Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Shkarkohet kreu i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Hysni Demiraj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të Demirajt, pas problemeve me justifikimin e pasurisë dhe disa vendime gjyqësore të dhëna në Gjykatën e Apelit të Tiranës.   

Gjyqtari Hysni Demiraj pas shpalljes së vendimit të KPK-së.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përbërë nga Roland Ilia, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja shpalli të premten vendimin e shkarkimit për kryetarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj. Pas shpalljes së vendimit, Demiraj qëndroi i palëvizur në sallë derisa ajo u boshatis.

Hysni Demiraj u përball në seancën dëgjimore të së mërkurës me probleme të pasurisë, të vendimeve gjyqësore dhe një seri denoncimesh nga një gjyqtar i Apelit, ndërsa replikoi me vëzhguesin e ONM-së për etikën dhe një borxh prej 5 milionë lekësh, marrë nga një biznesmen. Seanca dëgjimore u mbyll me irritimin e tre qytetarëve të pranishëm në sallë, të cilët e akuzuan atë për një vendim të padrejtë.

Përgjatë dy orëve të seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit renditi probleme me pasurinë dhe me një sërë vendimesh të dhëna nga Demiraj, ndërkohë që ky i fundit i kundërshtoi gjetjet dhe shprehu bindjen se bën pjesë në 20-30 gjyqtarët më të mirë të vendit.

Hysni Demiraj e ka filluar karrierën në fillim të viteve ’90 si hetues dhe më pas si prokuror në Tropojë. Në mesin e viteve ’90 ëshë emëruar gjyqtar në Gjirokastër, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2009, kur u transferua në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Ndërsa në vitin 2016 u zgjodh kryetar i kësaj gjykate.

Gjatë seancës u përmendën gjithashtu dyshime për favorizimin e tij nga një kompani ndërtimi në Tiranë, e gjykuar më pas nga Demiraj, një konflikt me shoferin e gjykatës së Apelit si dhe një mori vendimesh gjyqësore, të konsideruara nga Komisioni me probleme, mes të cilave edhe masa e sigurisë për ish-gardistët e ngjarjes së 21 Janarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *