Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Shkarkohet nga KPK Dritan Seci, kryegjyqtar i Tropojës

Kryetari i Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci u shkarkua pasi KPK e gjeti me probleme të pasurisë dhe të aftësive profesionale.

Kryetari i Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci dhe avokati i tij para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Kryetari i Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci u shkarkua të hënën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i cili  e gjeti atë me probleme të pasurisë dhe të aftësive profesionale.

Trupa gjykuese e KPK-së në këtë çështje kryesohej nga Roland Ilia, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin.

Komisioni njoftoi vendimin e shkarkimit të Secit pasi e hetoi atë në të tre kriteret. Sipas relatimit në seancë dëgjimore ai rezultoi me probleme në dy prej tre kritereve. Relatori Komici tha se ishin konstatuar probleme të pasurisë dhe profesionalizmit.

Në seancë doli që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI ka raportuar se gjyqtari Seci kishte kryer deklarim jo të saktë, se nuk kishte burime të ligjshme dhe se kishte fshehje të pasurisë. Rezultate të ngjashme për kriterin e pasurisë duket se nxorri edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Relatori Komici shpjegoi në seancë se hetimi administrative kishte gjetur mospërputhje në deklarime për blerjen e një apartamenti në vitin 2012 në Bajram Curri dhe mungesë burimesh të ligjshme. Nga hetimi administrativ janë ngritur dyshime mbi aktivitetin e bashkëshortes së Secit si farmaciste dhe të ardhurat e përfituara nga ky biznes vit pas viti, të cilat janë deklaruar disa herë më ulëta sesa raportimi i bërë në zyrën e Tatimeve të Kukësit.

Sipas relatorit Komici, gjyqtari Seci ka mospërputhje edhe për blerjen dhe shitjen e një automjeti, ndërkohë që gjatë shtatë viteve të fundit rezultoi se ka përdorur makina të të afërmve të tij.

Kryetari i Gjykatës së Tropojës është përballur edhe me një tjetër gjetje të Komisionit, lidhur me një deklaratë noteriale nga një person për dhurimin 20 mijë eurove për shpenzime familjare dhe vetjake. Relatori Komici pohoi gjatë seancës dëgjimore se subjekti ka mohuar ta ketë nënshkruar këtë deklaratë dhe njohjen me personin me inicialet B.M, por KPK ka gjetur se ky shtetas kishte udhëtuar drejt Kosovës me makinën e përdorur nga Seci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *