Prokurorja Natasha Prifti u përball në KPK me pyetje mbi të ardhurat e bashkëshortit

Lajme
Të ardhurat nga aktiviteti tregtar i bashkëshortit para martese dhe shpenzimet bazuar mbi këto të ardhura ishin fokusi i relatimit nga KPK në seancën dëgjimore ndaj prokurores së Lushnjës Natasha Prifti.

Prokurorja e Lushnjes Natasha Prifti (Shallapi) para seancës në KPK. Foto:LSA

KPK zhvilloi të mërkurën seancën dëgjimore ndaj prokurores së rrethit të Lushnjës Natasha Prifti (Shallapi). Trupa e kryesuar nga Roland Ilia, me anëtare Alma Faskaj dhe relatore Etleda Çiftja, vuri në dukje se nga hetimi kishin rezultuar disa pasaktësi në deklarime dhe disa vite me mungesë burimesh të ligjshme.

Siç rezultoi shumica e problemeve, për të cilat prokurores i ishin kërkuar më pas shpjegime kishin të bënin me kursimet prej 4 milion lekësh cash të deklaruara prej bashkëshortit në vitin 2013, një vit pas fillimit të bashkëjetesës. Po ashtu problem rezultonin të paktën 7 transaksione me makina nga bashkëshorti dhe disa deklarime të pasakta në vite.

Natasha Prifti (Shallapi) përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Fier u emërua prokurore në Prokurorinë e Gjirokastrës. Prej vitit 2012, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Lushnje.

Problemet me gjendjen cash

Nga analiza financiare prej Komisionit të Pavarur të Kualikimit kishte rezultuar se bashkëshorti i prokurores, i cili kishte një aktivitet tregtarë për mallra industrialë, rezultonte me mungesë burimesh të ligjshme prej 3.2 milion lekë  për vitet para fillimit të bashkëjetesës. Kjo mungesë më pas prekte kursimin e deklaruar prej 4 milion lekësh dhe investimet në pasuri të luajtshme të çiftit pas martese duke krijuar disa bilance negative.

Por siç doli në fjalën e Priftit mungesa vinte kryesisht prej llogaritjes së ndryshme të marzhit të fitimit të bërë prej Komisionit. Nga sa tha prokurorja analiza në KPK kishte llogaritur një marzh fitimi rreth 19 për qind, ndërsa një auditues privat kishte llogaritur një mesatare rreth 25 për qind. Prokurorja pretendoi se rikonsiderimi i marzhit në bazë të pretendimeve të saj justifikonte burimin e ligjshëm të pasurisë së bashkëshortit.

E pyetur nga anëtarja e trupës Faskaj se përse kishte përzgjedhur të llogariste si marzh e fitimi atë të vitit 2009, Prifti pretendoi se ai ishte sugjeruar nga eksperti si viti me dokumentacion më të plotë.  Ajo tha se në vitet 2001-2009 marzhi kishte qenë edhe më i lartë se ai që ajo pretendoi dhe shtoi si referencë normat e interesit të bankës së Shqipërisë mbi kursimet.

Nga relatimi rezultoi se çifti jetonte në një apartament me qira dhe nuk kishte pasuri të paluajtshme, por doli se bashkëshorti ishte përfshirë në një sërë shit-blerje makinash. Relatorja Çiftja tha se nga 10 raste shit-blerje makinash, tre kishin rezultuar pa probleme. Për 7 rastet e tjera ajo lexoi disa gjetje, kryesisht të fokusuara në mospagimin e tatimit mbi fitimin për rastet kur makinat ishin shitur me një çmim më të shtrenjtë nga ai i blerjes me disa muaj diferencë.

Çiftja tha se disa prej këtyre transaksioneve rëndonin analizën financiare të vitit kur ishin kryer dhe se për këtë i ishte kërkuar shpjegime subjektit.

Në fund ajo pyeti Priftin nëse bashkëshorti ishte regjistruar si tregtar makinash dhe bëri një aludim jo fort të qartë mbi perceptimin se “bashkëshorti i një prokuroreje shiste dhe blinte makina në mënyrë të shpeshtë”.  Çiftja tha në të njëjtin koment se  “çdo kush ishte i lirë të bënte aktivitetin që donte”.

Prifti tha se i shoqi nuk ishte as de fakto dhe as i regjistruar si shitës automjetesh, ndërsa pretendoi se duke qenë se shiste mjete personale ai nuk kishte pasur detyrime tatimore mbi fitimin në këto shitje. Duke iu referuar diferencës nga çmim i blerjes dhe pagesa doganore në atë të shitjes, të konsideruar fitim nga KPK,  Prifti tha se kjo ishte hipotetike dhe se nuk ishte e thënë që makinat të ishin shitur me fitim.

Sipas saj para se të shiteshin makinat kishin pasur kosto shtesë riparimesh dhe nuk mund të thuhej hipotetikisht se ato kishin rezultuar fitimprurëse. Prifiti megjithatë tha se bashkëshorti nuk kishte prova mbi shpenzimet e bëra për makinat.

Prifti pranoi në vijim disa pasaktësi sipas saj në deklarimin e pakësimit të gjendjes cash në vite. Ajo tha se në dy raste bashkëshorti kishte harruar të deklaronte pakësimin, që më pas rezultonte në bilanc negativ. Gjendja cash sipas KPK-së kishte rënë nga 4 milion në 1.3 milion në vitin e deklaratës veting, por kjo nuk ishte deklaruar e plotë në të gjitha vitet.

Prifti po ashtu pranoi deklarimin jo të saktë të pronësisë mbi një makinë që ajo kishte blerë me një kredi në vitin 2007. Prokurorja tha se gabimisht ishte deklaruar pronësia në ½ me të vëllain, por se kishte të bënte me keqkuptim mbi mënyrën se si makina do të përdorej.

Profesionalizmi dhe figura

Çiftja tha se DSIK, siç është bërë normë në seancat e këtij viti, kishte bërë dy raporte për Priftin. I pari në vitin 2017 dhe i dyti i përditësuar se fundmi. Ngjashëm me raste të tjera edhe në këtë rast DSIK kishte lëshuar një raport të parë pozitiv dhe një të dytë negativ. Megjithatë vetë DSIK pranonte në raportin e dërguar se të dhënat ishin sinjalizime dhe se nuk kishte fakte për implikim. KPK nuk duket se kishte gjetur ndonjë problem në këtë kriter edhe pse tha se i kishte kërkuar shpjegime subjektit për ato që përmendeshin në raport.

Prifti duket se u gjet pa probleme edhe në vlerësimin e profesionalizmit. KPK vuri në dukje se duke parë se kishte stilistikisht një numër të lartë mos fillimesh kishte marrë dhe shqyrtuar 12 dosje shtesë. Nga këto dosje, për dy raste ishin kërkuar shpjegime. Një në lidhje me praktikën e prokurorisë së Lushnjës për dëme më të vogla se 30 mijë lekë, për të cilat prokurorja ishte shprehur se nuk ishin vepër penale. E dyta në lidhje me marrjen në konsideratë në një rast kallëzimi vetëm të raportit mjekoligjore dhe jo të dhënave të kallëzueses se kishte qenë e shtruar për 4 ditë në spital.

Relatorja e cilësoi këtë: “Një gjë jo të qartë”. Ajo tha se Prifti kishte dhënë shpjegime që do të merreshin në konsideratë.

KPK po ashtu tha se kishte kërkuar shpjegime mbi një vendim mos fillimi duke thënë se kishte gjetur se nuk ishin kryer disa veprime hetimore të kërkuara nga gjykata. Po ashtu u theksuan dy denoncime të përsëritura ndaj saj dhe disa subjekteve të tjera. KPK nuk tha nëse ishin gjetur prova në këto raste, por se ishin kërkuar shpjegime.

Vetë Prifti nuk foli për këto kritere. Ajo tha se konsideronte të mjaftueshme shpjegimet e dhëna dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Seanca u caktua më 28 maj në orën 9.45.