Provat bindin Komisionerin, kërkon në Kolegj konfirmimin e Nertina Kosovës
Lajme

Provat bindin Komisionerin, kërkon në Kolegj konfirmimin e Nertina Kosovës

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit lënien në fuqi të konfirmimit të gjyqtares së Krimeve të Rënda, Nertina Kosova pasi është provuar burimi i ligjshëm i pasurisë, ndërsa i qëndroi argumentit për ta konsideruar babanë e saj person të lidhur.

Gjyqtarja Nertina Kosova në KPA | Foto nga : LSA

Seanca e konkluzioneve për gjyqtaren Nertina Kosova shënoi një kthesë të papritur mëngjesin e së hënës, pasi Komisioneri Publik deklaroi se subjekti kishte provuar burimin e ligjshëm të pasurisë dhe i kërkoi Kolegjit të linte në fuqi vendimin e konfirmimit të saj në detyrë.

Komisioneri Florian Ballhysa shtoi megjithatë se duhej ndryshuar arsyetimi i vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke përfshirë babanë e gjyqtares së Krimeve të Rënda si person të lidhur.

“Në vlerësimin tërësor të të gjithë provave të administruara gjatë shqyrtimit dhe hetimit gjyqësor të kësaj çështjeje, i kërkon këtij trupi gjykues lënien në fuqi me një tjetër arsyetim të vendimit nr. 43, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Nertina Kosova,” tha në seancë Komisioneri Publik.

Në qëndrimin e saj, gjyqtarja Kosova falenderoi Komisionerin që i cilësoi provat e paraqitura prej saj të plota, ndërsa mbajti të njëjtin qëndrim mbi ankimin si në fillim të procesit.

Kosova e kaloi me sukses fazën e parë të vetingut më 18 korrik 2018, por u përball më pas me një ankim të Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili pretendoi se hetimi i KPK-së në kriterin e pasurisë nuk ishte i plotë.

Por në parashtrimet e tij para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ballhysa pranoi se gjyqtarja Kosova dhe familja e saj kishin provuar ligjshmërinë e të ardhurave të tyre. Duke renditur shkaqet e ankimimit, Komisioneri tha se ishte vërtetuar nga ana e Kosovës kursimi i një pjese të bursës së përfituar nga Italia.

Po ashtu ai pranoi se ishte provuar që transferta bankare e bërë prej vëllait të gjyqtares ishte kryer në funksion të punës së këtij të fundit për një kompani dhe se nuk ndikonte në “vlerësimin e kriterit të pasurisë” së gjyqtares.

Ngjashëm Komisioneri arsyetoi mbi një hua të marrë nga babai i Kosovës. “Për Komisionerin Publik, aktet e administruara provojnë se nuk ka ndonjë indicie apo rrethanë faktike që të përfshijë, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, subjektin e rivlerësimit në këtë marrëdhënie huaje,” tha Komisioneri.

Në favor të gjyqtares ishte edhe arsyetimi mbi disa lëvizje në llogaritë bankare të babait të Kosovës, që nuk ishin deklaruar më herët. Komisioneri tha se shpjegimet e dhëna për këto lëvizje provonin se paratë vinin nga burime të ligjshme. Ndërsa tha se përderi sa nuk kishte “rrethana dhe dyshime mbi ligjshmërinë”, pasaktësive në deklarime nuk mund t’u jepej peshë dhe ato nuk justifikonin marrjen e një mase disiplinore.

Megjithatë ai këmbënguli që në arsyetimin e vendimit të përfshiheshin provat e reja të marra në Kolegj dhe babai si person i lidhur. Komisioneri tha se kërkimi i tij kishte ndihmuar në plotësimin e mangësive, që u vunë re në hetimin e KPK-së.

“Ky hetim në rastin konkret ishte i domosdoshëm, si përsa i takon subjektit të rivlerësimit, ashtu edhe personave të lidhur/të tjerë të lidhur me të, me qëllim krijimin e bindjes mbi besueshmërinë, në vlerësimin e këtij kriteri,” tha Komisioneri.

Gjyqtarja Kosova vlerësoi qëndrimin përfundimtar të Komisionerit, i cili pranoi provat e sjella prej saj si plotësuese, ndërsa mbajti në parashtrimin e saj qëndrime të ngjashme kryesisht sa i përket kundërshtimit të konsiderimit të vëllait dhe babait si persona tjerë të lidhur.

Kosova po ashtu tha se provat e sjella prej saj kishin përmbushur kërkesën për një hetim të thelluar, që sipas saj kishte provuar burimin e ligjshëm të të ardhurave.

KPA do të shpallë vendimin për gjyqtaren Kosova më 26 korrik në orën 9.00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *