Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Shkarkohet Shkëlzen Selimi, u gjet me lidhje me krimin e organizuar

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi braktisi seancën dëgjimore dhe seancën e dhënies së vendimit ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta shkarkojë atë në bazë të provave për lidhje me elementë të krimit të organizuar në Fier.

RIVLERESIMI I SELIMI NE KPK – Gjyqtari i Gjykates se Larte, Shkelzen Selimi, gjate nje seance te Komisionit te Pavarur te Kualifikimit, KPK, i cili ka nisur sot seancen degjimore ndaj tij. Selimi po kalon ne procesin e rivleresimit kalimtar, i njohur ndryshe si procesi i vettingut, i cili do te hetoje pasurite e tij. /r/n/r/nREVALUATION OF SELIMI AT IQC – Judge of the Supreme Court Shkelzen Selimi, during a session of the Independent Qualification Commission, IQC.

Karriera prej dy dekadash e gjyqtarit Selimi në sistemin e drejtësisë duket se u mbyll mëngjesin e të hënës më 30 korrik 2018 me shkarkimin e tij nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me argumentin se është “i papërshtatshëm” për shkak të një serie lidhjesh me elementë të krimit të organizuar.

Selimi, 44 vjeç, u diplomua si magjistrat në vitin 2000 sipas CV-së zyrtare [link] dhe ka punuar si gjyqtar për më shumë se një dekadë në Vlorë. Ai ishte gjyqtar i lartë që nga viti 2011 dhe iu nënshtrua procesit të vetingut si pjesë e listës prioritare për shkak të postit si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Pasuria e tij familjare u rrit nga 1.6 milionë lekë më 2003 në 58.5 milionë lekësh dhe ngrinte pikëpyetje të mëdha, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk u përqendrua shumë te pasuria por te raportet e shumta të siguruara nga brenda dhe jashtë vendit për lidhjet e gjyqtarit me organizata kriminale.

Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit i cili po asiston Shqipërinë në procesin e vetingut ndërhyri në proces duke ofruar informacion të marrë nga shërbime të huaja të inteligjencës sipas të cilit gjyqtari ka ndikuar në mënyrë të paligjshme për mosekstradimin në vitin 2015 drejt Italisë të shtetasit Arben Isufaj, i cili është dënuar në vendin fqinj për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Sipas ONM-së në vitet 2010-2012 subjekti ka përdorur një makinë në emër të shtetasit A.Sh, i cili është dhe shoferi i Arben Isufajt – i njohur gjithashtu si Ben Qimja. Subjekti sipas KPK-së  ka pasur kontakte të papërshtatshme me Arben Isufajn, i cilësuar si anëtar i krimit të organizuar.

Edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, institucionit shqiptar që përpunon të dhënat sekrete të shtetit, raportoi në Komision një listë të gjatë me të dhëna që tregonin lidhjet e gjyqtarit me krimin.

Në raportin e saj Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e ka cilësuar gjyqtarin Selimi si të ‘papërshtatshëm’ për shkak të një seri kontaktesh jo rastësore me përfaqësues të krimit të organizuar dhe dyshime për përfshirje në korrupsion pasiv në më shumë se një rast, duke e cilësuar gjyqtarin si “një person me tendenca për përfshirje në veprimtari kriminale’ ose ‘që mund te vihet nën presion nga krimi i organizuar.”

Gjyqtari Selimi u paraqit me protestë në seancën dëgjimore të zhvilluar më 27 korrik duke kërkuar pezullimin e procesit dhe hetim të një rrjedhjeje informacioni sekret në media. Bëhet fjalë për një përgjim telefonik ku sipas Top Channel, gjyqtari Selimi paraqitet duke komunikuar në marrëdhënie miqësore dhe duke ndërhyrë për lirimin e një të arrestuari për armëmbajtje pa leje.

Selimi e braktisi seancën duke e cilësuar procesin të kompromentuar. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me kryesuese Etleda Çiftja, relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Xhensila Pine, dhe përfaqësues ndërkombëtar John Leonard vijuan seancën dhe renditën problemet e tij, gjë që i parapriu vendimit të shkarkimit të hënën më 30 korrik 2018.

Nga Gjykata e Lartë kanë mbetur edhe dy anëtarë pa kaluar procesin e vetingut, i cili ka shkarkuar deri tani katër dhe ka kaluar tre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *