaftueshme dhe të ligjshme.

Gjithashtu, edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport pozitiv për subjektin e rivlerësimit, duke e konsideruar atë të përshtatshme për vazhdimin e detyrës. Për kriterin e aftësive profesionale, Prokuroria e Përgjithshme e ka vlerësuar “shumë mirë” prokuroren Sevdari për vitet 2014, 2015, 2016, ndërkohë që vetë relatorja u ndal gjerësisht te hetimi pasuror i kryer në vitin 2015 për një zyrtar me inicialet G.D, i kallëzuar nga ILDKPKI për deklarim të rremë të pasurisë.

“Subjekti i rivlerësimit ka kryer veprimet e duhura hetimore dhe e ka çuar çështjen për gjykim. Ajo ka kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij me 4 muaj burg,” tha relatorja Sanxhaktari.

Pavarësisht kërkesës së prokurorisë, Gjykata e Tiranës kishte vendosur pushimin e hetimit për zyrtarin G.B. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ndal te fakti që prokurorja Sevdari nuk ishte përgjigjur menjëherë me apelim.

“Subjekti i rivlerësimit nuk e ka ankimuar vendimin e pushimit. Më pas, ajo ka kërkuar rivendosjen në afat për ankimimin,” konstatoi relatorja, e cila shtoi më pas se kjo kërkesë ishte rrëzuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë.

Prokurorja Sevdari e cilësoi të drejtë raportin e lexuar nga relatorja, përfshirë edhe për çështjen në diskutim të mosankimimit prej saj.

“Ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme prej meje që të kujdesesha në atë kohë për një familjar timin që ishte i sëmurë rëndë. Në momentin që jam njohur me vendimin e zbardhur kam kërkuar rivendosjen në afat” tha prokurorja Sevdari, e cila shtoi se përpjekjet e saj ishin rrëzuar nga gjykata për mospërmbushje kushtesh.

Prokurorja shpjegoi se ishte konsultuar më pas edhe me kolegë të Prokurorisë së Apelit dhe ishte bindur që “shkaqet madhore” përfshinin raste aksidentesh të rënda apo sulmesh dhe jo shkaqet njerëzore si në rastin e saj.

Në fund të fjalës së saj, prokurorja Sevdari kërkoi rikonfirmimin në detyrë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do ta shpallë vendimin më 18 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *