Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurorja Antoneta Sevdari konfirmohet në detyrë nga KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi të mërkurën në detyrë prokuroren e Prokurorisë së Rethit Gjyqësor Tiranë Antoneta Bejko Sevdari, njëherazi candidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Seanca e KPK-së për gjyqtaren Nertina Kosova | Foto: BIRN

Trupi gjykues i drejtuar nga Firdes Shuli, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtar Roland Ilia konfirmoi në detyrë prokuroren Sevdari pas hetimit të thelluar administrativ të ndërmarrë nga Komisioni dhe informacionet e administruara nga institucionet e pavararura.

Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të martën, Komisioni bëri të ditur se Sevdari kaloi pa probleme testin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës. Ndërkohë, KPK analizoi një hetim të kryer nga prokurorja Sevdari për një zyrtar të akuzuar për “deklarim të rremë të pasurisë” dhe evidentoi faktin se ajo nuk kishte ushtruar në kohë ankimim ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë.

Verifikimet e kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arritën në përfundimin se deklarimet e prokurores Sevdari kanë qenë të sakta dhe se pasuria e saj ka burime të mjaftueshme dhe të ligjshme.

Prokurorja Sevdari e cilësoi të drejtë raportin e Komisionit, përfshirë edhe për çështjen në diskutim të mosankimimit prej saj.

“Ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme prej meje që të kujdesesha në atë kohë për një familjar timin që ishte i sëmurë rëndë. Në momentin që jam njohur me vendimin e zbardhur kam kërkuar rivendosjen në afat” tha prokurorja Sevdari, e cila shtoi se përpjekjet e saj ishin rrëzuar nga gjykata për mospërmbushje kushtesh.

Prokurorja shpjegoi se ishte konsultuar më pas edhe me kolegë të Prokurorisë së Apelit dhe ishte bindur që “shkaqet madhore” përfshinin raste aksidentesh të rënda apo sulmesh dhe jo shkaqet njerëzore si në rastin e saj.

Në fund të fjalës së saj, prokurorja Sevdari kërkoi rikonfirmimin në detyrë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do ta shpallë vendimin më 18 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *