Monitori i vendosur në korridorin e KPA-së, për të ndjekuar seancat gjyqësore
Korrupsioni KPA Lajme Në Fokus

Provat e reja shtyjnë seancën e prokurores Manjola Kajana në KPA

Pas rikthimit nga gjykata të Luan Dacit në detyrë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit rinisi shqyrtimin e çështjes së Manjola Kajanës, kandidate për në SPAK.  

Monitori i vendosur në korridorin e KPA-së, prej nga u ndoq seanca ndaj prokurores Manjola Kajana.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të martën të shtyjë seancën për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik ndaj prokurores Manjola Kajana, për t’u dhënë kohë palëve të njihen me dokumentet e mbërritura nga institucionet, që u kërkuan në seancën paradhëse.

Seanca ndaj Kajanës u zhvillua pa praninë e mediave për shkak të masave kundër COVID-19, ndërkohë që gazetarët e ndoqën atë përmes një monitori të vendosur në korridorin e Kolegjit.

Trupi gjykues i Kolegjit që po shqyton çështjen e prokurores Kajana arriti të mblidhej vetëm pasi Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi masën e pezullimit për gjyqtarin Luan Daci dhe e riktheu atë në detyrë. Daci është në rolin e relatorit në trupën gjykuese që drejtohet nga Natasha Mulaj dhe me anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Ardian Hajdari.

Pas çeljes së hetimit gjyqësor dhe lejimit të administrimit të provave të paraqitura nga prokurorja Kajana më 6 mars, KPA u kërkoi disa institucioneve që të dërgonin dokumentacion lidhur me shkaqet e ngritura nga Komisioneri Publik.

Kolegji kërkoi atëherë administrimin e një dosjeje gjyqësore pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier lidhur me hetimin dhe gjykimin e zyrtarëve të Bashkisë Fier për abuzimin me kreditë e buta; informacion pranë Prokurorisë së Përgjithshme nëse prokurorja Kajana ka hetuar ose jo Bankën Kombëtare Tregëtare ku ka përfituar një kredi bankare në 2014-ën; gjithë praktikën e aplikimit të bashkëshortit si i pastrehë në Bashkinë e Fierit; si dhe dokumentacion nga Tatimet për tatimin e pagës së bashkëshortit, kur ka punuar si jurist në një shoqëri private. Së bashku me aktet, palëve u janë vënë në dispozicion edhe dy denoncime nga publiku të mbërritura në KPA.

Kajana është përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Ajo mund të emërohet pranë SPAK nëse arrin të kalojë me sukses edhe shkallën e dytë të vetingut.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi kohë për t’u njohur me aktet e administruara, pasi i ishin vënë në dispozicion pasditen e të hënës. Po ashtu, edhe përfaqësuesja e prokurores Kajana, avokatja Romina Zano kërkoi kohë për t’u njohur me aktet.

Me një vendim të ndërmjetëm KPA vendosi të shtyjë seancën për paraqitjen e parashtrimeve dhe të konkluzioneve përfundimtare më datë 23 qershor ora 11:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *