Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Shkarkohet Admir Belishta, kryetar i Gjykatës së Korçës

Problemet me pasurinë dhe pastërtia e figurës që u gjetën gjatë hetimit të KPK rezultuan shkarkuese për kryetarin e Gjykatës së Korçës Admir Belishta.  

Kryegjyqtari i Korçës Admir Belishta në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj

Kreu i Gjykatës së Korçës u shkarkua mëngjesin e të premtes nga Komisioni i Pavarur i Kualfikimit, pasi gjatë seancës dëgjimore iu vu në dukje se nuk kishte burimin të ligjshëm të pasurisë dhe se kishte rezultuar me kontakte me persona të papërshtatshëm në kriterin e figurës.

Belishta nuk reagoi pas vendimit të treshes së kryesuar nga Olsi Komici, me anëtar Lulzim Hamitaj dhe relatore Genta Tafa. Gjatë seancës të mërkurën ai i mohoi akuzat.

Belishta u shortua për t’iu nënshtruar rivlerësimit në janar si kryetar i Gjykatës së Korçës, ndërsa u thirr në seancë dëgjimore më 14 dhjetor. Belishta e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003, si gjyqtar në qytetin e Korçës. Në vitin 2007, ai është emëruar kryetar i kësaj gjykate, detyrë të cilën e mban edhe sot. Përveç punës si gjyqtar, Admir Belishta është angazhuar në mësimdhënie, por edhe si ekspert i organizatave ndërkombëtare në Shqipëri për çështjet e së drejtës.

Gjatë seancës dëgjimore relatorja vuri në dukje se për Belishtën raportimet kishin qenë negative edhe nga Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).

ILDKPKI i raportoi KPK-së se Belishta  kishte “bërë deklarim të pasaktë, s’kishte burime të ligjshme financiare, ka kryer fshehje të pasurisë dhe ka bërë deklarim të rremë”. Pozitiv raporti ishte vetëm në konstatimin se ai nuk kishte konflikt interesi. Këto gjetje sipas relatores u provuan edhe nga hetimi i KPK, kryesisht mbi burimin e një apartamenti 6 milion lekë në Korçë dhe për një shtëpi në fshatin e lindjes.

Belishta pretendoi se burimi i krijimit të pasurisë ishte i ligjshëm. “Deklaroj me sinqeritet se burimi i pasurisë është nga të ardhurat e mia, duke filluar nga shkëputja prej trungut familjar në vitin 2004”, tha gjyqtari gjatë seancës dëgjimore.

Ndërkohë DSIK përcolli dy raporte të ndryshme për Belishtën. Relatorja duke iu referuar raportit të rishikuar vuri në dukje se gjyqtari ishte cilësuar “i papërshtatshëm”. Tafa vuri në dukje se ishte bërë një hetim rreth këtij raporti dhe se ishte arritur në përfundimin se “Informcioni ka elementët e kërkuar dhe konsiderohej i plotë” dhe se nga hetimi i komisionit “u krijua bindja se informacioni është i vërtetë”. KPK nuk bëri të ditur se cili ishte kontakti i papërshtatshëm apo çfarë e cënonte në këtë rast figurën e gjyqtarit. Belishta e mohoi edhe këtë akuzë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *