Referimi i Vladimir Marës në KLP, për mosveprim në ekstradimin e Nazer Seitajt
Lajme

Referimi i Vladimir Marës në KLP, për mosveprim në ekstradimin e Nazer Seitajt

Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara e kaloi me lehtësi testin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës, por KPK e referoi atë për vlerësim etik dhe profesional në lidhje me rolin në ekstradimin e Nazer Seitajt si dhe përdorimin e një makine të paregjistruar.

Prokurori Vladimir Mara pas konfirmimit nga KPK. Foto: Vladimir Karaj

Më 14 qershor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli konfirmimin në detyrë të prokurorit të Krimeve të Rënda, Vladimir Mara, së bashku me vendimin për ta dërguar atë për vlerësim etik dhe profesional pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë në lidhje me dy çështje të evidentuara gjatë rivlerësimit kalimtar.

Vendimi i arsyetuar i KPK-së tregon se njëra prej çështjeve lidhet me rolin e prokurorit Mara në ekstradimin e diskutueshëm të Nazer Seitajt drejt Italisë, ndërkohë që çështja e dytë pritet të vlerësojë përdorimin prej tij të një makine të paregjistruar sipas legjislacionit në fuqi.

Mara e ka nisur karrierën si oficer i policisë gjyqësore dhe punon si prokuror prej vitit 2008. Megjithatë, ai është bërë pjesë e debatit publik për hetimet e kryera ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe dosjen e njohur me emrin 339 -ku ekspozohet edhe roli i krimit të organizuar në zgjedhjet e vitit 2017 në Shqipëri.

Prokurori i Krimeve të Rënda e kaloi me lehtësi testin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës. Megjithatë, KPK vendosi që ta referonte atë në KLP për dy episode e mësipërme.

Ekstradimi i Nazer Seitajt u verifikua me inisiativë nga trupa gjykuese e përbërë nga Pamela Qirko, Firdes Shuli dhe Alma Faskaj, e cila arriti në përfundimin se “ka pasur mosveprim nga ana e prokurorit Vladimir Mara në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit të caktuara nga Gjykata e Krimeve të Rënda”.

Nazer Seitaj u arrestua në 20 tetor 2017 në Shqipëri, pasi një hetim i autoriteteve italiane e identifikoi atë si pjesëtar të organizatës kriminale të udhëhequr nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe përgjegjës për eksportimin e disa tonelatave me marijuanë në drejtim të Italisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi një procedim penal në emër të tij, por pak javë pas arrestimit, Seitaj u ekstradua papritur drejt Italisë, ndonëse ndaj tij ishte vendosur masa e arrestit me burg. Ekstradimi i Seitajt shkaktoi një debat politik në vend, ku Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim argumentuan se largimi i tij nga Shqipëria po bëhej me synimin për të penguar hetimin në Shqipëri të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Vendimi i KPK-së tregon se një hetim i Prokurorisë së Durrësit, i iniciuar në atë kohë nga kryeprokurorja Arta Marku u mbyll gjithashtu pa rezultate.

Sipas vendimit të arsyetuar, Prokuroria e Durrësit e kishte konsideruar ekstradimin e Seitajt në kundërshtim me ndalimet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, por vendosi të mos ngrejë akuzë për shpërdorim detyre, duke argumentuar se mungonte ana subjektive [dashje e drejtpërdrejtë] dhe pasoja e pariparueshme [hetimet mund të vijojnë edhe pas ekstradimit].

Sipas hetimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk kishte pasur rol në ekstradim, i kryer nga Ministria e Drejtësisë. Hetimi evidentoi megjithatë mosveprimin në ekzekutimin e masave të arrestit, por arriti në përfundimin se mund të kishte vend për hetim disiplinor dhe jo penal.

Komisioni e konsideroi mosveprimin një element të rëndësishëm të ushtrimit të detyrës së një prokurori dhe për këtë arsye, vendosi ta çojë Marën për inspektim disiplinor pranë KLP-së. Çështja e dytë e referuar lidhet me përdorimin prej tij të një makine të blerë për 3 mijë euro nga kushëriri, emigrant në Angli, pa e regjistruar atë sipas legjislacionit në fuqi.

“Komisioni çmon se përdorimi i një makine të paregjistruar sipas legjislacionit në fuqi përbën një element të rëndësishëm të etikës për një prokuror,” thuhet në vendimin e arsyetuar të KPK-së.

“Në këto kushte Komisioni çmon se kjo çështje duhet të jetë objekt i një procedimi disiplinor nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë…,” përfundon vendimi i KPK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *