Drejtuesja e Prokurorise se Pukes, Elidiana Kasa pas seances degjimore. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Prokurorja e Pukës, Elidiana Kasa përballet pa probleme me vetingun

Hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rrëzoi denoncimet për pasuri të fshehura apo konflikt interesi për prokuroren e Pukës, ndërkohë që ajo u shpreh dakord me gjetjet e Komisionit dhe kërkoi konfirmin në detyrë.

Drejtuesja e Prokurorise se Pukes, Elidiana Kasa pas seances degjimore. Foto: Edmond Hoxhaj

Drejtuesja e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, Elidiana Kasa u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku gjatë seancës dëgjimore nuk u evidentuan probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit. Trupa gjykuese përbëhej nga Olsi Komici kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Roland Ilia anëtar. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte Mia Roessingh.

Në çelje të seancës, realtorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari u shpeh se komisioni kishte kryer hetim për të tri kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit.

Sanxhaktari pohoi se është kryer hetim i pavarur për vërtetësinë e deklarimit të pasurive nga ana e pokurores Elidiana Kasa; një apartament me sipërfaqe 95.3 m2 të blerë në vitin 1999,

një apartament në qytetin e Pukës me sipërfaqe 69 m2, ku prokurorja Kasa zotëron 1/3 si dhe apartament në Kashar të Tiranës, i blerë në vlerën e 37 mijë eurove.

Verifikimet e kryera kanë vërtetuar deklarimet e bëra nga ana e prokurores si të sakta dhe të rregullta.

Komisioni ka kryer verifikim edhe lidhur me dy dhuratat në vlerën e 8 mijë dollarëve dhe 12 mijë dollarëve që bashkëshorti i prokurores Kasa ka përfituar në vitet 2004 e 2005 nga motra dhe vëllai i tij që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas relatores së çështjes, subjekti ka dorëzuar dokumentacion për këto dhurata dhe mundësinë financiare të personave që i kanë dhënë, ndërkohë që komisioni është pritje të dokumentacionit ligjor me vulë apostile.

Të rregullta dhe të justifikuara janë gjetur gjithashtu një automjet i blerë për 1750 euro në Kosovë, një sipërfaqe toke prej 400 m2 e përfituar nga bashkëshorti dhe llogaritë bankare të deklaruara nga subjekti.

Sipas Sanxhaktarit, analiza financiare ka rezultuar pozitive dhe nuk janë gjetur pasuri të fshehura.

Prokurorja Elidiana Kasa është vlerësuar pozitivisht edhe për kriterin e pastërtisë së figurës. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, e ka cilësuar si të përshtatshme për të vazhduar detyrën. “Nota” pozitive ajo ka marrë edhe për profesionalizimin, ku sipas raportit të dërguar në komision nga Prokuroria e Përgjithshme prokurorja Kasa është vlerësuar shumë mirë dhe se ka treguar aftësi të mira në organizimin e punës. Ndaj saj nuk ka rezultuar të jetë marrë ndonjëherë masë disiplinore.

Në komision kanë mbëritur disa denoncime nga publiku, ku një pjesë kanë qenë anonime. Në denoncimin e parë anonim pretendohej se prokurorja Kasa kishte fshehur pasuritë e saj, pasi disponbonte një lokal dhe një kalçeto në emër të vëllait, si dhe një shtëpi në Velipojë ku bënte pushimet çdo vit.

Komisioni ka kryer hetim për pasuritë e vëllait të prokurores, A.Morina, në fund të së cilit ka rezultuar se ai nuk ka pasuri të fshehura as në emrin e tij dhe as në emër të subjektit dhe se aktiviteti financiar ka qenë normal.

“Nuk konstatohen të dhëna që e lidhin subjektin me të vëllanë apo këtë të fundit me bashkëshortin e saj,” u shpreh ndër të tjera Sanxhaktari.

Më tej, relatorja Sanxhaktari shpjegoi se subjekti ka deklaruar se në fillim ka kryer një financim të përbashkët me vëllanë për lokalin, ndërsa me kalçeton nuk kishte lidhje.

Një denoncim se ajo kishte qenë në konflikt interesi lidhur me kallëzimin e kryer ndaj bashkëshortit të saj në Prokurorinë e Pukës dhe procedimin e nisur ndaj tij, komisioni e ka gjetur të pavërtetë, pasi nuk është gjetur dokumentacion provues. Ndërsa lidhur me denoncimin se ajo është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit për hetimet që duhej të kryente ndaj personave të afërt, komisioni ka konstatuar se prokurorja Elidiana Kasa e ka vënë në dijeni vetë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për këtë situatë, pasi është prokurorja e vetme në Pukë.

“Në gjithë rastet kur është ndodhur në kushtet e konfliktit të interesit, çështjet janë hetuar nga prokurorë të tjerë të caktuar përkohësisht,” tha relatorja e çështjes, duke shtuar se Kasa kishte bërë disa herë kërkesa për transferim, por që nuk ishin miratuar nga eprorët.

Prokurorja Kasa deklaroi se ishte dakort me gjetjet e komisionit. Për apartamentin në bashkëpronësi me prindërit, ajo shpjegoi gjatë seancës dëgjimore të premten se privatizimi ishte kryer në fund të vitit 1992.

“As kam kontribuar dhe as kërkuar gjë nga aty. Nuk jam ndjerë pronare e pjesës takuese. Në respekt të sakrificës së prindërve për rritjen dhe arsimimin tim, si edhe të zakoneve krahinore, nuk kisha menduar të isha përfituese edhe pse kam qenë nënshkruese në vitin 1992 kur është kryer privatizimi dhe në shitjen në vitin 2011,” theksoi prokurorja Kasa.

Prokurorja Kasa u ndal edhe tek dhuratat që i janë dhënë bashkëshortit nga vëllai dhe motra, për të cilat shpjegoi se ata jetonin dhe punonin në Shtetet e Bashkuara.

Ajo sqaroi se për shkak të nxitimit, dokumentet e dërguara fillimisht kanë qenë pa vulë apostile, por ndërkohë, sipas saj, familjarët e bashkëshortit i kanë dërguar sërish dokumentet me vulë apostile dhe se mund të mbërrijnë deri në datën 30 prill.

Për një prej denoncuesve, prokurorja Kasa u shpreh se ai e kishte bërë këtë gjë pasi bashkëshoti i saj është drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe ka pushuar nga puna vajzën e denoncuesit, pasi nuk plotësonte kriteret e duhura.

Trupa gjykuese u tërhoq për 10 minuta për të vlerësuar kopjet e dokumenteve origjinale të dërguara nga të afërmit në SHBA. Pas vlerësimit, komisioni i konsideroi të rregullta dokumentet.

Në fund të seancës dëgjimore, prokurorja Elidiana Kasa kërkoi konfirmimin në detyrë. Komisioni do të shpallë vendimin më datë 30 prill, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *