Prokurori i Prokurorisë së Tiranes, Dritan Rreshka, duke dale nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA
Analiza Artikull kryesor Analiza KPA Në Fokus

Pse e rrëzoi Kolegji ankimin e ish-kreut të Prokurorisë së Tiranës

Kolegjit i Posaçëm i Apelimit e hodhi poshtë ankimin e prokurorit Dritan Rreshka duke konfirmuar vendimin e KPK-së për shkarkimin e tij nga detyra, pasi arriti në konkluzionin se subjekti kishte bërë deklarim të rremë, ka fshehur pasurinë dhe ka mungese burimesh financiare.  

Prokurori i Prokurorisë së Tiranes, Dritan Rreshka, duke dale nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit hodhi poshtë në dhomë këshillimi ankimin e ish-prokurorit Dritan Rreshka kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e tij nga detyra.

Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit erdhi pasi shqyrtoi në tërësi pretendimet dhe kërkimet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit dhe arriti në përfundimin se Rreshka ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë, në kuptim të nenit 61 pika 3 të ligjit nr.84/2016 ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.’

“Në përfundim të shqyrtimit të ankimit të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit Dritan Rreshka, Kolegji pasi ka shqyrtuar të gjitha shkaqet e ankimit të parashtruara më sipër e të konsideruara relevante për zgjidhjen e çështjes, arrin në konkluzionin se edhe sikur të konsideroheshin të drejta të gjitha pretendimet e tjera të subjektit të rivlerësimit, nuk do të cenonin qëndrimet e Kolegjit të mbajtura në pjesën arsyetuese të këtij vendimi, qëndrime të cilat në mënyrë të pashmangshme plotësojnë kushtet e shkeljes së ligjit, të cilat përcaktojnë si sanksion shkarkimin e subjektit të rivlerësimit nga detyra,” shprehet Kolegji në vendimin e zbardhur.

Trupi gjykues i Kolegjit përbëhej nga gjyqtarja Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo anëtarë.

Dritan Rreshka ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe e ka filluar karrierën në organin e akuzës në vitin 2003 si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Më vonë, ai ka mbajtur pozicionin e drejtuesit të njësisë hetimore kundër krimit ekonomik-financiar dhe korrupsionit në të njëjtën Prokurori.

Në fillim të janarit 2018, Dritan Rreshka u ngjit në krye të Prokurorisë së Tiranës si drejtues i komanduar nga Arta Marku, duke zëvendësuar në këtë post Petrit Fushën. Paralelisht me funksionin si prokuror, Rreshka është përfshirë edhe në mësimdhënie apo si ekspert në çështjet e hetimit të krimit financiar.

Rreshka është shortuar si pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Pas përfundimit të procesit të rivlerësimit dhe mbajtjes së seancës dëgjimore, me 31 Korrik 2017, Komisioni i Pavarur të Kualifikimit ka vendosur për shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.  Vendimi i KPK-së është bazuar vetëm në kriterin e kontrollit të pasurisë.

Në lidhje me këtë kriter, KPK ka konstatuar se subjekti ka bërë deklarim të rremë, të pasaktë dhe fshehje pasurie në lidhje më një ndërtesë 5-katëshe më sipërfaqe 740 m2 të ndërtuar në Tiranë.  Subjekti ka bërë deklarim të rremë për një kredi në kushte lehtësuese dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare për gjendjen e llogarisë rrjedhëse në bankën BKT me vlerë 1.9 milionë lekë, si dhe ka mungesë burimesh financiare dhe ka bërë kontratë fiktive në lidhje me blerjen e një apartamenti në vitin 2011 në Tiranë. Sipas KPK-së subjekti nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm e të ardhurave nga qiraja për financimin e blerjes së 7.9 milionë lekë obligacione. KPK gjithashtu ka ngritur dyshime mbi burimet financiare për krijimin e një kompanie në pronësi të vëllait të subjektit dhe një depozitë bankare në emër të mamasë së prokurorit, të cilët i ka cilësuar si persona të lidhur.

Rreshka ka paraqitur ankimin në Kolegj kundër gjetjeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për kriterin e pasurisë, për përfundimin e procesit të rivlerësimit vetëm për këtë kriter, për bazën ligjore të aplikuar nga KPK, si dhe për dhënien e vlerës provuese raportit të ILDKPKI-së, për të cilin subjekti pretendon se është hartuar nga persona në konflikt interesi.

Në mbështetje të shkaqeve të ankimit dhe të pretendimeve të tij, subjekti i rivlerësimit ka paraqitur një sërë provash të reja, për të cilat ai ka kërkuar të shqyrtohen prej trupit gjykues në këtë gjykim, pasi sipas tij ato provojnë pretendimet e tij rreth pabazueshmërisë së vendimit të Komisionit.  Gjithashtu, pas paraqitjes së ankimit rezulton se subjekti ka paraqitur në vazhdimësi në Kolegj, akte të tjera me cilësinë e provave të reja.

Këto prova nuk janë marrë parasysh nga Kolegji, pasi nuk janë paraqitur gjatë fazës së hetimit administrativ, siç e parashikon ligji dhe subjekti nuk i ka mbështetur mbi fakte që të provonin se ka pasur pamundësi t’i paraqiste gjatë kësaj faze.

Pas shqyrtimit në detaje të ankimit, Kolegji ka rrëzuar disa nga gjetjet e KPK-së për sa i përket përcaktimit të mamasë dhe vëllait të subjektit si persona të lidhur që duhet të justifikojnë në tërësi pasurinë e tyre, si dhe mungesën e burimeve të ligjshme për blerjen e obligacioneve. Ndërkohë, Kolegji ka konfirmuar në tërësinë e tyre pjesën më të madhe të përfundimeve të KPK-së për kriterin e pasurisë së subjektit duke lënë në fuqi shkarkimin e tij nga detyra.

Sipas Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPK ka pasur të drejtë për sa i përket disponimit të tij se subjekti ka kryer fshehje të pasurisë apartament ndodhur në katin e fundit të banesës 5 katëshe në Tiranë, nëpërmjet mosdeklarimit të saj në deklaratat periodike të viteve 2012, 2013, 2014, 2015 dhe 2016 dhe në deklaratën e pasurisë ‘vetting’ – pasuri e cila referuar të dhënave të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, ka qenë e regjistruar si pronë në emër të Dritan Rreshkës të paktën që nga data 15 mars 2012. Sipas Kolegji Rreshka ka bërë deklarim të rremë në lidhjen me koston dhe vlerën e shtëpisë 5 katëshe në Tiranë, duke deklaruar kosto të ndryshme gjatë hetimit administrativ në krahasim me kostot e raportuara në deklaratën ‘vetting’ dhe ato periodike të subjektit për pjesën e tij takuese në këtë pasuri.

“Nga analiza financiare e kryer në Kolegj me ndihmën e Njësisë së Shërbimit Ligjor, rezulton se subjekti i rivlerësimit gjendet në pamundësi për të justifikuar me burime të ligjshme të ardhurat e përdorura për të përballuar shpenzimet për jetesë dhe ndërtimin e banesës, në të dyja periudhat kohore të pretenduara prej tij,” shprehet Kolegji.

“Në këto kushte, Kolegji çmon se me të drejtë Komisioni ka konkluduar që subjekti gjendet në situatën e parashikuar prej nenit 33, pika 5, germa “b” e ligjit nr. 84/2016,” shton KPA.

Sipas Kolegji të Posaçëm të Apelimit subjekti nuk justifikon me burime të ligjshme as likuiditetet me vlerë 1.9 milion lekë në bankën BKT dhe ka dështuar të provonte se veprimet juridike të kryera për krijimin e kësaj pasurie, janë realizuar në përputhje me ligjin dhe qëllimin e tij.

“Trupi gjykues, pasi shqyrtoi shkaqet e tjera të ankimit të subjektit të rivlerësimit, arriti në konkluzionin se ato nuk gjenden të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit,” përfundon Kolegji.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *