Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurorja e Apelit, Fatjona Memçaj kalon testin e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të Fatjona Memçajt, e cila është njëherazi edhe anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Trupa gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore të prokurores së Apelit Tiranë, Fatjona Memçaj.

Prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj është zyrtarja e dytë e sistemit të drejtësisë që kalon testin e vetingut, duke u konfirmuar në detyrë. Pas hetimit administrativ për të tre kriteret e rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përfaqësuar në këtë proces nga Alma Faskaj, Roland Ilia dhe Firdes Shuli vendosi të enjten të rikonfirmojë në detyrë prokuroren Memçaj, e cila mban njëherazi edhe pozicionin e anëtares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Memçaj ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë prej vitit 2003, kur kryente detyrën e prokurores pranë Prokurorisë së rrethit Tiranë. Në vitin 2007, Memçaj ka punuar si drejtoreshë e Koordinimit Ligjor në Presidencë, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit 2012. Më pas, Memçaj është emëruar drejtore kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej vitit 2013 mban pozicionin e prokurores së Apelit në Tiranë.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 30 prill, relatori i çështjes, Roland Ilia deklaroi se Memçaj zotëron një apartament banimi 96 metra katrorë në Tiranë, i blerë për 27 800 dollarë, një automjet, një motor “Vespa” dhe llogari bankare të subjektit dhe personave të lidhur me të. Sipas hetimit administrativ, i konfirmuar edhe nga vendimi i së enjtes, pasuria e Memçajt është e justifikuar me burime të ligjshme.

Fatjona Memçaj është është subjekti i gjashtë që përballet me procesin e vetingut dhe e dyta e rikonfirmuar në detyrë, pas Vitore Tushës së Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra anëtarin e Kushtetueses, Fatos Lulo, gjyqtarin e Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva dhe prokuroren e Apelit në Shkodër, Besa Nikëhasani.

Ndërkohë, vendimi për gjyqtaren tjetër të Kushtetueses, Altina Xhoxhaj jepet në orën 3.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *