Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Raporti: Vetingu transparent, i drejtë, por shumë i ngadaltë

Një raport monitorimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit gjeti se procesi i rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve duhej të bëhej më shpejt për të mos futur në kolaps sistemin e drejtësisë. Raporti gjithashtu vlerëson pozitivisht transparencën e KPK-së dhe i cilësoi proceset e mbajtura deri tani si të drejta.

Nga një seancë e mëparshme e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Besar Likmeta/BIRN

Një raport monitorimi mbi procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjeti se trupat e komisionerëve që po kryejnë shqyrtimin  duhet dhe kanë mundësi të punojnë më shpejt, pa ndikuar në  cilësinë e gjykimit.

Raporti i publikuar të mërkurën nga Komiteti Shqiptar i Helsinikit, KSHH, pas një monitorimi 8 mujor, gjeti se ngadalësia me të cilën po aplikohet reforma kishte shkaktuar një sërë problemesh në sistemin e drejtësisë, ndërsa këshillon se trupat gjykuese duhet të shpejtonin për të mos krijuar bllokim të sistemit të drejtësisë.

“Ritmi me të cilën po kryhen seancat në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit mund të konsiderohet i ngadaltë, krahasimisht me numrin total të anëtarëve të KPK-së, gjë që u mundëson ngritjen e katër trupave gjyqësore”, thuhet në raportin  “Vetingu nën vëzhgimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit”. Raporti shprehet se reforma nuk duhet të kthehet në pengesë të aksesit të qytetarëve te drejtësia.

Procesi i vetingut, apo rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve filloi konkretisht me seanca dëgjimore në fund të muajit mars, dhe deri tani janë shqyrtuar dosjet për 7 gjykatës dhe prokurorë, prej të cilëve 5 janë larguar nga sistemi. Ndërkohë më herët disa anëtarë të sistemit të drejtësië përfshi Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhanë dorheqjen duke iu shmangur procesit.

Megjithatë sipas KSHH-së ritmi është i ngadaltë. Raporti  këshillon shqyrtim më të shpejtë të dosjeve të gjykatësve dhe prokurorëve që kanë dalë pa probleme nga hetimi administrativ, gjë që sipas KSHH-së do të ndihmonte në lehtësimin e krizës së funksionimit të sistemit të drejtësisë.

KSHH thotë se kjo do të krijonte mundësitë e plotësimit të vakancave, që kanë ardhur si pasojë e reformës në drejtësi. Sipas raportit vonesa në kryerjen e kësaj të fundit dhe kryesisht ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësorë ka shkaktuar probleme, ndërsa ende nuk janë ngritur një sërë institucionesh, gjë që pengon vijimin normal të punës.

“Vonesat në ngritjen e këtyre këshillave kanë sjellë bllokim në plotësimin e vendeve vakante në Gjykatëne Lartë, caktimin e një Prokurori të Përgjithshëm me mandat të plotë, po ashtu edhe ngritjen në kohë të institucioneve speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në raport.

Raporti nga ana tjetër vlerësoi pozitivisht transparencën me të cilën po kryhen seancat dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe po ashtu cilësoi proceset e bëra deri tani aty si të drejta, megjithatë për dy raste raporti thotë se trupa gjykuese mund të kishte vepruar ndryshe.

Raporti thotë se ishte po ashtu jo shumë e qartë se si trupat gjykuese vlerësonin bashkëpunimin e subjektit të gjykimit gjatë procesit të hetimit administrativ, duke thënë se kjo duhej të shpjegohej më mirë. “Po ashtu është e paqartë, bazuar mbi praktikën e deri tanishme të KPK-së se kur subjekti i rivlerësimit cilësohet jo bashkëpunues”, thuhet në raport.

KSHH është ndërkohë kritike me institucionet ndihmëse. Sipas raportit DSIK dhe ILDKPKI nuk kishin treguar të njëjtën transparencë si KPK-ja.

Në gjetjet e raportit po ashtu është shënuar fakti se numri i subjekteve të vetingut që kanë plotësuar deklarimet për Këshillin e Lartë të Drejtësisë për vlerësim profesional dhe DSIK për vlerësim të figurës është më i madh se numri i atyre që kanë plotësuar deklarim në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit. Deklarimi i pasurive ka rezultuar deri tani pika më e dobët e gjykatësve dhe prokurorëve dhe motivi kryesore i largimit të tyre nga sistemi pas hetimit administrativ.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *