Prokurorja Blerta Hamza përballet me vetingun

Lajme
Prokurorja e Shkodrës Blerta Hamza u vlerësua pozitivisht për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërkohë që dha shpjegime për dy denoncime nga publiku lidhur me dy çështje që kishte hetuar.

Prokurorja Blerta Hamza

Prokurorja e Shkodrës Blerta Hamza u përball të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u relatuan gjetjet e hetimit administrativ për të tri kriteret e rivlerësimit. Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për prokuroren Hamza kryesohet nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Shegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Blerta Hamza përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2016 dhe pas një periudhe stazhi në Pogradec u emërua prokurore në Prokurorinë e Shkodrës, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin. Prej vitit 2020, Hamza punon edhe si eksperte për monitorimin e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme me lejen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjatë seancës dëgjimore nuk u evidentuan probleme për kriterin e pasurisë dhe atë të figurës, ndërkohë që prokurorja Hamza dha shpjegimet për dy denoncime nga publiku.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti i rivilerësimit ka deklaruar saktë llogarinë bankare të pagës me gjendje 40 mijë lekë; kursimet cash në shumën 1.2 milion lekë dhe apartamentet e marra me qira ose në përdorim, të deklaruara si adresë banimi gjatë periudhës kur ka ushtruar detyrën e prokurores.

Shuli tha se Hamza ka pasur mundësi të krijojë gjendjen cash 1.2 milionë lekë, si burim krijimi të së cilës ka deklaruar pagat si nënpunëse pranë ZVRPP Tiranë, të ardhurat nga bursa e Shkollës së Magjistraturës dhe pagat si prokurore.

Komisioni ka verifikuar dhe një apartament të blerë nga babai i subjektit në nëntor të vitit 2016 në Yzberisht, në Tiranë kundrejt çmimit 26 mijë euro, që prokuorja Hamza e ka deklaruar si adresë banimi. Nga analiza financiare ka rezultuar se babai i prokurores Hamza ka pasur burime financiare të mjaftueshme për pagesën e këstit të parë në shumën 20 mijë euro.

Gjithashtu ka rezultuar se ka pasur burime dhe për shlyerjen e një huaje në shumën 6 mijë euro që ka shërbyer për pagesën e këstit të dytë në 2017-ën. Por, relatorja Shuli vërejti se deri në këtë moment nuk ëhstë provuar mundësia e huadhënësit për dhënien e vlerës 6000 euro dhe se subjekti ka dorëzuar prova e shpjegime shtesë që do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare. Sipas Shulit, në përfundim ka rezultuar se subjekti nuk ka lidhje me krijimin e kësaj pasurie.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK  ka dorëzuar dy raporte pozitive për figurën e prokurores Hamza. Edhe Prokuroria e Përgjithshme ka depozituar raport pozitiv për profesionalizmin, që është gjetur i drejtë dhe prej Komisionit.

Ndërkohë, janë konstatuar pesë materiale hetimore në dy prokurori të ndryshme ndaj prokurores Hamza. Shuli shpjegoi se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK kishte informuar se hetimi për çështjen në fjalë vazhdonte, por se nuk ishte regjistruar procedim në emrin e subjektit.

Sipas Komisionit, Prokuroria e Shkodrës ka informuar se ndaj prokurores Hamza ka pasur katër çështje, për dy prej të cilave është vendosur mosfillim hetimi, një është pushuar dhe një vazhdon ende në hetim.

Ndaj prokurores Blerta Hamza janë depozituar gjithsej 10 denoncime nga publiku, nga të cilat ju kërkuan shpjegime subjektit për dy çështje.

Në të dyja rastet, denoncuesit pretendonin se prokurorja Hamza nuk kishte kryer veprimet hetimore të lëna si detyrë nga gjykata. Hamza deklaroi se kishte kryer hetime shteruese në të dyja çështjet dhe se kishte kryer të gjitha detyrat e lëna nga gjykata.

Denoncuesi P.G., ka pretenduar se prokuroria nuk ka marrë praktikën e legalizimit të një objekti që kishte ndërtuar pa leje, si dhe të praktikës së regjistruesit të Shkodrës me vartësit e tij për këtë çështje.

Hamza shpjegoi se kërkesa e P.G. për legalizim ishte rrëzuar pasi objekti i ndërtuar pa leje gjendej në zonën muzeale të qytetit. “Praktikisht nuk kishte çfarë praktike të administronim”, tha prokurorja Hamza. Lidhur me pretendimin e dytë të denoncuesit, Hamza deklaroi se në protokoll ruheshin praktikat e kryera me institucionet e tjera apo subjektet e jashtëm dhe jo me punonjësit.

Ajo dha shpjegime edhe për denoncimin e kryer nga shtetasja R.Q., e cila ka pretenduar se prokuroria nuk ka verifikuar kalimin e pronës së saj në favor të shtetit. Hamza deklaroi se kishte administruar si provë një vendim gjykate me të cilin ishte disponuar konfiskimi i pasurisë së denoncueses në favor të shtetit pa pagesë. Ajo shtoi se, megjithëse kishte ndryshuar emri i rrugës, bëhej fjalë për të njëjtin objekt dhe se kishte pyetur edhe të kallëzuarin.

“Janë kryer të gjitha detyrat e lëna nga gjykata dhe u janë dhënë përgjigje të gjitha pytjeve”, tha Hamza dhe theksoi se kërkesat e saj për pushimin e këtyre çështjeve ishin pranuar edhe nga gjykata.

Në përfundim të seancës dëgjimore prokurorja Blerta Hamza shprehu konsideratë vlerësuese për procesin e vetingut të kryer ndaj saj. Ajo deklaroi se kishte zbatuar vetëm ligjin dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 7 korrik, në orën 09:30.