Prokurorja Rovena Gashi dështon në testin e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të mërkurën nga detyra prokuroren e Prokurorisë së Përgjithshme Rovena Gashi, e cila është aktualisht e pezulluar dhe nën hetim për fshehje pasurie.

Rovena Gashi | Printscreen nga emision i ‘Opinion’ në TV Klan

Rovena Gashi i drejtoi 14 kërkesa procedurale Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, një ONM-së dhe një Gjykatës së Strasburgut, në një përpjekje të dëshpëruar për të zvarritur procesin e vetingut, por të gjitha këto përçapje nuk e ndaluan procesin e rivlerësimit dhe të mërkurën në mëngjes trupa gjykuese e përbërë Genta Tafa Bungo, Luan Hamiti dhe Pamela Qirko vendosi shkarkimin e saj nga detyra.

Rovena Gashi e ka filluar karrierën në Prokurori në vitin 2004. Ajo ka punuar si prokurore në Tiranë nga viti 2004 deri në vitin 2013, kur u emërua në krye të Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Gashi e mbajti këtë detyrë deri në fund të dhjetorit 2017, kur kryeprokurorja e re Arta Marku e uli në detyrë.

Ndërsa në maj 2018, Prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj saj dhe bashkëshortit Dritan Gina, të cilët po hetohen për pasurinë e tyre, ndërkohë që Marku i pezulloi të dy nga detyra. Çifti i prokurorëve Gashi-Gina iu drejtuan Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të kontestuar vendimin e pezullimit të tyre nga kryeprokurorja e përkohshme, Marku, por kjo kërkesë u rrëzua nga Kolegji.

Si pjesë e hetimit administrativ të pasurisë së subjetit, KPK ka administruar raportin e Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Konfiltit të Interesit, ILDKPKI, sipas të cilit deklarimi i pasurisë së subjektit nuk është i saktë, ka mungesë burimesh financiare, ka kryer deklarim të rremë, por nuk ka fshehje pasurie apo konflikt interesi.

Pas një hetimi të thelluar dhe të pavarur administrativ mbi pasuritë e Gashit, KPK ka arritur në të njëjtin përfundim me ILDKPKI-në, çfarë ka sjellë dhe shkarkimin e Gashit nga detyra.