Gjyqtari Fehmi Petku, gjatë seancë dëgjimore në KPK | Foto nga : BIRN
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

Shkarkohet nga detyra kreu i Apelit për Krime të Rënda

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin Fehmi Petku, kreu i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.

Gjyqtari Fehmi Petku, gjatë seancë dëgjimore në KPK | Foto nga : BIRN

Trupa gjykuese e KPK-së e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Xhensila Pine dhe Pamela Qirko, shpalli të martën vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Fehmi Petku.

Vendimi i KPK-së vjen pasi hetimi administrativ i udhëhequr nga relatorja Xhensila Pine ndaj gjyqtarit, zbuloi probleme për të tre kriteret e vetingut; pasurin, pastërtinë e figurës dhe profesionalizimin e subjektit.

Petku e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar pranë Gjykatës së Tiranës përgjatë viteve 2000-2009 dhe më pas në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Prej vitit 2015, Petku është emëruar kryetar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.

Deri tani KPK ka shkarkuar nga detyra 30 gjyqtarë – përfshirë 16 kryetar gjykatash dhe ka konfirmuar në detyrë 23 syresh.

Hetimi administrativ i KPK-së i ka kaluar barrën e provës gjyqtarit Petku, për një banesë me 3 katë + papfingo në lagjen ‘Ali Demi’ në Tiranë – me pjesë takuese ¼, sipërfaqe toke 4000 m2 e blerë në gusht të vitit 1996 në shumën e 6 milionë lekëve dhe një tjetër sipërfaqe 2000 m2 e blerë për 3 milionë lekë në Tiranë, një trualli 1600 m2 dhe një ngastër toke bujqësore me sipërfaqe 10,000 m2, të gjitha me pjesë takuese ¼ dhe të trashëguara nga babai.

Hetimi i Komisionit konstatoi se familja Petku nuk ka pasur mundësi financiare të ligjshme për ngritjen e ketyrë pasurive.

Gjithashtu, sipas DSIK-së janë konstatuar kontakte të gjyqtarit Fehmi Petku me persona me lidhje me krimin e organizuar. Ndërkohë janë siguruar edhe informacione që ngrenë dyshimet për përfshirje të gjyqtarit në korrupsion pasiv gjatë shqyrtimit të çështjeve gjyqësore. Gjithashtu, relatorja Pine u shpreh gjatë seancës dëgjimore se lidhur me të dhënat e konstatuara për djalin e gjyqtarit Petku, ky i fundit mund të vihej nën presion nga persona me lidhje me krimin e organizuar.

Lidhur me profesionalizimin, relatorja Pine u shpreh se nga verifikimi i 5 dosjeve të shortuara nga KPK, ka rezultuar se subjekti nuk i kushton vëmendje arsyetimit të vendimeve. Katër prej tyre i ka mbaruar brenda afatit, ndërsa njërën jashtë afatit.

Komisioni ka gjetur se nga 25 seanca që janë verifikuar, vetëm 8 prej tyre kanë rezultuar produktive. Ndërkohë, është konstatuar se gjyqtari Petku i nënshtrohet formimit të vazhdueshëm.

Ndaj tij ka pasur dy denoncime; një nga shtetasi V.Ç. i cili nuk ka referuar shkelje ligjore dhe nga shtetasi E.A, i cili ka pretenduar se Petku ka dhënë një vendim në vitin 2003 duke kryer shkelje, pasi nuk ka pasur dokumente ku ta bazonte vendimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *