Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Shkarkimi i Sotiraq Lubonjës, për 13 milion dhurata të pajustifikuara dhe mosdeklarim

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit doli në përfundimin se gjyqtari i Apelit të Korçës Sotiraq Lubonja kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm, ndërsa kishte fshehur pjesë të shtëpisë, shpenzime dhe nuk justifikonte 13 milion lekë të pretenduara si të ardhura nga dhuratat.

Gjyqtari Sotiraq Lubonja gjatë seancës dëgjimore të KPK-së | Foto nga : Besar Likmeta

Mosdeklarimi i plotë i një shtëpie në sipërfaqe dhe vlerë, pjesërisht e ndërtuar pa leje dhe deklarimi i rreth 13 milionë lekëve të marra si dhurata dhe pagesë udhëtimesh nga nëna e prindërit e bashkëshortes, i kanë kushtuar shkarkimin Gjykatësit të Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja.

Trupa gjykuese e përbërë nga Suela Zhegu si kryesuese, Brunilda Bekteshi anëtare dhe Valbona Sanxhaktari si relatore, shqyrtoi rastin në të tre kriteret, ndërsa vendosi të shkarkonte Lubonjës për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Në vendimin e zbardhur thuhet se në kriterin e pastërtisë së figurës ai u cilësua i përshtatshëm, ndërsa në kriterin profesional u tha se arrite nivelin minimal kualifikues.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit dha raport negativ për Lubonjën. Sipas  ILDKPKI-së ai kishte kryer deklarim të rremë, fshehje pasurie, kishte bërë deklarim të pasaktë dhe nuk kishte burime të mjaftueshme financiare.

Lubonja i cili u përfshi në procesin e rivlerësimit si pjesë e listës prioritare për shkak se u shortua si anëtarë zëvendësues i KED-së, është prej 15 vitesh anëtar i Gjykatës së Apelit të Korçës dhe kërkoi nga KPK të konfirmohej.

Lexo edhe:

Dhuratat nga SHBA, KPK pikëpyetje mbi pasurinë e gjyqtarit Sotiraq Lubonja

Gjyqtari i Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja ngel në veting

Problemet e shtëpisë

Shtëpia dhe trualli sipas Lubonjës ishte përfituar nga dhurimi prej miqve të babait, gjë për të cilën KPK nuk ka ngritur dyshime.  Por fillimisht ILDKPKI dhe më pas KPK gjetën se gjyqtari Sotiraq Lubonja kishte deklaruar se zotëronte një banesë 61 metra katrorë me dy kate plus papafingo në Korçë, por hetimi i Inspektoriatit dhe më pas vetë Komisioni, gjetën se ai nuk kishte deklaruar 395.3 metra katrorë të ndërtesës që i përdorte për banim.

KPK gjeti se Lubonja nuk kishte deklaruar saktë as sipërfaqen bazë të shtëpisë. “Duke iu referuar sipërfaqes bazë të ndërtimit prej 61 m2, kur në fakt sipërfaqja faktike e bazës së ndërtimit sipas dokumentacionit rezulton të jetë 121.4 m2”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Komisioni thotë se Lubonja kishte deklaruar si shpenzime për shtëpinë, prej të cilës zotëron dy të tretat të përfituara si dhurata nga të tretë, 2.5 milion lekë, ndërsa nuk kishte dhënë një kohë të saktë të ndërtimit të shtesës pa leje dhe as të shpenzimeve që ishin kryer për të.

KPK thotë në vendim se gjeti që referuar kostove minimale të ndërtimit në vitin 1997, kur supozohet se ka filluar ndërtimi i shtesës, Lubonja nuk ka deklaruar shpenzimet e plota për ndërtimin e banesës. Kostoja minimale e ndërtimit sipas KPK-së në këtë rast është 6.3 milion dhe jo 2.5 milion siç deklaron gjykatësi i shkarkuar.

Lubonja e mbrojti këtë deklarim duke pretenduar se tullat ishin blerë herët, me një çmim shumë të lirë dhe ishin mbajtur për pesë vjet në shtëpi. Ai sipas KPK-së paraqiti prova për këtë disa foto. Por Komisioni thotë se sërish diferenca e vlerës së deklaruar dhe asaj që llogaritej se duhej shpenzuar mbetej e madhe.

Komisioni thotë se në të gjithë procesin gjyqtari nuk dha shpjegim të qartë të kohës kur ishte kryer ndërtimi duke e lënë këtë të hapur mes viteve 1996-2002. Gjyqtari madje tha se tullat për ndërtimin ishin blerë në vitin 1991.

KPK thotë se shpjegimet e tij qoftë për burimin finaciare të shpenzimeve, qoftë për kohën nuk qenë bindëse. “Në vlerësimin në tërësi të kësaj prone, rezulton se subjekti i rivlerësimit ishte konfuz në deklarimet e tij”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Në vendim del se Lubonja ka pretenduar që shtëpia është ndërtuar nga nëna e tij, “por ajo ka qenë një grua në moshë dhe kjo nuk e bindi trupin gjykues, pasi subjekti i rivlerësimit ka jetuar sëbashku me nënën gjatë gjithë kohës”.

Po ashtu KPK thotë se Lubonja nuk e provoi me dokumente shpenzimin e 2.500.000 lekëve sipas vetëdeklarimit për ndërtimin e kësaj prone, ndërsa theksoi se ajo ishte “disa herë më e ulët se vlera mesatare e përcaktuar për vitin 1997, pa llogaritur se kjo pronë mund të jetë ndërtuar edhe më vonë, deri në vitet 2002– 2006 (koha kur ka aplikuar për legalizim)”.

Në lidhje me këtë pasuri KPK doli në përfundimin se Lubonja kishte bërë deklarim të pasaktë dhe kishte kryer fshehje. “Ai ka kryer deklarim të rremë lidhur me vlerën e ndërtimit të pronës”, thuhet në vendimin e KPK-së, ndërsa theksohet se ai kishte fshehur sipërfaqe të pronës.

Dhurata cash nga nëna dhe vjehrri e vjehrra

Nga deklarimet periodike dhe nga deklarata veting KPK hetoi në lidhje me burimin e një shume prej rreth 13 milion lekësh, pas dyshimeve nga ILDKPKI se ajo nuk justifikohej. Shuma sipas vendimit të zbardhur ndahej në 4 milion të dhuruara nga nëna në disa raste dhe 9.2 milion të dhuruara në pjesën më të madhe cash nga prindërit e gruas ndërsa një pjesë si pagesa shpenzimesh udhëtimi.

KPK hetoi fillimisht dhurimet nga nëna e ndjerë e Lubonjës. Gjykatësi pretendoi se ajo veç pensionit, kishte mbajtur llogaritë e familjes, pagën e tij dhe bashkëshortes, dhe deri në vitin 2012 kishte arritur të kursente prej tyre 3 milionë. Kjo shumë ishte investuar më pas nga bashkëshortja e subjektin në bono thesari.

Po ashtu gjykatësi kishte deklaruar edhe më herët në deklarimet vjetore se nëna i kishte dhuruar shumën prej 325 mijë lekësh për të paguar dokumentet e makinës dhe po ashtu edhe një shumë prej 1.5 milionësh në vitin 2003.

KPK i kaloi Lubonjës barrën e provës për 4 milionë lekë, duke kërkuar të dëshmonte të ardhurat e nënës dhe burimin e ligjshëm të këtij dhurimi. Sipas Komisionit justifikimi i gjyqtarit ishte se nëna kishte kursyer të ardhurat e familjes. “Shuma e trashëguar nga nëna pas vdekjes ishte si rezultat i miradministrimit të të ardhurave të depozituara nga ne tek ajo”, tha gjykatësi.

Por KPK e rrëzoi këtë pretendim. Sipas Komisionit ishte e pamundur që nëna e subjektit të kursente, duke pasur parasysh shpenzimet e deklaruara, shumën e përmendur. KPK lë të kuptohet se kjo bëhej më pak e besueshme nëse merrej në konsideratë që Lubonja vetë kishte deklaruar kursime të tjera në deklaratat vjetore. “Trupi gjykues nuk u bind për të kundërtën e rezultateve të hetimit, duke i konsideruar si mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar vlerat financiare të dhuruara nga nëna”, thuhet në vendim.

Përfundim të ngjashëm Komisioni arriti pas shqyrtimit të dhuratave në vlerë 9.2 milion lekë, përfshi pagesa për udhëtime në SHBA e të ngjashme, nga prindërit e bashkëshortes dhe vëllai i saj. Sipas Komisionit 3.7 milion janë llogaritur shpenzime të disa udhëtimeve të gjata në SHBA, ndërsa 5.5 milion janë dhurata cash, të dërguara në disa vite. Dhurimet përfshijnë një shumë 25 mijë dollarë në vitin 2005, një shumë 11 mijë euro për dy djemtë në vitin 2014, një shumë prej 5 mijë dollarësh për dy djemtë në vitin 2015, dhe 800 mijë lekë në dy vite të tjera për bashkëshorten e subjektit.

KPK analizoi i kërkoi Lubonjës shpjegime rreth pasurive të personave të lidhur. Komisioni mësoi se vjerri dhe vjehrra për një periudhë kohe kishin të ardhura 35 mijë dollarë në vit, po ashtu nga viti 1998-2018 ata kishin marrë 6.2 milion lekë pensione në  Shqipëri. Kunati sipas vendimit të zbardhur rezultoi me të ardhura të mira.

Lubonja e justifikoi dhurimin me ndihmë për nipërit, ai tha se në SHBA udhëtimet ishin paguar në gjithçka nga vjehrri dhe vjehrra përfshi edhe ushqimin e veshjet.

Por KPK në përfundim tha se dhurimet nuk justifikoheshin, ndërsa shpjegoi se nuk kishte prova për ekzistencën e tyre në disa raste. “Megjithëse subjekti i rivlerësimit paraqiti një dokument lidhur me të ardhurat vjetore të tyre në SHBA dhe Shqipëri, trupi gjykues nuk u bind lidhur mbi mundësitë financiare të dhuruesve, pasi në asnjë rast të shpjeguar më lart në vendim, subjekti nuk mundi të provojë se ato para kishin ardhur në ndonjë formë që të mund të provohej përfitimi i tyre (transfertë bankare, deklarim në kufij) dhe se ato dhurime krijuan dyshime për trupin gjykues”, thuhet në vendim.

Pasi gjeti edhe mungesë financiare për blerjen e një makine në vitin 2005, KPK doli në përfundimin se gjykatësi Lubonja duhej të shkarkohej për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Sipas KPK-së pasuria e pretenduar e dhuruar ishte “deklarim i rremë”, ndërsa u cilësua deklarim i pasaktë e fshehje pasurie mos deklarimi i plotë i shtëpisë dhe sipërfaqes së saj e kostove të ndërtimit. “Trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”, thuhet në vendim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *