Seanca në KPA, relatorja Natasha Mulaj përplaset me gjyqtaren Kosova
Lajme

Seanca në KPA, relatorja Natasha Mulaj përplaset me gjyqtaren Kosova

Parashtrimi i gjyqtares Nertina Kosova se pyetjet drejtuar asaj ishin përsëritje dhe sipas perceptimit të saj “në kufi të paragjykimit” u prit keq prej relatores Natasha Mulaj, që me ton të lartë zëri mohoi të ishte e njëanshme.

Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Natasha Mulaj dhe anëtarët Ardian Hajdari, Sokol Çomo, Rezarta Schuetz, Luan Daci gjatë një seance të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA).

Pakënaqësitë që gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Nertina Kosova adresoi ndaj pyetjeve që iu bënë një seancë më herët në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nuk u pritën mirë prej relatores Natasha Mulaj të mërkurën, që i perceptoi ato si akuzë për njënashmëri.

Seanca ndaj Kosovës, e cila po i nënshtrohet hetimit gjyqësor për pasurinë pasi Komisioneri Publik u ankua ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ta konfirmuar në detyrë, nisi me përgjigjet që kjo e fundit kishte për pyetjet që iu bënë në seancën e 26 qershorit.

Kosova theksoi gjatë fjalës së saj se një pjesë e pyetjeve “tejkalonin kufijtë e ankimit” pasi nuk ishin përfshirë në kërkesën e Komisionerit Publik dhe se gjykata nuk mund të hetonte për ato çështje që nuk ishin në ankim dhe nuk e kuptonte pse ishte pyetur për to. Ajo shtoi se ato ishin në “ deri në kufijtë e paragjykimit”.

Këtij qëndrimi iu përgjigj me ton të ngritur zëri relatorja Natasha Mulaj, e cila theksoi se parashtrimet e gjyqtares kishin “tendecë të pamoralshme” dhe vinin në diskutim paanësinë e saj në mënyrë të bazuara. Mulaj tha se si gjyqtare, nëse kishte dyshime për njëanshmëri Kosova i dinte rrugët që duhej të ndiqte, ndërsa theksoi se Kosovës “nuk do t’i prekej asnjë fije floku” njëanshmërisht.

Gjyqtarja u përgjigj në fund të seancës. Ndryshe nga parashtrimi, Kosova u ngrit në këmbë për të thënë se qëndrimi i saj ishte keqinterpretuar dhe se nuk kishte asnjë ankesë ndaj asnjë anëtari të trupës gjykuese. Kosova ritheksoi se ajo i kishte interpretuar pyetjet si në “kufij të paragjykimit”, ndërsa ritheksoi se mendonte që një pjesë e tyre kalonin kufijtë e ankimit.

Parashtrimi i Kosovës

Në fillim të seancës, Nertina Kosova vuri në dukje se një pjesë të pyetjeve i ishin bërë në shkelje proceduriale, ndërsa theksoi se mjaft prej tyre kishin marrë përgjigje në pyetësorët që ajo kishte plotësuar për KPK-në dhe më pas edhe në parashtrimin e bërë në Kolegj në fillim të procesit.

“Përgjigjet gjenden lehtësisht në pyetësorë,” tha gjyqtarja e Krimeve të Rënda.

Kosova shtoi se për një pjesë të pyetjeve, si arsyet e mosdeklarimit në deklaratën vjetore të 1.5 milionë lekëve të paguara për të blerë një apartament dhe të kthyera pas brenda vitit, kishin marrë përgjigje në parashtrimet që kishte bërë para KPA-së dhe shtoi se për këtë pjesë Komisioneri nuk ka kërkuar hetim e për rrjedhojë ato “tejkalonin kufijtë e ankimit” dhe shkonin “përtej shkaqeve të ankimit” dhe gjykata nuk mund të hetonte për to.

Kosova theksoi po ashtu se Komisioneri Publik i kishte cilësuar të kënaqshme dhe të mjaftueshme provat e sjella prej saj për një pjesë të pyetjeve. Ajo vuri në dukje se mjaft prej tyre kishin përgjigje konkrete në pyetësorët dhe parashtrimet që ajo kishte bërë dhe la të kuptohej se njësia ligjore në KPA nuk i kishte lexuar ato.

Megjithatë, gjyqtarja theksoi se duke mos pasur asgjë për të fshehur dhe duke qenë se nuk kishte arsye për të mos thënë të vërtetën, u kishte kthyer sërish përgjigje atyre. Kosova renditi njëra pas tjetrës përgjigjet e saj.

Pyetjes për mosdeklarimin e  një shume prej 1.5 milionë lekësh të paguara në një kontratë për blerje shtëpie që më pas ishte prishur, Kosova tha se i ishte përgjigjur në KPK dhe në parashtrime, duke vënë në dukje se duke qenë se shuma ishte paguar dhe kthyer e pacënuar, nuk kishte pasur arsye ta deklaronte pasi veprimet ishin kryer brenda vitit dhe nuk kishte pasur ndryshim të pasurisë.

Kosova këmbënguli se kjo shumë i ishte kthyer të atit që mbante kursimet e familjes. Ajo vuri në dukje se shuma prej 1 milion lekësh që ishte përdorur në kontratën e dytë, ishte me të njëjtin burim. Ajo përsëriti, siç kishte bërë në seancën e parë se këto para ishin kursime të familjes me kontributin e saj dhe se ajo nuk i kishte deklaruara si të sajat pasi mbaheshin nga babai.

Ajo tha se duke qenë se kishin pjesë edhe kontributin e saj në familje, nuk i cilësonte këto shuma as si dhuratë, as si hua, por si kthim pas të kontributeve. Ajo dha shpjegime të detajuara mbi sasinë e parave të fituara nga bursa, por tha se nuk mund të sillte dokumente shtesë veç librezës së kursimeve, ndërsa paraqiti disa kërkesa për informacion drejt universitetit dhe Ambasadës Italiane, por që mbetën pa përgjigje. Ajo tha se e cilësonte te provuar këtë pasuri përmes librezës së kursimeve, por shtoi se duhej të konsiderohej në pamundësi objektive për të sjellë prova të reja.

Ajo vuri në dispozicion një sërë përgjigjesh nga banka që i ka dhënë kredinë për shtëpi, për t’iu përgjigjur pretendimit se kishte cënuar kontratën e kredisë duke mos blerë apartamentin e parë, por një apartament tjetër. Kosova tha se banka ishte njoftuar verbalisht dhe se në përgjigje me shkrim, banka pranonte se nuk kishte pasur cenim të kontratës, për sa kohë ajo ishte përdorur për të blerë shtëpi.

Kosova tha se kishte pasaktësi në deklarimet vjetore për disa likujditete, por vuri në dukje se bëhej fjalë për llogarinë rrjedhëse lehtësisht të kontrollueshme, burimet e të cilës ishin të ligjshme. Sipas gjyqtares, KPA ishte shprehur për këtë situatë në vendime të mëparshme. Ajo tha se disa veprime bankare që nuk ishin deklaruar, ishin gjykuar si të panevojshme për sa kohë nuk kishin qenë ndryshim pasurie, por veprime burokratike brenda llogarive bankare.

Ajo pranoi se gabimisht ishte deklaruar si gjendje cash një shumë që ndodhej në fakt në bankë, por tha se kjo pasaktësi ka qenë e paqëllimshme.

Kosova shtoi gjithashtu se pyetjet shtesë për punën e të vëllait, ishin në kufijtë e paragjykimit, ndërsa kundërshtoi konsiderimin e tij si person të lidhur. Ajo përsëriti atë që kishte thënë në seancën e parë se i vëllai kishte një kontratë pune të firmosur nga punëdhënësi dhe se detyrimi për sigurimet i mbetej punëdhënësit. Ajo vuri në dukje se veprimet e kryera nga vëllai për llogari të kompanisë, për vite me rradhë provonin pretendimet e saj.

Gjyqtarja ripohoi se përdorimi i llogarisë bankare personale për një prej pagesave kishte qenë prej pamundësisë. Sipas gjyqtares, pagesat ishin kryer vetëm në një ditë, në dy derdhje. Ajo tha se nuk shpjegonte dot pse kishte pasur dy derdhje të ndryshme në llogari, por tha se kjo mund të kishte ardhur për një sërë arsyesh, përfshi faktin që siç i kishte thënë vëllai, një pjesë e parave mund kishin qenë valutë dhe pjesa tjetër jo apo qoftë edhe për shkak të ndryshimit të prerjes së kartmonedhave.

Ajo solli dokumente që provonin se hapja e llogarisë ishte bërë në Tiranë, pasi banka në fjalë nuk kishte pasur degë në Elbasan dhe se datat e vendosura në fatura ishin gabime të punonjëses së bankës, pasi statmenti i llogarisë tregonte vetëm një datë pagese.

Ndërprerja e seancës dhe replika e Mulajt

Seanca u ndërpre për të marrë vendim mbi provat e reja të sjella nga gjyqtarja Kosova dhe pas kthimit në sallë, Natasha Mulaj replikoi ashpër ndaj parashtrimeve të subjektit. Mulaj tha se qëndrimi për t’i konsideruar pyetjet si paragjykuese dhe të njëanshme ishin “tendencë e pamoralshme”. Duke e cilësuar pretendimin e gjyqtares si personal, Mulaj tha se ajo nuk kishte paragjykuar askënd dhe nuk kishte njëanshmëri.

“Çdo subjekt që ulet në atë tavolinë do të marrë atë që meriton,” tha Mulaj me ton të ngritur zëri. Duke iu drejtuar Kosovës ajo shtoi “Nuk të preket asnjë fije floku padrejtësisht”.

Sipas Mulajt, gjyqtarja e njihte mirë procedurën dhe nëse kishte dyshim për njëanshmëri duhej të kishte bërë kërkesë sipas ligjit. Më pas duke ulur zërin, Mulaj tha se ishte ndjerë e detyruar të bënte pyetjet. Ajo tha se ia kishte shpjeguar këtë Kosovës në seancën e parë dhe se kishte kërkuar mirëkuptimin e saj atëherë.

“Kisha detyrim të bëj pyetje para se t’i jap trupës gjykuese mendimin tim si relatore,” tha ajo ndër të tjera. Relatorja shtoi se pas shpjegimeve që dëgjoi në seancë, kishte krijuar mendimin e saj dhe se ishte gati të vijonte me relatimin para trupës. Ajo shtoi se megjithatë kishte mbetur i pasqaruar momenti i mosdeklarimit të 1.5 milionëshit, duke thënë se kjo shumë ishte përdorur për të bërë pagesën 1 milion, diferenca prej 500 mijë duhej të ishte deklaruar.

Ajo po ashtu theksoi se nuk kishte njëanshmëri dhe asnjë tendencë tjetër përveç detyrimit për të qenë e qartë. “Tani jam e qartë,” në fund të qëndrimit të saj.

Komisioneri Publik që foli menjëherë pas Mulajt u shpreh se ai i gjente të ligjshme provat e sjella nga Kosova dhe pranoi që ato të merreshin parasysh nga trupa.

Nga ana e saj, gjyqtarja kërkoi fjalën dhe tha se ishte keqkuptuar. Ajo vuri në dukje se respektonte trupën gjykuese dhe nuk kishte kundërshti ndaj asnjërit. “E njoh procedurën dhe nëse do kisha dyshime për njëanshmëri do kisha bërë kërkesë,” tha Kosova, por ritheksoi se ishte perceptim i saj se pyetje për të cilat ajo besonte që kishte dhënë përgjigje më parë ishin në “kufi të paragjykimit”.

“Dua të jem e qartë, nuk e kanë kaluar kufirin,” tha Kosova, që ritheksoi se nuk ndjehej e paragjykuar dhe nuk kishte problem me asnjë nga anëtarët e trupës gjykuese. Ajo rishpjegoi se shuma prej 500 mijë lekësh i ishte kthyer babait dhe se ajo nuk kishte mbajtur vetë cash nga kursimet e familjes për shkak të rrethanave. Ajo ritheksoi se mbante qëndrim që një pjesë e pyetjeve tejkalonin ankimin e bërë nga Komisioneri Publik, por theksoi se nuk kishte dyshime te integriteti i trupës që po e gjykonte.

Në fund, trupa gjykuese pranoi provat e reja të sjella nga Kosova, ndërsa u bë me dije se seanca tjetër do jetë në 12 korrik, ora 10.30 për të dëgjuar analizën financiare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *