Seanca e KPK për rivlerësimit e prokurorit Blerim Tominaj | Foto : Edmon Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Pronat e prokurorit Blerim Tominaj, KPK identifikon mungesë burimesh në vlera të mëdha

Gjatë seancës dëgjimore KPK ngriti dyshime se subjekti kishte mungesë burimesh të ligjshme financiare për dy lokale, dy apartamente, si dhe depozita bankare në vlerë mijëra euro.

Seanca e KPK për rivlerësimit e prokurorit Blerim Tominaj | Foto : Edmon Hoxhaj

Prokurori Blerim Tominaj, i cili punon aktualisht në Prokurorinë e Tiranës, zgjodhi të mos paraqitej të premten në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK.

Tominaj u përfaqësua  në seancë nga avokati Adriatik Camaj, ish-prokuror në Prokurorinë e Tiranës dhe një prej ish-kandidatëve për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i shkarkuar nga detyra me vendim të formës së prerë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më 18 shkurt 2019, pasi u identifikuan probleme për pasurinë dhe dyshime për korrupsion.

Trupa gjykuese që po kryen rivlerësimin e prokurorit Blerim Tominaj përbëhet nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Etleda Çiftja anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Blerim Tominaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi për më shumë se një dekadë si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2014, ai u emërua zv.drejtues i ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe vazhdoi të punonte atje deri në shkrirjen e saj, në dhjetor 2019. Aktualisht, Tominaj është komanduar si prokuror në Prokurorinë e Tiranës.

KPK e ka përfunduar hetimin administrativ për prokurorin Tominaj vetëm për kriterin e pasurisë.

Më herët Tominaj kishte kërkuar riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjerë, atë të profesionalizmit dhe të pastërtisë së figurës, por kjo kërkesë është rrëzuar nga Komisioni.

“Duke parë që subjekti ka gjetur çdo lloj prove dhe pse ishte në kushte objektive për të mos i gjetur për shkak të pandemisë COVID-19, e mendoj jo të drejtë e të bazuar në ligj këtë vendim”, tha avokati Cama dhe shtoi se shkelej parimi i barazisë së armëve.

Për shkak të rrëzimit të kërkesës për riçelje të hetimit, avokati Cama dorëzoi një kërkesë të Tominajt për përjashtim të trupës gjykuese. Kjo e fundit u tërhoq deri në orën 16:00, kur ndërkohë një tjetër trupë gjykoi dhe vendosi për rrëzimin e kërkesës së dorëzuar të premten për përjashtim.

Me rifillimin e seancës dëgjimore, relatorja Suela Shegu shpjegoi se KPK ka hetuar në të tri kriteret dhe se Tominajt i është kaluar barra e provës vetëm për kriterin e pasurisë.

Sipas Zhegut, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka identifikuar mungesë të dokumentacionit për pasuritë e trashëguara nga i ati dhe pasaktësi në deklarime.

Dyshime mbi pronat e trashëguara

Tominaj ka deklaruar se në vitin 2012, ka përfituar një lokal 179 m2 në Durrës në vlerën 170 mijë euro si trashëgimtar nga testamentI i babait të ndjerë. Sipas Komisionit, Tominaj nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor burimin e krijimit të këtij lokali nga prindërit e tij. Nga hetimi administrativ ka rezultuar e justifikuar me dokumentacion vetëm një vlerë 1.2 milionë.

Zhegu tha se nuk qëndronte deklarimi i Tominajt se babai kishte paguar vetëm 70 mijë euro për këtë lokal pasi pjesa tjetër ishte shlyer nga shitësi i parë, për shkak se nuk është gjetur ndonjë pagesë e kryer prej të ndjerit.

Në përfundim, Komisioni konkludon se nuk përputhen deklarimet e Tominajt për çmimin e këtij lokali; nuk provohen pagesat e kryera nga babai i tij dhe se prindërit nuk kanë pasur burime të ligjshme për këtë investim.

“Ka dyshime se ky lokal është blerë nga vetë subjekti i vlerësimit i cili ka dhënë shpjegime që do të shqyrtohen para vendimmarrjes përfundimtare”, tha relatorja Zhegu.

Për një apartament me sipërfaqe 55 m2 në plazhin e Durrësit, në vlerën rreth 25 mijë euro, Tominaj ka deklaruar se e ka përfituar po nga testamenti si trashëgimtar. Sipas Zhegut, Tominaj ka deklaruar se apartamenti është investuar prej motrës së tij në vitin 2004 dhe se është blerë në shumën 22 mijë euro.

Komisioni ka gjetur se nuk janë kryer pagesa në favor të shoqërisë ndërtuese dhe se nuk provohet me dokumentacion ligjor financimi i kryer prej motrës së Tominajt për apartamentin në Durrës.

Mungesë burimesh edhe për pronat e tjera

Për një lokal 75 m2 në Tiranë të blerë në vitin 2011 në vlerën 140 mijë euro, Tominaj ka deklaruar si burim krijimi kursime dhe një hua nga kunati në vlerën 100 mijë euro, pa interes dhe me afat dhjetë vjeçar. Komisioni konstaton se prokurori Tominaj nuk ka pasqyruar në deklaratën veting një hua tjetër në vlerën 8 mijë euro, pa interes dhe pa afat të marrë nga një biznesmen.

Zhegu tha se gjatë shpjegimeve të dhëna para Komisionit Tominaj ka pohuar se veç dy huave, ka pasur të kursyera edhe 32 mijë euro nga të ardhurat familjare të cilat i ka përdorur për blerjen e lokalit 75 m2.

Komisioni konstaton se Tominaj nuk ka dorëzuar asnjë dokument provues për marrjen e huasë 100 mijë euro, veç deklaratës noteriale të kunatit të tij. Sipas Zhegut, Tominaj ka shpjeguar fillimisht se e ka marrë huanë, ndërsa më pas ka deklaruar se pagesat janë kryer nga kunati.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se personi që i ka shitur lokalin Tominajt në Tiranë, e kishte blerë 9 ditë më parë në vlerën 150 mijë euro, 10 mijë euro më shumë.

Ka rezultuar se shitësi e ka blerë këtë lokal nga një shoqëri që, në përgjigjen e kthyer Komisionit, ka shpjeguar se nuk ka dokumente por gjithashtu nuk ka pretendime për këtë pronë.

KPK ka hetuar edhe lidhur me burimin e huasë 100 mijë euro prej nga ka rezultuar se kunati i Tominajt ka qenë aksioner në disa shoqëri dhe ka kryer transaksione në vlera të mëdha. Sipas Zhegut, ditën që ai ka transferuar pagesën e dyqanit, ka marrë një kredi në vlerën 144 mijë euro për blerje apartamenti.

Nga të ardhurat e përfituara nga dhënia me qira e këtij lokali, Komisioni ka përfshirë në analizën financiare vetëm vlerat për disa muaj në periudhën 2015-2016, kur rezulton të jetë paguar tatimi mbi qiranë.

Komisioni identifikon mungesë të krusimeve cash për vitet 2005-2006 dhe një balancë negative në vlerën totale 10.2 milionë lekë për blerjen e lokalit në Tiranë. Gjithashtu, është konstatuar se pagesat janë kryer në favor të shoqërisë dhe jo të personit që ia ka shitur dyqanin Tominajt.

Një apartament me sipërfaqe 164 m2 në Tiranë, i blerë në shkurt të vitit 2007 në vlerën 2 milionë lekë,  Tominaj e ka deklaruar si adresë banimi që prej vitit 2003, duke e pasqyruar si shtëpinë e motrës së tij. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se motra e ka blerë këtë pasuri në vitin 2000në vlerën 2.6 milionë lekë.

Komisioni identifikoi mospërputhje në pasqyrimin e burimeve në deklaratën periodike me ato të deklaruara gjatë hetimit administrativ.

Zhegu tha se, fillimisht, Tominaj ka deklaruar si burim kursime familjare, kurse kur është pyetur nga Komisioni ka shpjeguar se 1 milion lekë kanë qenë të prejardhura nga shitja e një apartamenti tjetër ndërsa pjesa tjetër kursime.

Komisioni konstaton pamundësi të burimeve të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie, pasi është gjetur një balancë negative në vlerën -3 milionë lekë në vitet paraardhëse kur është pretenduar prej subjektit të jenë krijuar kursimet.

Në seancë dëgjimore u relatua edhe blerja e kuotave të një shoqërie farmaceutike në vlerën 90 mijë euro nga nëna e prokurorit Tominaj. Sipas Zhegut, subjekti ka shpjeguar se këto kuota janë blerë prej mbesës së tij që është sipërmarrëse dhe se nuk ka pasur dijeni më parë.

Komisioni konstaton mungesë dokumentacioni për shkollimin e vajzës në një kolegj jo publik në Shqipëri dhe në Itali dhe mungesë burimesh të ligjshme për krijimin e dy depozitave bankare, një në vlerën 10 mijë euro dhe tjetrën 9500 euro.

Në fund të seancës dëgjimore, avokati Cama nuk parashtroi shpjegime lidhur me gjetjet e KPK, por tha se u qëndronin atyre që kishin dorëzuar.

“Subjekti ka dorëzuar shpjegime dhe prova që rrëzojnë gjetjet si të pavërteta e të pabazuara. Presim një vlerësim të saktë e në logjikë të provave”, tha avokati Cama duke kërkuar konfirmimin në detyrë të Tominajt.

KPK do të shpallë vendimin më datë 16 qershor, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *