Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Shtëpia 5-katëshe dhe llogaritë bankare rrëzuan ish-kreun e Prokurorisë në veting

Vendimi i arsyetuar i KPK për prokurorin Dritan Rreshka e bën atë përgjegjës për “burime të pamjaftueshme dhe deklarime të rreme” me një shtëpie 5-katëshe si dhe “cënim të besimit te drejtësia” përmes veprimeve fiktive për përfitimin e një kredie të butë. Rreshka i kundërshtoi gjetjet, por probleme rezultuan edhe në pasuritë e familjarëve. 

Prokurori i Prokurorisë së Tiranes, Dritan Rreshka, duke dale nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Ish-kreu i komanduar i Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka u rrëzua në veting më 31 korrik për shkak të pasurisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit argumenton në vendimin e zbardhur të shkarkimit se Rreshka nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme dhe ka kryer veprime të fshehjes së pasurisë, ndërkohë që edhe personat e lidhur me të kanë rezultuar me pasuri të pajustifikuara.

Gjatë procesit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përfaqësuar nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Etleda Çiftja hodhi poshtë një kërkesë të prokurorit Rreshka për të përjashtuar raportin negativ të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, me pretendimin e konfliktit të interesit për shkak të pozicionit të tij si drejtues i njësisë së posaçme kundër korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës. KPK nuk mori gjithashtu parasysh kërkesën për vlerësimin e dy kritereve të tjera.

“Për shmangien e çdo keqinterpretimi, ky vendim mbi përfundimin e procesit të rivlerësimit për z. Dritan Rreshka merret vetëm mbi kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe kjo nuk përbën gjë të gjykuar (res judicata) për kriterin e vlerësimit të figurës dhe atë të vlerësimit profesional,” thuhet në vendimin e KPK-së.

KPK kreu hetime dhe gjeti probleme mbi një godinë 5-katëshe të legalizuar në emër të  Dritan Rreshkës, mbi burimin e një llogarie bankare prej 1.9 milionë lekësh si dhe mbi ligjshmërinë e fondeve prej 7.9 milionë lekësh të investuara në blerje obligacionesh. Komisioni hetoi gjithashtu mbi pasuritë e personave të lidhur, respektivisht vëllezërve dhe nënës së prokurorit dhe arriti në përfundimin se kishin mungesë burimesh financiare.

Prokurori Rreshka ka deklaruar për llogari të vetingut pronësinë mbi katin përdhe prej 131 metrash katrorë dhe katin e dytë me sipërfaqe 166 metra katrorë të një godine me vlerë investimi prej 2.8 milionë lekësh, të fituara nga emigrimi në Greqi, puna pranë një organizate në Tiranë si dhe një kredi bankare prej 18 mijë eurosh.

Lexo më tepër:

Shkarkohet kreu i komanduar i Prokurorisë së Tiranës

Prokurori Rreshka akuzon ILDKPKI për manipulim të raportit të vetingut

Skeda e pasurisë së deklaruar-Dritan Rreshka-kreu i Prokurorisë së Tiranës

Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbuluar se kjo pronë është pjesë përbërëse e një godine 5-katëshe të legalizuar në shkurt të vitit 2012 në emër të Dritan Rreshkës, ndërkohë që dy muaj pas legalizimit, prokurori i ka dhuruar të vëllait katin e parë dhe një apartament brenda godinës.

Prokurori Dritan Rreshka shpjegoi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se ndërtimi i shtëpisë kishte filluar në vitin 2004 dhe kishte përfunduar në vitin 2009, me kontributin e përbashkët financiar të tij dhe të vëllait.  Megjithatë, procesi i legalizimit është kryer vetëm në emër të tij, për shkak të marrëdhënies së pronësisë që kishte mbi truallin.

“…De jure ka qenë ai pronar i të gjithë godinës, kurse de facto ka qenë vëllai i tij (gëzues dhe posedues) i katit të parë të banesës që prej gjysmës së parë të vitit 2004, si edhe i katit të katërt që prej gjashtëmujorit të parë të vitit 2009,” citohet të ketë pretenduar Rreshka në vendimin e KPK-së.

Pavarësisht shpjegimeve, Komisioni arrin në përfundimin se subjekti ka fshehur fillimin e ndërtimit të shtëpisë në deklaratën e vitit 2003 si dhe ka fshehur 2 kate të pronës në deklarimin e tij të vitit 2012, kur fitoi lejen e legalizimit.

“Sipas dokumentacionit të administruar nga ZVRPP dhe ALUIZNI, deri në vitin 2012 ai ka qenë pronar dhe posedues i vetëm i godinës 5-katëshe…ka pasur detyrimin ligjor të deklaronte të 5-ta katet e banesës…,” shtohet në vendim.

Përveç akuzave për deklarim të rremë dhe fshehje pasurie, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit argumenton se prokurori Dritan Rreshka ka bërë deklarim të rremë edhe për vlerën e ndërtimit të kësaj godine si dhe nuk justifikon me burime të ligjshme paratë e investuara. Për efekt të vetingut, prokurori ka deklaruar një investim total prej 5.9 milionë lekësh për ndërtimin e vilës, por KPK, e cila i referohet kostove mesatare të ndërtimit të Entit Kombëtar të Banesave, thotë se ajo ka kushtuar rreth 18.1 milionë lekë.

“Subjekti i rivlerësimit nuk shpjegoi bindshëm burimin e ligjshëm të kësaj pasurie të legalizuar më datë 20.02.2012, regjistruar në ZVRPP-në Tiranë në mars 2012; nuk provoi burimin e të ardhurave nga emigracioni dhe qiraja e katit përdhes të kësaj prone dhe nuk provoi me dokumentacion ligjshmërinë e këtyre të ardhurave,” thuhet në vendimin e KPK-së.

Problemet me këtë pronë nuk janë të vetmet. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Rreshka ka kryer deklarim të rremë edhe me blerjen dhe më pas shitjen e një apartamenti në Tiranë, prej nga buron edhe një depozitë bankare prej 1.9 milionë lekësh. Për blerjen e këtij apartamenti, subjekti kishte aplikuar për një kredi me kushte lehtësuese, veprime të cilat janë cilësuar fiktive dhe në shkelje të ligjit nga KPK, në kushtet kur ai zotëronte shtëpi banimi pranë vendit të kryerjes së detyrës në Tiranë.

“Këto veprime nuk janë në përputhje me figurën e një prokurori në detyrë, duke cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë,” thuhet në vendim.

Sipas vendimit të zbardhur, prokurori Rreshka nuk justifikon me burime të ligjshme rreth 2 milionë lekë nga 7.9 milionët e investuara në blerje obligacionesh. Për të arritur në këtë përfundim, KPK ka gjetur se subjekti nuk ka paguar në kohë tatimin mbi qiratë për vitet 2009, 2010 dhe 2012-detyrime që sipas Komisionit janë shlyer pas plotësimit të deklaratës “Veting”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hetuar gjithashtu mbi kompaninë e pajisjeve dentare “Il Bano”, aksionet e së cilës janë blerë nga vëllai i prokurit Rreshka dhe kunata e tij për 100 mijë lekë në vitin 2014 si dhe mbi një depozitë bankare në emër të nënës së tij.  Duke iu referuar pasqyrave financiare të vitit 2016, KPK arsyetoi se familjarët e prokurorit Rreshka i kishin dhënë hua kompanisë 46.9 milionë lekë, shumë e cila u konsiderua si e pajustifikuar prej tyre.

Rreshka dha një version tjetër nga ai i Komisionit për shumën 46.9 milionë lekë të shënuara në zërin “detyrime ortaku”. Ai pretendoi se vëllai dhe kunata e tij nuk i kanë dhënë borxh kompanisë, ndërsa ky zë sipas tij përfaqësonte detyrimet e mbartura dhe ato të krijuara më pas të kompanisë ndaj kreditorëve. Por Komisioni argumentoi se ky shpjegim nuk gjen bazë në dokumentet e administruara dhe se personat e lidhur me subjektin nuk “justifikojnë ligjshmërinë e burimit për një vlerë prej 32.9 milionë lekësh”. Edhe për depozitën në emër të nënës, Komisioni arrin në përfundimin se subjekti nuk shpjegoi bindshëm burimin e këtyre parave-duke vendosur në unanimitet masën disiplinore të shkarkimit nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *