Prokurorja e Fierit, Elida Hoxhaj pas seancës në KPK.  Foto:BIRN
KPK Lajme Vendi

Prokurorja Elida Hoxhaj pyetet për pasurinë dhe profesionalizmin

Prokurorja e Fierit, Elida Hoxhaj u pyet gjatë seancës dëgjimore për veprimet e kryera nga bashkëshorti për blerjen e një apartamenti për llogari të motrës së tij, disa balanca negative, si dhe për pushimin e hetimit të çështjes ndaj një gjyqtari.

Prokurorja e Fierit, Elida Hoxhaj pas seancës në KPK. Foto:BIRN

Prokurorja e Prokurorisë së Fierit, Elida Hoxhaj u përball të mërkurën më 14 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u pyet për gjetjet e hetimit administrativ për pasurinë dhe profesionalizmin. Prokurorja Hoxhaj mori vlerësim pozitiv për kriterin e pastërtisë së figurës.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për prokuroren Elida Hoxhaj kryesohet nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Elida Hoxhaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficere e policisë gjyqësore në vitet ’90. Ajo u emërua prokurore në vitin 2005 dhe punon prej asaj kohe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier.

Gjetjet për pasurinë

Hetimi i Komisionit për kriterin e pasurisë ka evidentuar mospërputhje të deklarimeve për sipërfaqen e një shtëpie banimi në lagjen Sheq i Vogël në Fier, të blerë nga vjehrri i subjektit të rivlerësimit në vitin 1967, ku janë kryer investime deri në vitin 1999, para se Hoxhaj të ushtronte detyrën e prokurores. Subjekti shpjegoi se mospërputhjet kanë ardhur si pasojë e matjeve në funksion të legalizimit të shtesave në këtë objekt dhe të përfshirjes në sipërfaqen totale edhe të një dhome që zotëron vëllai i bashkëshortit.

Si burim për kryerjen e investimeve në këtë banesë, Hoxha ka deklaruar të ardhurat e bashkëshortit nga puna në Albpetrol dhe në ndërmarrje të tjera, të ardhurat e familjarëve të tij, si dhe të ardhurat nga pagat e saj prej vitit 1996 kur ka filluar të jetojë aty. Ajo ka shpjeguar se gjendet në kushtet e pamundësisë objektive të sigurojë dokumentacion nga Albteroli dhe ndërmarrje të tjera për të gjitha të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti në periudhë 1995-1996, pasi nuk ekziston dokumentacioni.

Duke iu referuar kostove të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave, EKB, Komisioni ka vlerësuar se për kryerjen e investimeve pas vitit ’90, kostoja ka qenë rreth 1.8 milion lekë. Nga analiza financiare paraprake e Komisionit ka rezultuar balancë negative në shumën 1.5 milion lekë për kryerjen e ndërtimeve.

Prokurorja Elida Hoxhaj deklaroi se u qëndronte gjithë shpjegimeve dhe provave që kishte paraqitur në funksion të barrës së provës, që sipas saj vërtetojnë ato çfarë ka pretenduar gjatë gjithë procesit të rivlerësimit.

Ajo sqaroi se kishte dorëzuar dy raporte sipas të cilave vlera e investimeve të kryera për shtesat në shtëpinë në Fier, ishte më e vogël nga ajo e konkluduar prej Komisionit. “Kur unë kam filluar të jetoj aty, pjesa më e madhe ndërtimeve ishte kryer. Ndërkohë, të gjitha ndërtimet janë kryer para se të filloja detyrën e prokurores”, theksoi Hoxhaj dhe shtoi se kishte dorëzuar prova dhe foto ajrore që vërtetonin se të paktën prej vitit 2004, shtëpia ishte në gjendjen që është edhe sot.

Subjekti kërkoi që të konsideroheshin të ligjshme të ardhurat e përfituara prej bashkëshortit nga shoqëria Albpetrol dhe ndërmarrje të tjera, edhe pse sipas saj kishte qenë e pamundur të sigurohej dokumentacion i plotë për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar.

Nga hetimi ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 85 mijë lekë për blerjen e një automjeti në vitin 2014 kundrejt çmimit 600 mijë lekë. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Hoxhaj ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një makine tjetër po atë vit, kundrejt shumës 500 mijë lekë si dhe ato nga pagat. Bekteshi tha se mjeti që është shitur në 2014-ën është blerë disa vite më parë për çmimin 400 mijë lekë dhe për këtë arsye është konsideruar vetëm kjo shumë në analizën financiare.

Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare në shumën 490 mijë lekë edhe për blerjen e mjetit të shitur në 2014-ën. Bekteshi pohoi se subjekti ka deklaruar se mjeti është blerë nga një person i afërm dhe se pagesa është kryer disa muaj pasi është nënshkruar kontrata e shiti-blerjes. Sipas relatores, rezultonte se disa muaj më vonë është kryer tërheqje e një vlere monetare.

Balancë negative në shumën 491 mijë lekë është konstatuar edhe gjatë analizimit të burimeve të krijimit të një gjendje cash në shumën 2000 USD të pasqyruar në deklaratën veting.

Subjekti ka deklaruar një llogari bankare në shumën 1200 USD në emër të vajzës e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA. Si burim krijimi ka deklaruar kursimet nga pagat e saj dhe të bashkëshortit.

Bekteshi tha se subjekti ka vendosur në dispozicion të hetimit edhe të dhëna mbi transaksionet financiare lidhur me shpenzimet e jetesës së vajzës që jeton në SHBA.

Nga hetimi administrativ është konstatuar se në vitin 2016 prokurorja Hoxhaj ka qenë palë shitëse e një apartamenti, së bashku me prindërit e saj, të cilët e kishin përfituar këtë pasuri nëpërmjet privatizimit. Bekteshi tha se subjekti nuk e ka pasqyruar pjesën e saj takuese në deklaratën e vitit 2005 dhe as në atë veting. Hoxhaj ka deklaruar se nuk e ka konsideruar asnjëherë pjesën e saj takuese në këtë pasuri.

Në seancë u relatua edhe lidhur me një kontratë shit-blerje të një apartamenti në vitit 2013, në të cilën motra e bashkëshortit përfaqësohej nga ky i fundit. Bekteshi tha se prokurorja ishte lëshuar nga motra e bashkëshortit e cila jeton jashtë shtetit, para se të blihej kjo pasuri. Për shumën 2 milionë lekë që ka shërbyer për blerjen e kësaj pasurie, subjekti ka shpjeguar se kunata e ka sjellë pjesë kur ka ardhur në Shqipëri dhe i ka lënë në ruajtje tek e ëma.

E pyetur nga Bekteshi lidhur me veprimet e bashkëshortit për blerjen e kësaj pasurie në emër të motrës, Hoxhaj theksoi se të gjitha parashikimet në prokurën e posaçme ishin përcaktuar nga kunata. Ajo vijoi se rezultonte se edhe pagesa për llogari të shitësit të apartamentit është kryer në momentin e nënshkrimit të kontratës.

Pasi relatorja Bekteshi dhe kryesuesja Shuli evidentuan se kunata nuk gjendej në Shqipëri në momentin e nënshkrimit të kontratës, subjekti sqaroi se firma ishte e motrës së bashkëshortit dhe pranoi se data ishte vendosur kur ishte dakordësuar kontrata e shitjes.

Profesionalizmi

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka dërguar në Komision raport pozitiv për prokuroren Hoxhaj. Ndërkohë, në seancë u evidentuan tre kallëzime penale të kryera ndaj subjektit të rivlerësimit, për të cilat është vendosur mosfillim nga Prokuroria e Vlorës dhe ajo e Durrësit. Sipas Komisionit, kallëzuesit kanë pretenduar se Hoxhaj nuk ka kryer veprimet hetimore të urdhëruara nga gjykata.

Lidhur me çështjen për të cilën është kallëzuar në prokurorinë e Vlorës, Hoxhaj ka shpjeguar se ajo nuk kishte kryer hetime të çështjes, por ishte caktuar ta përfaqësonte në gjykatë.

Në një çështje ku janë hetuar për shpërdorim punonjësit e një banke dhe një përmbarues privat për falsifikim dokumentesh, Gjykata e Apelit Vlorë e ka prishur vendimin e pushimit dhe ka urdhëruar hetimin e përmbaruesit për falsifikim dokumentesh.

E pyetur lidhur me pretendimin e denoncuesit se dosja ishte mbajtur 5 muaj dhe më pas ishte dërguar për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës, Hoxhaj sqaroi se ajo e kishte dërguar 2 ditë pasi kishte mbërritur në Prokurorinë e Fierit dhe se vonesa kishte qenë ne Gjykatën e Apelit Vlorë për arsyetimin dhe kohën që nevojitej për të marrë vendimi formë të prerë.

Hoxhaj tha se kishte vlerësuar se hetimi i përmbaruesit për falsifikim të dokumenteve duhej të kryhej në Prokurorinë e Tiranës dhe se kjo e fundit e kishte pranuar dhe nuk kishte ngritur pretendime për kompetencën tokësore.

Në seancë u relatua edhe lidhur me një çështje të pushuar nga prokurorja Hoxhaj, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Gjirokastrës me inicialet G.B, që BIRN e identifikoi si Guximtar Boçi. Sipas Bekteshit, pas denoncimeve në emisionin “Stop” në televizionin Klan në vitin 2017, ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte filluar hetime për korrupsion ndaj gjyqtarit Boçi, por më pas çështja është dërguar në Prokurorinë e Fierit për “Ushtrim i ndikim të paligjshëm[…]”.

Prokurorja Hoxhaj e ka pushuar çështjen ndaj gjyqtarit, vendim që është lënë në fuqi edhe nga gjykata e shkallës së parë dhe apeli.

E pyetur nga komisionerja Suela Zhegu nëse kishte krijuar bindjen e brendshme për pushimin e çështjes, Hoxhaj tha se kishte kryer të gjitha veprimet hetimore dhe se nuk kishte pasur ndikim të paligjshëm.

Bekteshi tha se në 6 denoncimet e kryera nga publiku ndaj prokurores Hoxhaj nuk janë evidentuar indicie.

Në përfundim të seancës dëgjimore prokurorja Hoxhaj falënderoi Komisionin për hetimin administrativ dhe u shpreh se vlerësonte se kishte arritur nivel të besueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit dhe duhej të konfirmohej në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të enjten me 15 korrik, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *