Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Shkarkohet nga detyra kryetari i Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e Gjacit, pas problemeve të konstatuara në të tre kriteret e rivlerësimit.

Valbona Sanxhaktari, Olsi Komici, Roland Ilia, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit Pashk Gjaci, kryetar i Gjykatës së Përmetit në Tiranë më 19 mars 2019. Foto: Malton Dibra/LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të enjten nga detyra kryetarin e Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci. Vendimi i shkarkimit të tij erdhi pas seancës dëgjimore, ku u konstatuan probleme me të tre kriteret e rivlerësimit.

Procesi i vetingut për Pashk Gjacin u krye nga trupa gjykuese e drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Roland Ilian. Komisioni konstatoi se kryetari i Gjykatës së Përmetit, i cili ka pasur më parë një karrierë si avokat, nuk arriti të dokumentonte burimin e ligjshëm të pasurive të tij.

Gjithashtu probleme u konstatuan edhe në pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin e gjyqtarit Gjaci, i cili pranoi se provat që kishte dorëzuar nuk janë në formën e duhur ligjore ndërsa argumentoi se pasurinë e tij e kishte vënë si produkt i investimeve të suksesshme në prona të patundshme.

Gjaci ka punuar si avokat për një dekadë deri në vitin 2010 kur u emërua kryetar i gjykatës së Përmetit, ndërsa të ardhurat e tij të vetëdeklaruara vijnë nga puna si avokat, nga paga si gjyqtar, nga paga e bashkëshortes si dhe nga fitimet nga pronat e patundshme.

Komisioni konstatoi një sërë problemesh me pronat e patundshme të gjyqtarit, të cilat përbëhen nga dy ndërtesa të privatizuara në Fan Mirditë, sipërfaqe toke në Laç dhe Velipojë si dhe një shtëpi 3-katëshe të ndërtuar mbi 500 m2 truall në qytetin e Laçit.

“Subjekti pretendon se të ardhurat nga puna si avokat janë ato të deklaruara prej tij, por ai nuk paraqiti dokumente ligjorë për ta provuar atë shumë”, theksoi relatorja.

Sipas raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), ndaj gjyqtarit pash Gjaci është regjistruar një procedim penal për shpërdorim detyre nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila ka vendosur të pushojë hetimin në vitin 2015.

Relatorja Sanxhaktari u shpreh se në raportin e DISK thuhej se veprimet e gjyqtarit Gjaci cenonin figurën, integritetin e besueshmërinë e tij dhe bëjnë subjekt ndikimi nga krimi i organizuar”.

Pozitat e kreut të Gjykatës së Përmetit u rënduan edhe nga vlerësimi i kriterit të aftësive profesionale dhe denoncimet nga publiku.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *