Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori gjatë një seance të  Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Foto: LSA
Analiza Korrupsioni KPA Në Fokus

Shkarkimi i Xhezair Zaganjorit peshon precedentët e vetingut në Kolegj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit e quajti konkluzionin e KPK-së se kryetari i Gjykatës së Lartë kishte kryer “evazion tatimor të ligjshëm” një term që sfidon logjikën, ndërkohë që interpretoi peshën e deklaratave periodike në proces si dhe përcaktimin për dyfishin e pasurisë së ligjshme.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori gjatë një seance të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Foto: LSA

Më 26 korrik 2019, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vulosi me shkarkim karrierën e gjatë të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe përforcoi njëherazi disa precedentë për vazhdimësinë e procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë.

Nisur nga ankimimi i Komisionerit Publik, Florian Ballhysa dhe apeli kundërshtues i ushtruar nga Zaganjori, Kolegji mori në shqyrtim termin “evazion fiskal i ligjshëm” i përdorur nga KPK, po aq sa peshën që duhet të zënë në proces deklaratat periodike të pasurisë në raport me deklaratën “veting”.

Kolegji bëri gjithashtu një interpretim shterues të nenit D të Kushtetutës dhe nenit 61 të ligjit “për rivlerësimin kalimtar” lidhur me aplikimin e konceptit të dyfishit të pasurisë së ligjshme në procesin e vetingut.

Xhezair Zaganjori, ish-pedagog dhe diplomat, ishte një ndër zyrtarët më të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. I zgjedhur në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2003 dhe në Gjykatën e Lartë në vitin 2013, ai e kaloi vetingun në shkallë të parë përmes një vendimi të diskutueshëm të trupës gjyqësore me kryetar Olsi Komici, relatore Pamela Qirko dhe anëtar Roland Ilia.

Vendimi i KPK-së u kundërshtua përmes një rekomandimi të ONM-së, i pasuar nga ankimi i Komisionerit Publik, i cili në tetor 2018 i kërkoi Kolegjit shkarkimin e Zaganjorit me argumentin se nuk justifikonte pasurinë dhe nuk kishte paguar tatimet.

Procesi i Zaganjorit në shkallën e dytë të vetingut zgjati 3 seanca dhe u gjykua nga trupa e drejtuar nga Albana Shtylla, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Luan Daci, Sokol Çomo dhe Natasha Mulaj.

Në fund, Kolegji e përmbysi vendimin e KPK-së, duke arritur në përfundimin se kreu i Gjykatës së Lartë nuk arriti të provojë mbulimin me burime të ligjshme për 4 pasuri të patundshme në Tiranë, kishte deklarim të pasaktë të burimit të blerjes së një apartamenti në Durrës si dhe mungesë dokumentimi të pagesës së tatimeve për të ardhurat e përfituara nga qiratë në vitet 1999-2007.

Sipas vendimit të arsyetuar të Kolegjit, Zaganjori ka kryer gjithashtu deklarim të pasaktë të shpenzimeve për shkollimin e djemve jashtë shtetit si dhe rezultoi në pamundësi financiare prej 2.9 milionë lekësh në vitet 2012 dhe 2014.

 ‘Evazioni i ligjshëm’ sfidon logjikën  

Në ankimin e vendimit për Zaganjorin, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa argumentoi se Komisioni është mbështetur në arsyetime të gabuara lidhur me përmbajtjen dhe zbatimin e dispozitave kushtetuese sa i përket pagesës së taksave dhe tatimeve si dhe zhvlerësimit të deklaratave periodike të pasurisë në raport me deklaratën “veting”.

Komisioneri e gjeti gjithashtu të pambështetur vlerësimin e Komisionit se subjekti kishte shfrytëzuar boshllëkun ligjor nëpërmjet kontratave fiktive, duke shmangur detyrimet tatimore dhe duke kryer “evazion tatimor të ligjshëm”.

Konkluzionin e KPK-së për “evazion fiskal të ligjshëm” e kundërshtoi edhe Zaganjori në apelin e tij kundërshtues përballë Kolegjit, duke e cilësuar atë të pabazuar në ligj dhe në prova. Megjithatë, Zaganjori mbrojti idenë se vendimi i KPK-së bazohej në nenin D të Kushtetutës si dhe ishte në përputhje me Komentarin mbi Reformën Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë.

“Mbrojtja e ligjit fiskal nuk ka lidhje me procesin e rivlerësimit, megjithëse ligjvënësi për njërin prej shkaqeve të prezumimit të pasurisë së paligjshme ka shquar mospagimin e detyrimeve fiskale në më pak se gjysmën e të gjithë pasurisë,” citohet pretendimi i Zaganjorit në vendimin e KPA-së.

Në vendimin e arsyetuar, Kolegji ndalet në termin “evazion tatimor i ligjshëm”, i përdorur nga KPK në justifikimin e katër pasurive të patundshme të Zaganjorit, duke e konsideruar atë një koncept që mund të krijojë keqkuptime dhe t’u lerë vend interpretimeve të pasakta në vlerësimin e pasurisë së subjekteve të tjera.

“Termi evazion tatimor i ligjshëm mungon në normimin ligjor në koncept dhe përmbajtje dhe për më tepër, zgjedhja e këtij termi sfidon logjikën,” thuhet në vendimin e KPA-së.

Duke iu referuar frengjishtes, KPA argumenton se termi evazion përkufizon një formë negative të vepruari për t’iu shmangur detyrimeve tatimore të përcaktuara nga ligji, që sipas trupës është e sanksionueshme administrativisht dhe penalisht dhe për rrjedhojë, nuk mund të jetë i ligjshëm.

Trupi gjyqësor i KPA-së rrëzon edhe argumentimin e Komisionit mbi të ashtuquajturin boshllëk në legjislacionin e kohës për çmimet e referencës në shitjen e pasurive të paluajtshme si dhe pretendimin e Zaganjorit se kontratat e shitjes ishin fiktive dhe për rrjedhojë, absolutisht të pavlefshme.

“Ky i fundit [legjilsacioni i kohës]  parashikon me hollësi detyrimet e palëve kontraktore për të deklaruar vlerën reale të transaksionit të pasurisë dhe detyrimin e ZVRPP-së, në cilësinë e agjentit tatimor, për vjeljen e detyrimit tatimor,” argumenton KPA.

“Pretendimi për pavlefshmëri absolute të kontratave të shitblerjes nuk rezulton të jetë bërë objekt shqyrtimit gjyqësor dhe nga dokumentacioni i administruar nuk rezulton asnjë e dhënë që shitësi apo blerësi të kenë paraqitur padi në gjykatë me këtë objekt kërkimi. Për rrjedhojë, pretendimi i subjektit të rivlerësimit nuk qëndron,” thuhet gjithashtu në vendim.

Dyfishi i pasurisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka interpretuar edhe dy pretendime të Zaganjorit, të pranuara nga Komisioni në shkallë të parë lidhur me rolin që kanë deklaratat periodike të dorëzuara në ILDKPKI në raport me deklaratën “veting” si dhe konceptin e dyfishit të pasurisë së ligjshme.

Në justifikimin e 4 pasurive të patundshme të Zaganjorit, KPK argumentoi se veprimet me këto prona ishin kryer jashtë periudhës së rivlerësimit të subjektit dhe për rrjedhojë nuk mund të konkludohet për shkelje ligjore që çojnë në shkarkimin e subjektit.

Por KPA nuk pajtohet me këtë argumentimin të Komisionit, duke e quajtur edhe atë alogjik.

“Legjislacioni i posaçëm për rivlerësimin kalimtar nuk vendos kritere kohore lidhur me provueshmërinë e ligjshmërisë së burimeve….Për më tepër, vendosja e kritereve kohore do të ishte alogjike dhe do të binte ndesh me konceptin e rivlerësimit, i cili për nga natyra nënkupton kontrollin e veprimeve të ndodhura në të shkuarën,” thuhet në vendim.

Kolegji argumenton më tej se neni 32, pika 5 e ligjit “për rivlerësimin kalimtar” u jep deklaratave periodike cilësinë e provës dhe krahasimi i deklaratës “veting” me ato të mëparshmet konsiderohet si mjet që shërben për të ndjekur ecurinë dhe vërtetësinë e deklarimeve të subjektit.

Kolegji bën gjithashtu një analizë të pikave 3 dhe 4 të nenit D të Kushtetutës, të harmonizuara me pikat 1 dhe 3 të nenit 61 të ligjit të vetingut dhe arrin në përfundimin se shkelja e pikës 1 “deklarimi më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme” parashikon një rast specifik dhe të pavarur  nga shkelja e pikës 3 që parashikon “pamjaftueshmërinë e deklarimit të pasurisë”.

“Të dyja këto raste rrjedhin nga situata specifike të veçanta dhe nuk mund të konsiderohen se zbatohen në mënyrë kumulative,” argumenton trupa gjykuese.

Mendimi paralel i kryesueses

Trupi gjykues i Kolegjit nuk ka qenë unanim për të gjitha çështjet e trajtuara në çështjen e Zaganjorit. Momenti ligjor i fitimit të pronësisë mbi 4 pasuritë e patundshme të përbëra nga një apartament, një bibliotekë, një bodrum dhe një zyrë në rrugën “Dedë Gjo Luli” në Tiranë ka ndarë në një mendim paralel kryetaren e trupit gjykues, Albana Shtylla.

Lidhur me këto pasuri, Zaganjori kundërshtoi ankimin e Komisionerit Publik dhe sqaroi se prona është zhvilluar urbanisht në vitin 1997 dhe pronësia reale mbi to është fituar në vitin 1997 dhe jo në vitin 2001, kur janë nënshkruar kontratat “fiktive” të shitblerjes.

Pretendimet e Zaganjorit u pranuan në shkallë të parë, por shumica në Kolegj kritikon Komisionin për tejkalim të kompetencave në këtë konkluzion. Kolegji vlerëson se pretendimi i Zaganjorit dhe arsyetimi i KPK-së se pronësia daton nga viti 1997 mbeten në nivel deklarativ, përballë kontratave të shit-blerjes së vitit 2001, që konsiderohen prova të pakontestueshme.

Kolegji vlerëson gjithashtu se përmes arsyetimit të vet, KPK kërkon të vendosë se cila është mënyra e fitimit të pronësisë –një trajtim që kryhet në rrugë gjyqësore dhe sipas Kolegjit nuk është në kompetencën e institucioneve të vetingut.

“…konkluzioni i Komisionit që hodhi poshtë kontratat e shitblerjes mbështetur vetëm në deklaratat e subjektit tejkalon kompetencën e Komisionit apo të një institucioni të rivlerësimit kalimtar,” thuhet në vendimin e KPA-së.

“Për rrjedhojë, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se kjo mënyrë interpretimi është në tejkalim të kompetencave që Kushtetuta dhe ligji nr. 84/2016 u kanë dhënë institucioneve të rivlerësimit,” thuhet në vendim.

Ndryshe nga shumica e KPA-së, kryesuesja Albana Shtylla bën një vlerësim të ndryshëm të situatës faktive të 4 pasurive të paluajtshme.

“Kontratat e shitblerjes të datës 6.10.2001 rikonfirmojnë situatën faktike që ekzistonte para nënshkrimit të tyre…,” vlerëson Shtylla, e cila evidenton kontradikta edhe në argumentimin e anëtarëve të tjerë të Kolegjit, që ka pranuar tashmë investimin e kryer nga subjekti.

Në mendimin e saj paralel, Shtylla pranon mundësinë që Zaganjori mund të përfitonte të ardhura nga qiraja para vitit 2001, por sipas saj ato nuk mund të konsiderohen të ligjshme pasi nuk u dokumentua pagesa e tatimeve.

Shtylla bie gjithashtu dakord me pjesën tjetër të trupës se subjekti nuk provoi gjithashtu se investimet e kryera për 4 pasuritë deri në vitin 1999 buronin nga të ardhura të ligjshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *