Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Shkarkohet gjyqtari Luan Dervishi ishte kandidat për në Kushtetuese

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës Luan Dervishi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili e gjeti atë me probleme të justifikimit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Dervishi kandidonte për një vend në Gjykatën Kushtetuese dhe KLGJ.

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Luan Dervishi dhe avokati Ardian Visha gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: Malton Dibra/LSA

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës Luan Dervishi u shkarkua të hënën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili e gjeti atë me probleme të justifikimit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës.

Treshja e KPK-së që kreu hetimin administrativ të Dervishit vendosi të hënën për shkarkimin e tij, ndërsa gjykatësi pas seancës tha se do të apelonte vendimin.

Gjatë seancës dëgjimore Dervishit iu bë me dije se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte gjetur probleme të pasurisë dhe të integritetit.  Raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), hodhi po ashtu dyshime për përfshirjen e gjyqtarit në korrupsion dhe pasjen e kontakteve të papërshtatshme.

Luan Dervishi, i cili shërben si gjyqtarë që prej vitit 1982, ishte në listën prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij për një post në Gjykatën Kushtetuese. Pas publikimit të thirrjes së dytë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Dervishi shprehu gjithashtu interesin për të qenë pjesë e institucionit.

Pas seancës ai ka kundërshtuar vendimin. “Nuk jam dakord me vendimin, të gjitha pretendimet do t’i bëj me dije në ankimim”, u tha Dervishi gazetarëve jashtë sallës ku u dha vendimi.

Hetimi administrativ për gjyqtarin Dervishi u krye nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Firdes Shuli, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Pamela Qirko. Gjatë seancës dëgjimore për Dervishin relatorja bëri me dije një listë të gjatë mospërputhjesh në deklarime dhe mungesë të burimeve të ligjshme për pasurinë e gjyqtarit Dervishi.

Ndërkohë DSIK kishte dërguar dy raporte për Dervishin: i pari me konstatimin “i përshtatshëm”, dhe më pas pas informacionit nga Shërbimi Informativ Shtetëror i dha KPK-së një raport “papërshtatshmërie”. Dervishi i kundërshtoi akuzat.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *