Rasti Medja, KPA përcakton detajet e vlerësimit të profesionalizmit

Analiza dhe Opinione
Shumica në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vlerësoi pozitivisht aftësitë profesionale të gjyqtarit Gentian Medja, ndërsa bashkëlidhur vendimit u miratuan edhe rekomandime për KPK-në mbi vlerësimin e profesionalizmit. Në pakicë, Natasha Mulaj kërkoi shkarkimin e gjyqtarit.

Gjyqtari Gentian Medja në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 30 korrik 2018. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Shumica në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vlerësoi pozitivisht aftësitë profesionale të gjyqtarit të Gjykatës Administrative Gentian Medja, ndërsa bashkëlidhur vendimit u miratuan edhe rekomandime për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit mbi mënyrën se si duhej të bëhej vlerësimi i aftësive profesionale të magjistratëve.

Medja i cili u konfirmua me shumicë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, u apelua nga Komisioneri Publik edhe kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ashtu si Xhesila Pine, anëtarja në pakicë e trupës së KPK që shqyrtoi çështjen e Medjas, Komisioneri arsyetonte se gjyqtari nuk kishte arritur nivel të mjaftueshëm në kriterin e profesionalizmit dhe se KPA duhej ta rivlerësonte sërish për këtë kriter.

KPA, pasi mori në shqyrtim çështjen dhe kërkesën e Komisionerit Publik që bashkë me këtë çështje të miratonte edhe një format të detajuar të mënyrës se si duhej të bëhej vlerësimi i aftësive profesionale nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi me shumicë se Medja ishte “i aftë”. Katër anëtarë të trupës, relatori Luan Daci dhe anëtarët, Ina Rama, Sokol Çomo, Ardian Hajdari, vlerësuan se Medja ishte i “aftë për të gjykuar”, ndërsa rrëzuan pretendimet se ai kishte probleme të organizimit të punës dhe vonesa në shqyrtimin e çështjeve.

Në pakicë, kryesuesja Natasha Mulaj arsyetoi se Medja duhej të shkarkohej dhe se ai nuk kalonte në kriterin e profesionalizmit. Mulaj arsyeton se “ka mangësi të dukshme dhe të përsëritura në afatet për gjykimin e çështjeve, referencë ligjore të gabuar dhe shumë parregullsi në veprimet përgatitore”.

Vlerësimi për Medjan

Vlerësimi për Medjan u bë kryesisht sipas një tabele të përgatitur nga Komisioneri Publik, i cili pasi mori në shqyrtim edhe një sërë burimesh të tjera, përfshi informacion nga kryetari i Gjykatës Adminisgtrative ku punonte Medja dhe nga Shkolla e Magjistraturës e vlerësoi atë pozitivisht.

Në vendimin e arsyetuar KPA shprehet se problemet që pretendohej se i ishin gjetur gjyqtarit, që kryesisht lidheshin me vonesat në gjykimin e çështjeve, justifikoheshin me ngarkesën në punë. “Nuk rezulton të ketë gjykuar asnjë prej çështjeve jashtë afatit 1-vjeçar, rrethanë e cila vlerësohet proporcionalisht në raport edhe me treguesit e tjerë brenda kriterit të aftësive organizative”, thuhet në arsyetimin e shumicës.

Po ashtu pretendimi i citimit gabim të referencave ligjore u rrëzua, pasi sipas shumicës gjyqtari kishte të drejtë të ndryshonte referencën ligjore të padisë, në rast se gjykonte që paditësi kishte bërë gabim apo ishte referuar gabim. “Sqaron kuptimin e normave që zbaton, duke demonstruar aftësi të përgjithshme për të interpretuar ligjin”, arsyeton shumica.

Kolegji në fund arsyeton në favor të Medjas duke arritur në përfundime pozitive të profesionalizmit të tij. “Ka aftësi për të gjykuar; ka aftësi të pranueshme organizative, të cilat nuk kanë rezultuar në mosrespektim të të drejtave të palëve apo mungesë jo të pranueshme eficence ose efektiviteti; e ka zhvilluar veprimtarinë gjyqësore në përputhje me etikën dhe angazhimin ndaj vlerave gjyqësore dhe ka demonstruar cilësi personale dhe angazhim profesional, në përputhje me standardet e parashikuara në ligj”, shprehet shumica.

Nga ana e saj në pakicë Mulaj pretendon të kundërtën. “Në qoftë se u referohemi fakteve që janë konstatuar në Komision dhe në Kolegj, të pretenduara edhe nga Komisioneri në ankimin e tij, kanë rezultuar mangësi të theksuara në mënyrë të përsëritur nga ana e subjektit, në respektimin e afateve të thirrjes së palëve për seancat përgatitore”, shprehet ajo.

Mulaj shpjegon se përkundër arsyetimit të shumicës faktet e marra në shqyrtim provojnë se Medja nuk ishte i aftë profesionalisht. “Gentian Medja ka mangësi të dukshme dhe të përsëritura në afatet për gjykimin e çështjeve, referencë ligjore të gabuar dhe shumë parregullsi në veprimet përgatitore, të cilat cenojnë haptazi zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor dhe cenojnë shumë figurën e magjistratit”, shprehet Mulaj.

Rekomandimi për Komisionin

Veç arsyetimit për rastin konkret me kërkesë të Komisionerit Publik dhe për faktin që KPA kishte për herë të parë një çështje të ngjashme, Kolegji arsyeton se ishte e nevojshme të shprehej edhe për mënyrën se si duhej të bëhej në vijim vlerësimi i profesionalizmit.

“Trupi gjykues i Kolegjit çmon të nevojshme që, nëpërmjet arsyetimit të plotë të vendimit që lidhet me këtë çështje, të japë edhe orientimet e tij në lidhje me kryerjen e procesit të rivlerësimit, për sa i përket kriterit të aftësive profesionale”, thuhet në vendimin e Kolegjit.

Aty rekomandohet që KPK të bëjë vlerësimin në “analogji me vlerësimin e aftësive profesionale të realizuar për subjektin e rivlerësimit Gentian Medja, sipas arsyetimit të mësipërm”.

Më tej arsyetimi shkon në detaje për mënyrat të vlerësimit. Përndryshe nga vlersimi i pasurive dhe problemeve me figurën ku vendimet janë më të qarta, KPA lë të kuptohet se në vlerësimin e profesionalizmit duheshin mbajtur parasysh një sërë kriteresh. Kolegji orienton që në këtë pikë të konsiderohen të rëndësishme ankimet dhe denoncimet nga publiku, ndërsa orienton Komisionin që të mos kapet në opinione ligjore që mund të konsiderohen thjeshtë “të pasakta”.

“Është shumë e rëndësishme që vlerësimi negativ të bëhet vetëm në rastet e gabimeve thelbësore dhe serioze dhe/ose kur ekziston një seri e qartë dhe e vazhdueshme e gjykimeve të gabuara, që tregojnë mungesë të aftësive profesionale”, thuhet në arsyetim.

Duke renditur një sërë kriteresh rivlerësimi dhe burimesh prej nga mund të merrej informacioni, KPA bën një balancim të qëndrimeve për të saktësuar se kur ato janë shkarkuese. “Aspekti i njohurive ligjore vlerësohet duke u bazuar në aftësinë e gjyqtarit për të marrë vendime gjyqësore, duke u bazuar në tregues të tillë, si: aftësia e përgjithshme për të interpretuar ligjin, për të identifikuar konfliktin e normave, për të përdorur parimet e përgjithshme të teorisë së të drejtës dhe aftësia për të analizuar jurisprudencën”, thuhet në arsyetim.

Më poshtë KPA arsyeton edhe se mbi çbazë duhej vlerësuar ngarkesa në punë, ndërsa këshillon që të merren parasysh edhe “rrethanat, të cilat nuk varen nga magjistrati”.

Më tutje KPA kërkon që Komisioni të vlerësojë edhe aftësinë e gjyqtarëve për të shmangur seancat joproduktive dhe kryerjen e procedurave të tjera gjyqësore që mundësojnë gjykim të shpejtë.

“Aftësia për të administruar dosjet gjyqësore ose të prokurorisë matet duke u bazuar në treguesit e rregullshmërisë, plotësisë dhe saktësisë së dokumentacionit të dosjes”, thuhet në vendim e KPA.

Ndërkohë sa i përket etikës dhe përgjegjshmërisë e paanshmërisë KPA orienton që të shihen mendimet e kryetarëve apo drejtuesve, masat disiplinore dhe po ashtu edhe denoncimet.

“Integriteti i magjistratit, në lidhje me imunitetin e tij ndaj çdo ndikimi ose presioni të jashtëm, matet duke u bazuar në tregues të tillë si rezultati i ankesave dhe verifikimi i tyre”, thuhet në arsyetim.

KPA arsyeton në vendim nevojën për të parë në detaje sjelljen e gjyqtarit sidomos sa i përket konfliktit të interesit dhe çështjeve të grupeve në nevojë. “Përdorimi i gjuhës diskriminuese, numri tejet i lartë i kërkesave të pranuara të palëve për përjashtimin e magjistratit, si dhe tregues të tjerë që dalin nga burime të tjera vlerësimi”, përmenden nga Kolegji si rrethana që mund të çojnë në vlerësim negative në aftësitë profesionale.