Gjyqtarja e Apelit Administrativ, Fjoralba Prifti | Foto: V. Karaj
Analiza Korrupsioni KPK Në Fokus

Shkarkimi i gjyqtares Fjoralba Prifti: Mungesë burimesh dhe deklarim të rremë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arsyeton në vendim se gjyqtarja e Apelit Administrativ nuk arriti të provojë të ardhurat si përkthyes të bashkëshortit dhe burimin e një huaje, ndërsa u ngritën dyshime edhe për fshehje pasurie.

Gjyqtarja e Apelit Administrativ, Fjoralba Prifti | Foto: V. Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 17 shtator të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Apelit Administrativ, Fjoralba Prifti për fshehje dhe mosjustifikim të pasurive, si dhe kryerje të deklarimit të rremë. Sipas Komisionit, Prifti nuk arriti të provojë një pjesë të të ardhurave të bashkëshortit të përfituara nga puna si përkthyes në institucione dhe organizata ndërkombëtare, si dhe burimin e një huaje për të cilën u konsiderua se ka kryer deklarim i rremë.

Gjithashtu, u ngritën dyshime për fshehje të pasurive dhe mosdeklarimin e tre prokurave të posaçme të lëshuara nga i vëllai, që i jepnin gjyqtares Prifti të drejtën për të kryer veprime mbi pasuritë e tij.

Procesi i vetingut për Priftin u krye nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Lulzim Hamitaj.

Në vendin e arsyetuar, KPK arrin në përfundimin se gjyqtarja Prifti gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për një apartament banimi me sipërfaqe 121.29 m2 dhe garazh me sipërfaqe 17 m2 në Tiranë, pasuri të porositura nga bashkëshorti përpara martesës në vitin 2004.

Sipas KPK-së, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të justifikojë me burime të ligjshme krijimin e këtyre pronave në vlerën 7.2 milionë lekë, nga të cilat 5.8 milionë lekë janë paguar para martesës dhe afro 1.4 milionë lekë pas martese.

“Nga hetimi i llogarive bankare të bashkëshortit të subjektit rezultoi se ai vazhdimisht derdh në bankë shuma të ardhurash cash, për të cilat mbetet i paprovuar burimi i ligjshëm i tyre,” citohet në vendim.

Ndërkohë, gjatë periudhave kur janë shlyer këstet, nuk ka rezultuar të jetë tërhequr ndonjë vlerë nga llogaritë bankare. “Duket se bashkëshorti i subjektit i ka kryer këto pagesa me të ardhura të mbajtura cash”, vëren KPK.

Pas kalimit të barrës së provës, Prifti nuk ka provuar me dokumentacion ligjshmërinë e të ardhurave të bashkëshortit, të deklaruara prej saj se ishin përfituar gjatë periudhës 1998-2005 nga puna e tij në Gjermani si asistent në një projekt; si përkthyes; mësimdhënës i gjuhës gjermane dhe korrektimi i një fjalori gjermanisht-shqip. Në analizën financiare për këto dy pasuri, KPK ka pranuar vlerën 14 mijë e 770 euro, si mundësi kursimi nga bursat e studimeve të bashkëshortit jashtë shtetit.

Përveç të ardhurave nga puna e bashkëshortit, si burim krijimi për këto pasuri, Prifti ka deklaruar edhe një hua në shumën 30 mijë euro marrë nga vjehrri në janar 2005, e dokumentuar sipas kontratës së huasë së shkurtit 2006.

Gjatë procesit të rivlerësimit, ajo ka shpjeguar se pjesa më e madhe e huasë, konkretisht shuma 20 mijë euro, ka qenë kontribut i vëllait të bashkëshortit që ka jetuar e punuar në Itali.

Por sipas KPK, kjo hua nuk rezulton të jetë përdorur për kryerjen e pagesave të kësteve të apartamentit dhe garazhit. Gjithashtu, ka rezultuar se huaja nuk është shlyer, edhe pse në kontratë prashikohej të kthehej brenda një afati 5-vjeçar.

KPK nuk i ka vlerësuar bindëse shpjegimet e gjyqtares Prifti, se huaja nuk ishte kthyer pasi nuk ishte kërkuar dhe se prindërit e bashkëshortit kanë jetuar së bashku me ta për një periudhë të gjatë në apartamentin e blerë.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka arritur të provojë as marrëdhënien e huasë së deklaruar dhe as burimet e ligjshme të huadhënësve, ndërkohë që në deklaratën veting nuk është pasqyruar kunati si kontributor.

“Të gjitha sjelljet e subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues i ka parë të lidhura me veprimet fiktive të kryera prej saj,[…] , të cilat nuk kanë sjellë asnjë pasojë juridike mbi pasurinë, por kanë pasur për qëllim justifikimin e burimit të krijimit të saj,” citohet në vendim.

“Kjo sidomos kur rezulton se kontrata e huasë e sipërcituar është lidhur pas marrjes së shumës prej z. E. P. dhe kthimi i saj është kryer në vitin 2019, pas kërkesës së bërë nga Komisioni për efekt të procesit të rivlerësimit dhe gjatë zhvillimit të hetimit administrativ nga Komisioni,” evidenton trupi gjykues, duke e konsideruar këtë deklarim të rremë në deklaratën “veting”.

Mungesë burimesh është gjetur edhe për krijimin e likujditeteve në vlera të mëdha nga bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit nga viti 2005 e në vazhdim. Sipas Komisionit, për rreth 13 milionë lekë obligacione të emetuara nga bashkëshorti i Priftit në disa banka, që kanë pasur si burim pagesat e kryera prej institucione të ndryshme në rrugë bankare dhe derdhje cash të kryera nga ana e tij, ka rezultuar një balancë negative në vlerën 2.4 milionë lekë.

Pasuritë e vëllait

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Prifti ka kryer disa tërheqje dhe depozitime në vlera të konsiderueshme në vitin 2015, nga llogaritë bankare të vëllait të saj.

Ajo ka deklaruar se vëllai, me anë të një Prokure të Përgjithshme të datës 1 janar 2014, i ka dhënë të drejta dhe kompetenca të plota të kryejë të gjitha veprimet e nevojshme juridike për administrimin e pasurive të tij të luajtshme dhe të paluajtshme.

Sipas Priftit, vëllai ka ardhur në Shqipëri në shkurt të 2015-ës duke sjellë me vete shumën 780 mijë lekë të kursyer nga puna e tij dhe ia ka dhënë, që t’i investonte në emër të tij në obligacionet e qeverisë shqiptare.

Sipas Komisionit, subjekti duhej t’i kishte deklarur këto transaksione të kryera për llogari të vëllait të saj, si edhe burimet e krijimit të vlerave financiare që ka tërhequr dhe depozituar.

“Subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar këto veprime financiare të kryera prej saj dhe, për pasojë, ato i janë shmangur edhe kontrollit edhe verifikimit lidhur me ligjshmërinë e burimit të tyre,” konstaton Komisioni, i cili ngre dyshime se mospasqyrimi i prokurës së përgjithshme në deklaratën veting ka qenë i qëllimtë.

Sipas KPK-së, në korrik të vitit 2013, vëllai i Priftit ka blerë një apartament me sipërfaqe 71.24 m2 në Shëngjin në vlerën 4,1 milionë lekë dhe një muaj më vonë, ka blerë një apartament tjetër me sipërfaqe 65,5 m2 dhe verandë me sipërfaqe 23,7 m2 në Lezhë, në vlerën 3 milionë e 930 mijë lekë. Në gusht 2015, ai ka blerë edhe një parkim me sipërfaqe 13,25 m2 në Shëngjin, për vlerën 140 mijë lekë.

Nga verifikimi në sistemin TIMS ka rezultuar se vëllai i subjektit nuk ka qenë në Shqipëri në datat e nënshkrimit të kontratave të shiblerjes së apartamentit në Lezhë dhe parkimit të Shëngjin.

Ndërkohë, ka rezultuar se ai ka lëshuar dy prokurora të tjera veç asaj të vitit 2014, një të përgjithshme në vitin 2007 dhe një të posaçme në vitin 2015, të cilat nuk janë pasqyruar nga Prifti në deklaratën veting.

Kundrejt dyshimeve të ngritura nga KPK lidhur me zotërimin e të drejtave në këto pasuri, Prifti ka deklaruar se nuk ka qenë palë në kontratat e shitblerjes së pasurive nga ana e vëllait të saj. Lidhur me faktin se ai nuk është gjendur në Shqipëri, ajo ka shpjeguar se, pasi kishte biseduar me të vëllanë në lidhje me këtë çështje, ai i shpjegoi se kontratat noteriale janë nënshkrur prej tij kur ka qenë në Shqipëri, në prezencë të përfaqësuesit të palës shitëse, në prezencë të tij dhe të noterit.

Ndryshimet e datave janë quajtur si gabim i noterit dhe Prifti ka deklarur se vëllai nuk ka interes për të kërkuar nga noteri ndreqjen e gabimit të datës dhe muajit në aktin noterial. “[…], pasi përcaktimi i një date me korrigjime në aktin noterial të pakundërshtuar nga palët dhe që ka sjellë pasoja për to, nuk vlerësohet se cënon përmbajtjen thelbësore të aktit,” citohet të ketë thënë gjyqtarja Prifti.

Në lidhje me pikëpytjet e ngritura nga trupi gjykues për blerjen e një apartamenti të dytë nga i vëllai në të njëjtin vend, Prifti ka sjellë në vëmendje të trupit gjykues deklaratën e vëllait të qershorit 2020, ku  shpjegon se fokusi i investimeve të tij para se të merrte nënshtetësinë gjermane në vitin 2016 ishte në Shqipëri dhe pas kësaj periudhe në Gjermani.

“Ky shpjegim është i qartë dhe mbështetet nga hetimi i Komisionit, sipas të cilit pas marrjes së nënshtetësisë gjermane në vitin 2016, pavarësisht se ka të ardhura të konsiderueshme në Gjermani, vëllai i saj E. Q. nuk i ka fokusuar më investimet e tij në Shqipëri,” thuhet në vendim.

KPK vëren se shpjegimet që Prifti ka dhënë në lidhje me marrëdhënien e saj me këto pasuri, janë hera herës kontradiktore dhe të paarsyeshme. Sipas trupit gjykues, mospërputhjet ngrenë dyshime të forta për paraqitjen e rrethanave të rreme, të cilat tentojnë të fshehin nga kontrolli apo verifikimi një marrëdhënie të një natyre tjetër, që është ajo e pronësisë me këto pasuri.

KPK nuk ka përfshirë në analizën financiare të përgjithshme për periudhën 2003-2016 të ardhurat e bashkëshortit para martese si dhe huanë për blerjen e apartamentit në Tiranë, prej nga ka rezultuar një balancë negative në vlerën 3.5 milionë lekë. Trupi gjykues arrin në konkluzionin se pasuritë e fituara janë rrjedhojë e fshehjes së detyrimeve fiskale.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *