Seancë pa probleme në KPK për gjyqtaren e Beratit Rudina Palloj

Lajme
Gjyqtarja e Gjykatës së Beratit, Rudina Palloj pati një seancë të lehtë dëgjimore të enjten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Siç doli gjatë relatimit Pallojit nuk i ishte kaluar barrë prove në asnjë prej kritereve, por i ishin kërkuar shpjegime pas disa denoncimeve në kriterin e profesionalizmit.

Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Lulzim Hamitaj anëtar dhe Valbona Sanxhaktari relatore.

Rudina Palloj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe punoi fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Prej vitit 2014, ajo e ushtron funksionin si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Berat.

Sanxhaktari në një relatim të shkurtër vuri në dukje se pas hetimit të pasurisë nuk ishin gjetur probleme. Ajo megjithatë tha se KPK kishte cilësuar pasaktësi mosdeklarimin e mënyrës se si ishin shpenzuar 800 mijë lekë kursime të deklaruara në deklaratën fillestare në vitin 2011.

Sanxhaktari tha se shuma në fjalë nuk ishte deklaruar në vitet pasuese dhe ishte e paqartë se çfarë kishte ndodhur me të. Palloj tha në seancë se shuma mbahej nga prindërit dhe se ishte shpenzuar prej saj dhe prej tyre për shpenzime familjare. Ajo tha se kishte treguar pakujdesi në deklarimin e pakësimit të saj, por kjo kishte ardhur edhe për shkak se shuma ishte ndarë në shpenzime të vogla.

Relatorja theksoi se Palloj ishte vlerësuar pa probleme në kriterin e figurës dhe po ashtu nuk iu vunë në dukje probleme të profesionalizmit. Sanxhaktari megjithatë tha se KPK kishte hetuar disa denoncime dhe kishte parë disa dosje të gjyqtares.

KPK kishte hetuar edhe marrëdhëniet mes Pallojt dhe një avokati pas një denoncimi, por nga çështjet nuk rezultuan dyshime, ndërsa 53 prej tyre kishin marrë formë të prerë, 9 ishin konfirmuar në Apel dhe vetëm një çështje ishte ndryshuar, por jo në themelin e saj.

Sanxhaktari në relatim nuk tha nëse Komisioni kishte gjetur ndonjë problem edhe në disa denoncime të tjera ndaj gjyqtares edhe pse theksoi se ato ishin verifikuar nga trupa dhe se subjektit i ishin kërkuar shpjegime.

Palloj në mbrojtjen e saj tha se pretendimet e ngritura në denoncime për të ishin “tërësisht të pavërteta”. Gjyqtarja tha se binte dakord me rezultatet e hetimit dhe kërkoi konfirmim në detyrë. Seanca e njoftimit u caktua më 17 janar në orën 9.30.