Shkarkohet nga detyra prokurori Hysen Keta
Lajme

Shkarkohet nga detyra prokurori Hysen Keta

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e kreut të Prokurorisë së Përmetit, pas problemeve të konstatuara kryesisht në kriterin e pasurisë.

Drejtuesi i Prokurorisë së Përmetit Hysen Keta në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto:BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të kreut të Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta pas problemeve të konstatuara me pasurinë e tij. Vendimi u shpall mëngjesin e së enjtes nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun.

Hysen Keta e ka nisur karrierën e tij në vitin 1979 dhe përveç pozicionit si prokuror,  ka punuar për një periudhë edhe si avokat. Për më shumë se një dekadë, ai e ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa në vitin 2015 u transferua me dekret të Presidentit në Prokurorinë e Tiranës. Keta u përball me vetingun si kreu i Prokurorisë së Përmetit, pas komandimit në këtë pozicion në vitin 2017.

Problemet që duket se e penalizuan subjektin lidhen me ndërtimi i një shtëpie tre katëshe mbi një  truall të trashëguar nga i ati, mungesën e dokumentacionit për të ardhurat e përfituara si avokat në vitet ’90 si dhe mungesë burimesh të ligjshme.

Komisioni kishte rrëzuar më herët me vendim të ndërmjetëm një kërkesë të tijën për të bërë ekspertizë të pavarur për kostot e dy ndërtimeve, një shtëpie tre katëshe dhe një shtese mbi një shtëpi të ndërtuar në vitet 60’.

Keta foli pak në mbrojtje të tij. Ai tha se tatimet nuk kishin kthyer përgjigje sa i përket aktivitetit të tij si person fizik në vitet 90’, por tha se mbante mend edhe zyrën dhe personin tek i cili kishte derdhur detyrimet. Ai tha se ishte dakord me gjetjet e KPK-së dhe se parashtrimet e tij i kishte paraqitur me shkrim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *