Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Revokimi i dy vizave amerikane shenjon vetingun e gjyqtarit Artan Zeneli

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli u cilësua “i papërshtatshëm” pasi nuk deklaroi heqjen e njërës vizë amerikane, ndërkohë që KPK gjeti mospërputhje të shumta edhe në deklaratat e tij të pasurisë. Gjyqtari pretendoi se pasuria e tij ka burime të ligjshme dhe shpjegoi arsyen e mosdeklarimit të heqjes së vizës.

Gjyqtaret Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari gjatë një seance dëgjimore. Foto:LSA

Revokimi i njëpasnjëshëm i dy vizave amerikane rezonoi mbi procesin e vetingut të anëtarit të Gjykatës  së Lartë, Artan Zeneli dhe përballjen e këtij të fundit me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore që u zhvillua të hënën.

Zeneli-i cili preferoi të mbronte veten para trupës gjykuese, u cilësua “i papërshtatshëm” për vazhdimin e detyrës për shkak se nuk kishte pasqyruar në formularin e pastërtisë së figurës  heqjen e njërës vizë nga Ambasada Amerikane.

Trupa gjykuese e drejtuar nga Etleda Çiftja, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Valbona Sanxhaktari gjeti gjithashtu një sërë mospërputhjesh mes deklaratave periodike dhe deklaratës së bërë për efekt të “vetingut” për pasurinë e gjyqtarit Zeneli, e cila kap një vlerë totale prej 96.7 milionë lekësh në fund të vitit 2017.

Gjyqtari Zeneli këmbënguli se pasuria e tij ishte krijuar me burime të ligjshme gjatë kohës që ushtronte profesionin e avokatit, ndërsa shtoi se fshehja e revokimit të vizës nga ana e tij do të ishte “një naivitet”-të cilin nuk e ka bërë.

Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Zeneli nisi për të tre kriteret e rivlerësimit, por trupa gjykuese e pa të mjaftueshme t’i kalonte atij barrën e provës për gjetjet mbi pasurinë e dhe pastërtinë e figurës.

Sipas relatores Xhensila Pine, subjekti i rivlerësimit e kishte plotësuar formularin e pastërtisë së figurës më 16 janar dhe e ka dorëzuar atë personalisht në KPK më 27 janar. Mes këtyre dy datave, anëtari i Gjykatës së Lartë është njoftuar nga Konsullata e Ambasadës Amerikane për revokimin e vizës-fakt i cili sipas relatores nuk gjendet në  formular.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kërkuar verifikime shtesë në DSIK, e cila në një raport të dytë ka evidentuar papërshtatshmërinë e tij,” tha relatorja Pine.

Zeneli dha detaje mbi vendimin e bujshëm të Ambasadës Amerikane në janar 2017 për t’u hequr vizat një numri jo të vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh të Shqipërisë-njëri prej të cilëve ishte ai vetë.

“ Më 26 janar m’u komunikua nga konsullata revokimi i vizës private turistike. Unë mbaja dy viza amerikane dhe kam pyetur specifikisht se cila prej vizave më revokohej. Më thanë që ishte viza B1/B2,” tha gjyqtari Zeneli.

“Në formularin e plotësuar më 16 janar unë kam pohuar me të drejtë që nuk më është mohuar hyrja në ndonjë vend anëtar të NATO-s apo BE-së, pasi kisha vizën tjetër,” shtoi ai.

Sipas shpjegimeve të gjyqtarit Zeneli, ai sot nuk zotëron asnjërën prej vizave. Viza e dytë i është revokuar nga Ambasada Amerikane më 4 qershor 2018.

Problemet me pasurinë morën gjithashtu një kohë të rëndësishme të seancës dëgjimore si  nga relatorja e çështjes, ashtu edhe nga gjyqtari Zeneli. Sipas relatores Pine, anëtari i Gjykatës së Lartë kishte mospërputhje mes deklarimeve periodike dhe deklaratës “veting” për një vilë 260 metra katrorë, të blerë në vitin 2007 në zonën e quajtur “Kodra e Diellit” në Tiranë, një apartament 170 metra katrorë, dy apartamente banimi në rrugën “Sami Frashëri” dhe një apartament në Golem me sipërfaqe banimi 74 metra katrorë dhe tarracë po kaq.

Gjithashtu, gjyqtari u akuzua se nuk kishte deklaruar një sipërfaqe toke të privatizuar nga Bashkia Tiranë në vitin 2016 si dhe shitjen e një trualli në Velipojë.

Për vilën te Kodra e Diellit, hetimi administrativ ka zbuluar se gjyqtari Zeneli ka deklaruar se ka shlyer 196 mijë euro në deklaratën e vitit 2007, por një vit më vonë, ai merr 150 mijë euro kredi për të, të cilat i transferon si pagesë në llogarinë e ortakut të shoqërisë ndërtuese. Zeneli e shpjegoi këtë fakt me marrëveshjen dhe marrëdhënien miqësore që kishte me ndërtuesin Gentian Sula, ku ky i fundit kishte shlyer vetë 150 mijë euro deri në lëvrimin e kredisë për familjen Zeneli.

“Në dhjetor 2017 kam marrë konfirmimin që kredia u miratua dhe kontrata e kredisë është firmosur më 8 janar 2017. I kam derdhur paratë nga kredia te llogaria e ortakut pasi shoqëria e kishte marrë pagesën përmes tij.  Kjo shtëpi nuk është shlyer ende, vazhdoj ta paguaj edhe sot,” tha Zeneli.

I pyetur nga relatorja Pine nëse ai kishte detyrimin te deklaronte si borxh pagesën prej 150 mijë eurosh të ortakut të kompanisë, Zeneli u përgjigj: “Unë nuk e kam konsideruar si borxh. Ishte një marrëveshje derisa të lëvrohej kredia, e cila nuk vonoi…”.

Gjyqtari e shpjegoi mospërputhjen me kohën e blerjes së apartamentit të dytë si “lapsus”. Ndërsa dy apartamentet në rrugën “Sami Frashëri”, që shfaqeshin herë si një dhe herë si dy objekte më vete në deklarimet e tij, gjyqtari tha se planimetria e shpjegon qartë se janë dy apartamente dhe se nuk kishte asnjë qëllim fshehjeje apo mosdeklarimi në këtë rast.

Ai u justifikua gjithashtu me fjalën “harresë njerëzore” për mosdeklarimin e një sipërfaqeje takuese në një banesë në rrugën “Mujo Ulqinaku” si dhe shitjen e truallit në Velipojë, nga i cili kishte përfituar 800 mijë lekë.

“E ripërsëris, të ardhurat dhe pasuria ime i përkasin periudhës para se të bëhesha gjyqtar. I kam deklaruar ashtu siç kanë qenë në realitet. Theksoj se kam pasur të ardhura rreth 170 milionë dhe 40 e ca milionë pasuri. Nga dita që jam bërë gjyqtar, pasuria ime vetëm është pakësuar,” tha Zeneli.

Në kohën e konkluzioneve përfundimtare, gjyqtari Zeneli paraqiti si kërkesë vlerësimin e komponentit të tretë të aftësive profesionale për të.

“Ju duhej ta kishit përfshirë atë në rivlerësimin tim, edhe në mënyrë që të dukeshit të paanshëm, dhe në fund s’ka problem, mund të merrnit vendimin tuaj,” shtoi Zeneli.

Trupa gjykuese u tërhoq për disa minuta nga salla dhe në rikthim, me një ndarje 2 me 1 të votave vendosi rrëzimin e kërkesës së Zenelit për shqyrtimin e kriterit të aftësive profesionale. Vendimi për të do të shpallet më 18 korrik.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *