Seancë konfuze në KPA mbi metodologjinë e vlerësimit profesional të gjyqtarit Medja
Lajme

Seancë konfuze në KPA mbi metodologjinë e vlerësimit profesional të gjyqtarit Medja

Kolegji i Posaçëm i Apelimit propozoi gjatë seancës për gjyqtarin Gentian Medja një projekt-metodologji për vlerësimin e aftësive profesionale, ndërsa me vendim të ndërmjetëm u dha kohë palëve të japin mendime mbi propozimin.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit në seancën e subjektit Gentjan Medja në Tiranë më 17 korrik 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit e nisi me vonesë seancën për gjyqtarin Gentian Medja, i cili po përballet me ankimimin e Komisionerit Publik për kriterin e aftësive profesionale. E planifikuar për orën 10:00 të mëngjesit të së martës, seanca u njoftua se do të fillonte “për arsye objektive” me 30 minuta vonesë nga një punonjëse e KPA-së. Trupa gjykuese mbërriti megjithatë në sallë në orën 11:00.

Seanca në vetvete nuk zgjati më shumë se 10 minuta. Kryesuesja e trupës, Natasha Mulaj paraqiti para palëve atë që fillimisht e cilësoi si vendim të KPA-së për metodologjinë e vlerësimit të kriterit të profesionalizmit, të kërkuar nga Komisioneri Publik në seancën e parë.

Por Kolegji u duk se nuk qe në gjendje t’u përgjigjej qartë pyetjeve të Komisionerit dhe të gjyqtarit Medja mbi përmbajtjen e dokumentit dhe nëse ishte vendim apo propozim i KPA-së dhe si do të bëhej vlerësimi. Trupa vendosi në orën 11.10 pas konsultimit në sallë që të tërhiqej për 15 minuta. Kur u rikthyen në orën 12.00, kryesuesja lexoi se dokumenti ishte vetëm “projekt paraprak”, ndërsa kërkoi mendimin e palëve mbi të. Ajo tha se KPA do të shprehej për këtë metodologji dhe vlerën e saj vetëm në vendim.

Medja, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, i cili po gjykohen në Kolegj pas ankimit të Komisionerit Publik mbi profesionalizmin, u konfirmua në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me shumicë votash. Në mendim pakice, një prej anëtareve të KPK-së po ashtu pretendoi se ai nuk kishte arritur të bindte sa i përket aftësive profesionale.

Trupa gjykuese që po shqyrton çështjen në KPA kryesohet nga Natasha Mulaj, me relator Luan Daci dhe anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama, Sokol Çomo.

Konfuzioni pas propozimit

Seanca gjyqësore për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Tiranës filloi me prezantimin nga KPA të një metodologjie për të bërë vlerësimin profesional. Një formular i ndarë në rubrika të caktuara, siç u prezantua nga kryesuesja Mulaj, mbi të cilin do të vendoseshin vlerësime.

Mulaj bëri me dije se formulari lejonte po ashtu të kërkohej informacion për fushat ku nuk kishte informacion për të dalë në një qëndrim.

Fillimisht, metodologjia u prezantua si një vendim. Sipas kryesueses, trupa gjykuese kishte vendosur mbi formatin se si do të bëhet rivlerësimi mbi kriterin profesional. Ajo tha se priste nga palët të jepnin “një këndvështrim konkret” rreth formularit.

Mulaj bëri me dije se metodologjia ishte punuar duke mbajtur parasysh bazën ligjore dhe ankesin e kushtetutës rreth rivlerësimit profesional.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa pyeti trupën nëse ajo kishte marrë vendim për këtë metodologji apo po kërkohej mendimi i tyre. Komisioneri po ashtu kërkoi të dinte nëse bëhej fjalë vetëm për rastin konkret apo ishte një metodologji e përgjithshme. Ai shtoi megjithatë se në të gjitha rastet i duhej kohë për të mbajtur një qëndrim.

Pas komisionerit, edhe gjyqtari Medja e pyeti trupën mbi shënimet me “plus dhe minus” që gjendeshin në formular, duke kërkuar të dinte nëse ishin vlerësime për rastin dhe po ashtu nëse vlerësimi do të bëhej me këto mekanizma.

Pas disa shkëmbimeve në sallë, KPA nuk qe në gjendje të përgjigjej. Trupa gjykuese kërkoi 15 minuta kohë për të sqaruar situatën.

Metodologjia, projekt paraprak

Pas rreth 1 ore, trupa u kthye në sallë dhe kryesuesja Mulaj lexoi një vendim të ndërmjetëm. Mulaj tha se metodologjia ishte vetëm një “projekt paraprak i metodologjisë”. Ajo ftoi palët të paraqesin opinionin e tyre, si për rubrikat që ishin vendosur ashtu edhe për mënyrën e zbatimit të saj.

Ajo tha se priteshin sugjerime të detajuara nga palët rreth kësaj metode, e cila aplikohet për herë të parë në Kolegj, ku më herët nuk ka pasur ankime vetëm mbi kriterin e profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Po ashtu, Mulaj tha se pavarësisht qëndrimit të trupës dhe pavarësisht mendimit të palëve dhe nëse do aplikohej gjatë gjykimit kjo metodologji, një vendim për të do të merrej vetëm në përfundim të procesit.

“KPA  vetëm në përfundim të procesit do të shprehet për projektin,” tha Mulaj, duke shtuar se seanca e radhës do të zhvillohej më 17 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *