Prokurorja Manjola Kajana, kandidate për SPAK, përballet me vetingun
Lajme

Prokurorja Manjola Kajana, kandidate për SPAK, përballet me vetingun

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Manjola Kajana, pati një seancë të lehtë dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Kajanës nuk iu vunë në dukje probleme të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit, por iu kërkuan shpjegime për pushimin e hetimeve rreth një çështje për akuza të korrupsionit.

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Manjola Kajana. Foto:BIRN

Ndalimi i përgjimeve dhe më pas pushimi i hetimeve në një çështje me të akuzuar për korrupsion u duk si gjetja kryesore e KPK-së gjatë seancës dëgjimore të rivlerësimit për prokuroren e Krimeve të Rënda Manjola Kajana.

Kajana nga ana e saj arsyetoi se përgjimet ishin ndaluar pasi një sërë përpjekjesh stimuluese të kontrolluara nuk dhanë efekt, duke bërë të pamundur të provohej korrupsioni.

Ndërkohë sipas relacionit të lexuar gjatë seancës dëgjimore që u mbajt të martën nuk u vunë në dukje probleme të tjera në asnjë prej tre kritereve të rivlerësimit.

Trupa gjykuese që shqyrtoi çështjen e Kajanas përbëhej nga Olsi Komici kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Në cilësinë e vëshguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Kijlstra.

Prokurorja Manjola Kajana e ka nisur karrierën e saj profesionale në vitin 2008 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më pas në vitin 2009 është transferuar në prokurorinë e Fierit dhe në qershor të 2014-ës në atë të Krimeve të Rënda ku edhe vazhdon aktualisht. Ajo kandidon për një vend në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Verifikimi i dosjeve

Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi sqaroi se prokurorja Kajana u rivlerësua në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe për profesionalizimin.

Bekteshi, pohoi se nga verifikimi i pesë dosjeve të shortuara dhe tre të përzgjedhura nga vetë subjekti, ka rezultuar se prokurorja Kajana tregon aftësi në interpretimin e ligjit, përballon ngarkesën dhe shfaq etikë profesionale. Sipas Bekteshit, ndaj Kajanës nuk rezulton të ketë ankesa. Ndërkohë, dy kallëzime të kryera ndaj saj në Prokurorinë e Durrësit në vitin 2018 kanë rezultuar pa prova e fakte dhe nuk ka nisur hetimi.

Bekteshi evidentoi megjithatë një vendim pushim të kryer në vitin 2014 nga prokurorja Kajana për një çështje korrupsioni. Komisioni e ka konsideruar të pa plotë hetimin e kryer nga Kajana, duke konsideruar se nuk i ka kryer gjithë veprimet e mundshme hetimore dhe se ka ndëprerë përgjimet. Bekteshi sqaroi se prokurorja Kajana ka shpjeguar se nuk mund të arrihej të provohej korrupsioni edhe pas veprimeve situmuluese dhe prandaj ishin ndërprerë hetimet.

Lidhur me këtë çështje, prokurorja Kajana ju përgjigj edhe pyetjeve të anëtarit të trupës gjykuese të KPK-së, Lulzim Hamitaj. Ajo sqaroi se duke qenë se, pas kryerjes së përgjimeve dhe metodave hetimore stimuluese nuk ishte arritur të siguroheshin prova që të vërtetohej korrupsioni dhe se për këtë arsye ishte vendosur ndërprerja e përgjimeve duke kryer veprime hetimore të hapura.

E pyetur lidhur me mos përgjimin e një personi tjetër të dyshuar, Kajana shpjegoi se këto rrethana kishin dalë kur përgjimet ishin ndaluar dhe se pas kryerjes së veprimeve hetimore të hapura ishin pyetur disa persona të dyshuar, kështu që nuk kishte më sekret në këtë çështje.

Në lidhje me përgjimet relatorja Bekteshi e pyeti Kajanën se përse ishin asgjesuar një pjesë e përgjimeve dhe një pjesë jo. Kajana shpjegoi se përgjimet ambientale ishte çmuar të mbahen, ndërsa ato telefonike janë asgjesuar me vendim gjykate pasi ishte ngarkuar serveri qendror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Verifikimi i pasurive

Sipas raportit të dorëzuar në KPK nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, prokurorja Kajana ka kryer deklarim të saktë, nuk ka pasur mungesë burimeve financiare, nuk ka kryer fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë dhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Ndërkohë, Komisioni ka kryer verifikime të mëtejshme mbi deklarimet e pasurive të prokurores Kajana.

Për apartamentin 110.11 m2 blerë në vitin 2013 në Tiranë në vlerën e 43 100 eurove, Kajana ka deklaruar si burim të krijimit të kësaj pasurie, të ardhurat nga pagat e saj e të bashkëshortit dhe pjesërisht një kredi.

Komisioni ka konstatuar se shleyrja do të kryhej në tri këste, i pari para noteres dhe dy këste të tjera në bankë. Relatorja Bekteshi u shpreh se prokurorja Kajana ka pasur të ardhura të mjaftueshme për shlyerjen e kësteve të çmimit të apartamentit.

Ndërkohë, lidhur me kursimet e bashkëshortit në vitet 2013-2014 të deklaruara si të ardhura neto nga puna si konsulent privat në vlerën e rreth 700 mijë lekëve, komisioni ka gjetur se likujdimi ishte kryer në bankë, por pa u paguar kontributet përkatëse. Bekteshi sqaroi se subjekti ka shpjeguar se bashkëshkëshorti i saj ka mësuar se nuk i ishin paguar kontributet prej punëdhënësit në janar të vitit 2019.

Sipas Bekteshit, kredia e përfituar në Bankën Kombëtare Tregtare, dega Fier nga bashkëshortët Kajana kishte qenë lehtësuesue. Relatorja sqaroi bashkëshorti i prokurores figuronte në listat e personave të pastrehë në qytetin e Fierit ku konfirmohej se jetonin prej vitit 2010. Por, nga verifikimet Komisioni ka gjetur se subjekti ka kryer një kontratë tjetër lidhur me kredinë që është shlyer në vitin 2014, si normale, pa elemente lehtësuese.

Bashkëshorti i prokuores Kajana ka rezultuar të ketë qenë bashkëpronar i një apartamenti në qytetin e Durrësit, që është shitur në vitin 2012. Komisioni ka konstatuar se ky apartament ishte përfituar nga vjehrri i prokurores Kajana në vitin 1996 nga privatizimi.

Sipas relatores Bekteshi, Komisioni vlerëson se bashkëshorti i prokurores Kajana ka pasur të drejtë të përfitonte kredi të butë, pasi zotëronte vetëm një sipërfaqe 40 m2 që ishte poshtë normave të përcaktuara në legjislacionin përkatës. “Theksojmë se kredia e butë nuk është përfituar, por paguar si kredi normale”, pohoi Bekteshi.

Komisioni ka gjetur se vjehrri i subjektit ka pasur burime të mjaftueshme financiare për pagesën e e apartamentit në Durrës. Ndërkohë, për të ardhurat e përfituara nga shitja e këtij apartamenti në vitin 2012 në vlerën 1.7 milionë lekë, prokurorja Kajana ka deklaruar se ato janë përdorur për arredimin e apertamentit në Tiranë.

Bekteshi pohoi se për blerjen e një autoveture tip “Volksëagen Passat” në shumën e 450 mijë lekëve, prokurorja Kajana ka deklaruar si burim krijimi pagat e saj e të bashkëshortit dhe të ardhurat e përfituar nga shitja e një makine tjetër në vitin 2009 në vlerën 120 mijë lekë.

Komisioni i ka vlerësuar të sakta deklarimet e prokurores Kajana dhe në përputhje me gjetjet e hetimit administrativ. Ndërkohë, nuk u evidentuan problematika në deklarimet për likujditetet. Bekteshi pohoi se subjekti ka deklaruar edhe pasuritë e vjehrrit të saj në Kavajë, tokë-arë të trashëguara nga babai i tij dhe 40 mijë lekë kursime cash me burim pensionin. Edhe këto deklarime janë gjetur të sakta prej Komisionit.

Kajana u vlerësua positivisht për pastërtinë e figurës, si prej Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ashtu edhe prej verifikimeve të KPK-së. Në fund të seancës dëgjimore, Kajana kërkoi konfirmin e saj në detyrë. KPK do të shpallë vendimin më datë 19 qershor, ora 09:15.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *