Prokurorja Elsa Miha konfirmohet në detyrë

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokuroren e Prokurorisë së Tiranës, Elsa Miha pasi rrëzoi një raport problematik nga ILDKPKI për pamjaftueshmëri financiare.

Prokurorja Elsa Miha në Tiranë më 11 shkurt 2021. Foto: Besar Likmeta

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shpalli vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurores Miha të enjten më 11 shkurt. Prokurore prej 17 vitesh, Elsa Miha u paraqit e vetme në seancën dëgjimore përballë trupës së drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Lulzim Hamitaj. E pranishme në seancë ishte edhe vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova.

Prokurorja Elsa Miha e Prokurorisë së Tiranës e nisi me disavantazh procesin e vetingut, pasi Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i konsideronte disa prej deklarimeve të  saj si të pasakta dhe të rreme. Por hetimi 2-vjeçar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i rrëzoi si të pabazuara konstatimet e ILDKPKI-së, ndërsa në seancën dëgjimore të zhvilluar mëngjesin e së martës, Mihës iu kërkuan shpjegime shtesë për një huamarrje prej 18,500 eurosh si dhe balancat negative të dy viteve në vlerën totale të 658 mijë lekëve.

Shpjegimet e Mihës duket se bindën trupën gjykuese për konfirmimin e saj në detyrë.

Miho disponon një pasuri familjare në vlerën 6.3 milionë lekë.

Lexo më shumë:

Komisioni rrëzon raportin negativ të ILDKPKI për prokuroren Elsa Miha

Skeda e pasurisë së deklaruar –Elsa Miha –Prokuroria e Tiranës

Gjergj Erebara
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.