Seanca në Kolegj, gjyqtari Artan Lazaj ankohet për njëanshmëri të KPK-së
Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Seanca në Kolegj, gjyqtari Artan Lazaj ankohet për njëanshmëri të KPK-së

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi pretendimet e gjykatësit të shkarkuar të Tiranës, Artan Lazaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur. Lazaj pretendoi se kryesuesja e trupit gjykues kishte treguar njëanshmëri dhe se regjistrimi audio i seancës dëgjimore ishte fshirë pjesërisht.     

Artan Lazaj në seancën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Foto: V.Karaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të martën në seancë publike pretendimet e gjyqtarit të shkarkuar nga KPK, Artan Lazaj. Seanca zgjati rreth një orë e 30 minuta dhe u fokusua kryesisht në ankimin e Lazajt rreth procedurës së ndjekur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për të vendosur mbi një kërkese për përjashtim të kryesueses së trupës, Brunilda Bekteshi.

Avokati i Lazajt, Sokol Hazizaj dhe ai vetë thanë se qëndrimi i komisioneres Bekteshi gjatë seancës dëgjimore kishte qenë i njëanshëm. Avokati Hazizaj pretendoi se vendimi për të prapësuar kërkesën e Lazajt duke mos ia kaluar atë një tjetër trupe gjykuese kishte bërë të njëanshëm të gjithë komisionerët, ndërsa kërkoi “pavlefshmëri absolute të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”. Ai e cilësoi këtë vendim një shkelje të rëndë, që sipas tij cënon subjektin e rivlerësimit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi më 16 janar kalimin për shqyrtim në seancë publike të ankimit të Artan Lazaj kundër vendimit të KPK-së, e cila vendosi shkarkimin e tij në korrik të vitit të kaluar. Ankimi i Lazajt, i cili para shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, është i pari për të cilin KPA vendosi kalimin në seancë publike. Trupa e KPA që po gjykon rastin kryesohet nga Sokol Çomo, relatore Albana Shtylla dhe anëtarët Natasha Mulaj, Ardian Hajdari e Rezarta Schuetz.

KPA, e cila është shkalla e fundit e ankimit për procesin e rivlerësimit njoftoi se vendimi për të kaluar çështjen në seancë publike u mor për shqyrtimin e procedurës së ndjekur nga Komisioni për të rrëzuar një kërkesë të Lazajt për përjashtim të komisioneres Brunilda Bekteshi.

Lexo edhe:

Seanca në Kolegj

Lazaj dhe avokati i tij akuzuan Bekteshin se kishte qenë e njëanshme. Ata sollën në vëmendje të trupës gjykuese se kërkesa e tyre për përjashtimin e saj bazohej në një ‘incident” të vitit 2016, kur Bekteshi si avokate kishte kërkuar përjashtimin e Lazajt nga një trupë gjykuese për një çështje ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë (OSHE). “Atëherë çështja iu kalua një trupe tjetër që vendosi kundër përjashtimit,” tha avokati.

Duke e cilësuar vendimin e KPK-së një shkelje të Kodit të Procedurës Civile dhe duke akuzuar komisioneren Bekteshin se kishte krijuar “shqetësim për subjektin” dhe se kishte ndërhyrë “deri në shpeshtësi“ apo kishte dhënë përgjigje “pa iu bërë pyetje”, avokati u përpoq të argumentonte se vendimi i KPK-së ishte i pavlefshëm për shkak të shkeljes së rëndë të procedurave. “Ne nuk jemi këtu për të garantuar përjetësinë e të qenit në detyrë, ne jemi këtu të garantojmë përjetësinë e të qenit në liri”, tha Hazizaj.

Pasi iu kërkua prej kryesuesit të seancës Sokol Çomo t’i qëndronte ankimit dhe pyetjeve të bëra nga KPA, avokati tha se synonte të “krijonte frymë”, ndërsa cilësoi shkeljen e procedurës si shkelje të lirisë së subjektit. Vetë Lazaj shtoi se seanca dëgjimore ndaj tij kishte qenë e njëanshme për shkak të ndërhyrjeve të kryesueses. Lazaj pretendoi se një pjesë e CD (rregjistrimit audio) ishte fshirë, ndërsa tha se kishte kërkuar fjalën në seancë dhe nuk i ishte dhënë. Ai kërkoi prishje të vendimit dhe rivlerësim nga KPA në të tre kriteret.

Pasi u tërhoq 30 minuta për konsultim, kryesuesi Çomo njoftoi se KPA kishte vendosur ta përfundonte gjykimin e ankimimit me materialet e marra në dorëzim nga KPK dhe ankuesi. Nuk u bë e qartë nëse Kolegji do të rivlerësonte Lazajn në dy kriteret e tjera, të cilat nuk ishin shqyrtuar nga KPK. Çomo kërkoi nga Lazaj të paraqiste konkluzionet dhe pasi ai kërkoi kohë, seanca tjetër u caktua më 28 janar.

Vendimi i KPK

Lazaj u shkarkua nga KPK në korrik të këtij viti në një proces që u shty pas një sërë kërkesash proceduriale prej tij dhe avokatit të tij. Në vendimin e zbardhur, Komisioni u shpreh se kërkesat për zgjerim të hetimit, përjashtim të trupit gjykues dhe më pas përjashtim të komisioneres Bekteshi ishin përpjekje për zvarritjen e procesit.

Nga vendimi i zbardhur i KPK-së [Vendimi] rezulton se kjo e fundit vendosi të prapësonte  kërkesën e tretë për përjashtimin e Bekteshit duke mos ia kaluar për shqyrtim një trupi tjetër gjykues, pasi kërkesa “rezultonte qartazi e vonuar dhe në mosrespektim të pikës 3 të nenit 27 të ligjit nr. 84/2016, si dhe e papranueshme, pasi nuk bazohej mbi fakte të reja”. KPK arsyetoi se ngjarja për të cilën Lazaj ankohej kishte ndodhur në vitin 2016 dhe ai kishte pasur kohë ta ngrinte këtë pretendim më herët.

KPK e shkarkoi Lazajn për një sërë problemesh në kriterin e deklarimit të pasurisë. Në vendimin e arsyetuar thuhet se Lazaj kishte bërë deklarime të rreme, kontrata fiktive, kishte pamjaftueshmëri burimesh të ligjshme dhe kishte deklaruar pasuri që i kishte shitur, ndërsa thuhet se dha “përgjigje të pavërteta” edhe gjatë seancës dëgjimore.

Lazaj u mbrojt gjatë seancës dëgjimore dhe në përgjigjet për KPK kryesisht duke pranuar  “ka bërë gabime të shumta, por që ato janë harresa, neglizhenca ose pasaktësi, nuk janë veprime të qëllimshme dhe nuk kanë pasur si objektiv apo pasojë fshehjen e pasurisë”. Në një rast ai tha se arsyet e mosdeklarimit të një pasurie që i takonte bashkëshortes kishte qenë e drejta zakonore, sipas të cilës “gruaja e martuar nuk kishte pjesë takuese në shtëpinë e prindërve”.

Vendimi i zbardhur i KPK rendit 17 shkelje, duke filluar nga mosdeklarimi i 4.9 milionë lekëve të shpenzuara në vitin 2009 dhe 50.000 eurove në vitin 2010 në favor të një kompanie ndërtimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *