Prokurorja Ledina Riza pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Vendi

Shpjegimet dhe provat e prokurores Ledina Riza e rrudhën balancën negative të KPK-së

Prokurorja e Tiranës, Ledina Riza kundërshtoi analizën financiare të Komisionit për një pjesë të likuiditeteve duke bërë të mundur reduktimin e balancës negative për periudhën e rivlerësimit në një vlerë që nuk u konsiderua penalizuese.

Prokurorja Ledina Riza pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 5 mars 2021 të konfirmojë në detyrë prokuroren e Tiranës Ledina Riza(Lera), pasi konkludoi se ajo kishte arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës, si dhe nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.

Prokurorja Riza u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe nuk u identifikuan mangësi profesionale. Ndërsa, për kriterin e pasurisë u debatua lidhur me mungesat financiare të konstatuara për një pjesë të likujditeteve. KPK nuk evidentoi gjetje penalizuese në pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme që disponohen nga prokurorja Riza dhe bashkëshorti i saj.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit thuhet se pas mbylljes së hetimit administrativ, për periudhën 2003-2016 kishte rezultuar fillimisht një bilanc i përgjithshëm negativ në vlerën – 2,143,888 lekë.

Pasi trupi gjykues i kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Etleda Çiftjan u njohën me pretendimet dhe provat e subjektit në fuksion të barrës së provës, ka konsideruar bindëse pjesën më të madhe të tyre dhe balanca negative ka ndryshuar duke rezultuar përfundimisht me një mungesë financiare totale në -743 mijë lekë që nuk është vlerësuar penalizuese.

Pjesa më e madhe e balancave negative është konstatuar në mundësinë e krijimit të disa depozitave, ku për krijimin e njërës prej tyre Komisioni fillimisht ka konsideruar si burim edhe gjendjen cash, konkluzion që më pas është përmbysur nga Riza.

Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare për depozitimin një vlere 19 mijë e 500 euro në dhjetor të vitit 2012 që më pas është përdorur për të çelur një depozitë tjetër në shumën 20 mijë euro në janar të vitit 2013. Në analizën paraprake, pas zbritjes së shpenzimeve të kryera gjatë vitit 2012, KPK ka konstatuar se subjekti dhe bashkëshorti mund të kursenin me burime të ligjshme financiare shumën 1 milion e 128 mijë lekë dhe se shuma e mundshme për tu disponuar cash së bashku me kursimet e viteve të kaluara ka qenë 2 milionë e 464 mijë lekë.

Kjo përllogaritje ka ardhur edhe për shkak të konsiderimit si burim të një depozite 10 mijë euro të hapur në vitin 2011, gjendjen cash.

KPK ka vlerësuar fillimisht se për depozitimin e shumës prej 19 mijë e 500 euro në fund të vitit 2012, duket se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur një mungesë të burimeve të ligjshme në masën -259 mijë lekë.

Gjithashtu, Komisioni ka konstatuar pamundësi në shumën 908 mijë lekë për kursimin e shumës 6 mijë e 500 euro të deklaruar në vitin 2012, pasi ka evidentuar se gjendjet e llogarive bankare ishin më të larta se gjendjet cash të deklaruara si burim krijimi i tyre.

Prokurorja Riza e ka vlerësuar të pasaktë analizën e Komisionit duke shpjeguar se depozita 10 mijë euro e çelur në vitin 2011 është krijuar nga transferimi i kësaj shume nga një llogari tjetër likujduese e bashkëshortit. Sipas saj, ky transaksion i vitit 2011 nuk ka të bëjë fare me gjendjen cash në shtëpi të deklaruar në shumën 3 milionë lekë.

Ajo ka shpjeguar se kalimin e shumës 10 mijë euro nga llogaria rrjedhëse e bashkëshortit në depozitë me afat e ka pasqyruar në deklarimin e atij viti dhe për rrjedhojë, nuk duhet të ndikojë në gjendjen cash të deklaruar të vitit 2011.

Në vendim thuhet se Riza ka paraqitur në cilësinë e provës një përgjigje pa numër protokolli dhe pa datë, të lëshuar nga BKT-ja, në të cilën konfirmohet transferta e vlerës 10 mijë euro nga bashkëshorti i saj.

Trupi gjykues, i ka konsideruar bindëse shpjegimet e prokurores dhe ka vlerësuar se depozita 10 mijë euro është çelur në fund të vitit 2011, ndonëse formalisht ka rezultuar e hapur nga banka në ditët e para të 2012-ës, duke i vlerësuar procedurat e brendshme të bankës të pavarura nga vullneti i subjektit apo bashkëshortit të saj.

Duke pranuar mospërdorimin e gjendjes cash për krijimin e kësaj depozite, Komisioni vlerëson se gjendja totale e cash-it në banesë në 2012-ën ka qenë 3 milionë e 785 mijë lekë dhe jo 2.4 milionë lekë sa ishte konkluduar më parë.

Sipas KPK, nga kjo shumë mund të përballoheshin investimet e bashkëshortit të subjektit në depozita bankare në maj të vitit 2012 në shumën 10 mijë USD dhe dhe në muajin dhjetor në vlerën 19 mijë e 500 euro.

“Po ashtu, me të ardhurat e vitit 2012 rezulton se mund të disponoheshin kursimet e pretenduara prej 6,500 euro, në fund të vitit, për 908,180 lekë, me burime të ligjshme financiare”, konkludon Komisioni dhe konsideron se situata financiare e vitit 2012 për familjen e subjektit të rivlerësimit ka rezultuar me bilanc pozitiv.

Në vendim thuhet se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar gjendjen cash në fund të vitit 2013 në shumën 300 mijë lekë me të ardhurat krijuara në atë vit. Ndërkohë, bashkëshorti ka deklaruar gjendjen cash prej 8 mijë euro me të ardhurat nga vitet e kaluara. Nga analiza fillestare e Komisionit, shuma prej 6 mijë e 500 euro nuk mund të disponohej në fund të vitit 2012 me burime të ligjshme financiare. Si rjedhojë, subjektit i është kaluar barrë prove për një balancë negative në masën 944 mijë lekë në vitin 2013.

Kjo mungesë ka afektuar edhe analizën financiare të vitit 2014 që ka rezultuar me pamundësi financiare në shumën 372 mijë lekë për depozitimin e një vlere 1 milion lekë në muajin mars.

Për mungesën e konstatuar në vitin 2013, subjekti ka pretenduar se gjendja e disponuar cash në banesë në fund të vitit 2013, ka qenë në total 8 mijë euro. Ajo ka shpjeguar se në vitin 2013 ka deklaruar tepricë në mjete monetare nga të ardhurat e vitit 2013 në shumën 300 mijë lekë. Sipas saj, kjo vlerë, se bashku me kursimet e akumuluara në vitin 2012 në shumën 6500 euro bëjnë afërsisht 8 mijë euro.

Ajo ka kërkuar uljen e shpenzimeve të udhëtimeve të konstatuara sipas sistemit TIMS për udhëtimet në greqi duke pretenduar se ka qëndruar te shtëpia e kunatës; përfshirjen në analizën financiare të të ardhurave të bashkëshortit nga botimi i një libri në shumën 83 mijë lekë; si dhe të ardhurat nga interesat bankare të konsiderohen sipas deklarimit të bashkëshortit në vitin 2013 në shumën 199 mijë lekë.

Riza ka paraqitur si prova një deklaratë të datës 19 shkur 2021, të lëshuar nga bashkëshorti i kunatës, i cili shprehet se ka mbular shpenzimet për stregim dhe ushqim në Greqi dhe një vërtetim të po asaj date të lëshuar nga A. University, nëpërmjet të cilit konfirmohet se në vitin 2013 bashkëshorti ka përfituar të ardhura neto nga botimi i librit në shumën 83 mijë lekë.

Riza ka depozituar edhe një mandatpagese në favor të bashkëshortit në shumën 100 mijë lekë, që sipas KPK nuk ka qenë e deklaruar më parë.

Trupi gjykues ka pranuar pjesërisht pretendimet e subjektit për këto barra prove. Janë zbritur nga analiza financiare shpenzimet e udhëtimeve në Greqi për vitet 2010, 2011, 2013 dhe 2014, ku duke iu referuar qëndrimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë konsideruar në shumën minimale prej 5 euro në ditë të qëndrimit jashtë shtetit.

Po ashtu, janë përfshirë në analizë të ardhurat e përfituara nga botimi i librit dhe pjesërisht nga interesat bankare, që sipas KPK kanë rezultuar në shumën 128 mijë lekë nga 199 mijë lekë që ka pretenduar subjekti.

Ndërkohë, trupi gjykues ka konsideruar të pabazuar pretendimin e subjektit lidhur me përfshirjen si disponibilitet financiar të shumës 300 mijë lekë të deklaruar si tepricë në fund të 2013-ës . Sipas KPK ky pretendim nuk plotëson kushtet për deklarimin kumulativ të gjendjes cash. Si pasojë, balanca negative e vitit 2013 ka ndryshuar nga vlera 944 mijë lekë, në shumën 743 mijë lekë.

Ku ndryshim i bilancit të vitit 2013 në shumën 200 mijë lekë, ka ndikuar pozitivisht në analizën financiare të vitit 2014 dhe në përfundim për periudhën 2003 ‒ 2016 ka rezultuar balancë negative në vlerën -743,616 lekë, shumë e cila është vlerësuar pa ndikim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *