Seancë pa probleme për prokurorin e Krimeve të Rënda, Behar Dibra
Lajme

Seancë pa probleme për prokurorin e Krimeve të Rënda, Behar Dibra

Kandidati për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Behar Dibra nuk rezultoi me probleme, përveç një mospërputhjeje në kontratën e blerjes së një apartamenti, të cilën ai e kishte kontestuar që në vitin 2013.

Prokurori i Krimeve te Renda, Behar Dibra pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Behar Dibra, i cili është kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezultoi pa probleme në seancën dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të enjten. Trupa gjykuese e KPK përbëhej nga Suela Zhegu kryesuese, Genta Tafa Bungo relatore dhe Etleda Çiftja anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Relatorja e çështjes, Genta Tafa Bungo tha se Komisioni e kishte kryer rivlerësimin e prokurorit Dibra në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Nga hetimi për kriterin administrativ për kriterin e pasurisë, KPK ka konstatuar një mospërputhje mes çmimit të deklaruar të një apartamenti dhe çmimit të shënuar në kontratë.

Apartamenti me sipërfaqe 62.72 metra katrorë në Tiranë është blerë në vitin 2011 për 5 milionë lekë me burim një kredi të marrë nga Banka Kombëtare Tregëtare, e cila është ende në proces shlyerje. Relatorja Bungo u shpreh se nga dokumentacioni i dorëzuar rezulton se çmimi i blerjes së apartamentit është 5 milionë lekë, ndërsa në kontratë ka qenë e shënuar rreth 16 mijë dollarë.

Bungo sqaroi se për këtë mospërputhje në kontratë, prokurori ka shpjeguar se e ka kontestuar me shkrim tek shoqëria ndërtuese këtë pasaktësi. Edhe shoqëria ndërtuese ka shpjeguar para Komisionit këtë rrethanë dhe faktin se prokurori Dibra e ka kontestuar pasaktësinë.

Bungo tha se nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton e provuar se subjekti nëpërmjet një shkrese e ka kontestuar në vitin 2013 çmimin në kontratën e shit-blerjes, duke kërkuar korrigjimin. Prokurori ka kërkuar që të vendoset çmimi i saktë për këtë pasuri, por që nuk është arritur të realizohet prej shoqërisë ndërtuese.

Nga hetimi është konstatuar se prokurori Dibra kishte porositur më parë, në vitin 2010,  tek e njëjta shoqëri ndërtuese,  një tjetër apartament në Linzë në vlerën e rreth 6 milionë lekëve. Për këtë porosi, ka paguar këstin e parë daja i prokurorit Behar Dibra në shumën 1.5 milionë lekëve, dhënë në formë huaje. Por, kjo kontratë më pas është anuluar nga prokurori Dibra, i cili ka kryer blerjen e një apartamenti tjetër në Tiranë tek e njëjta shoqëri ndërtuese, ku edhe jeton aktualisht. Komisioni ka konstatuar se shoqëria ndërtuese ia ka kthyer sërish vlerën 1.5 milionë lekë dajës së subjektit.

Bungo tha se Komisioni ka verifikuar ligjshmërinë e të ardhurave të dajës së prokurorit Dibra për mbulimin e vlerës 1.5 milionë lekë, prej nga ka rezultuar se ai ka pasur të ardhura të mjaftueshme.

Relatorja Bungo shtoi se subjekti ka shpjeguar se pasi ishte krijuar mundësia për një shtëpi më të vogël e më pak të kushtueshme në Tiranë, kishte kryer anulimin e kontratës së parë dhe kishte rëndë dakort për blerjen e apartamentit që zotëron aktualisht kundrejt vlerës 5 milionë lekë. Komisioni ka konstatuar se 5 milionë lekë kredi i janë kaluar nëpërmjet një transferte shoqërisë ndërtuese në këmbim të apartamentit  1+1 me sipërfaqe 62.72 m2. Bungo tha se Komisioni ka arritur në konkluzionin se prokurori Dibra ka pasur burime të ligjshme për blerjen e këtij apartamenti. Edhe nga analiza financiare e kryer nga KPK, ka rezultuar me bilanc pozitiv për çdo vit.

Në lidhje me pastërtinë e figurës, DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Komisioni ka hetuar në mënyrë të pavarur për këtë kriter dhe ka rezultuar se prokurori Dibra arrin nivel të besueshëm.

Në lidhje me aftësitë profesionale, KPK ka konstatuar se subjekti ka aftësi në arsyetimin ligjor, kryen hetime procedurale hetimore të sakta dhe se veprimet janë efektive. Pranë KPK-së janë paraqitur 3 denoncime nga publiku, por që nga verifikimi i dosjeve ka rezultuar se ato janë kryer në dy raste nga persona të hetuar prej prokurorit Dibra, të cilët më pas janë dënuar. Ndërsa denoncimi i tretë është bërë nga një dedektiv privat, por Komisioni ka gjetur se prokurori Behar Dibra i ka kryer hetimet në përputhje me ligjin. Bungo tha se nga vlerësimi i kryer prej Komisionit, ka rezultuar se nuk ka pasur indicie për shkelje të ligjit nga ana e Dibrës.

Vetë prokurori Behar Dibra tha se mospërputhja e çmimit në kontratë nga çmimi real i blerjes së apartamentit kishte ardhur si pasojë e gabimit të palës shitëse, si edhe e mungesës së vëmendjes së tij ditën e firmosjes së aktit.

“Sapo u njoha me këtë pasaktësi e kontestova,” shpjegoi prokurori Dibra. “E kam paguar vlerën 5 milionë lekë dhe ende vazhdoj të paguaj kredinë,” shtoi ai. Në fund të seancës, prokurori Dibra kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK do të shpallë vendimin më datë 25 qershor, ora 09:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *