Prokurorja e Kukësit, Rita Gjati në KPK. Foto: LSA
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Shtyhet me një ditë seanca dëgjimore e prokurores Rita Gjati

Mbrojtja e prokurores Rita Gjati kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese, duke pretenduar se një vendim i ndërmjetëm ishte marrë pa praninë e kryesues, por vëzhguesja e ONM-së sqaroi se takimi në fjalë ishte zhvilluar online.

Prokurorja e Kukësit, Rita Gjati në KPK. Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shtyu të martën me një ditë seancën dëgjimore ndaj prokurores Rita Gjati, pas kërkesës së kësaj të fundit për përjashtim të trupës që kryesohej nga Alma Faskaj, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Lulzim Hamitaj.

Përfaqësuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ishte Elka Ermenkova. Ndërkohë, Gjati ishte e pranishme në seancë e shoqëruar nga avokati Saimir Visha.

Pa u lexuar plotësisht procedura dhe menjëherë pas përfundimit të prezantimit të trupës dhe palëve, avokati Saimir Visha kërkoi përjashtimin e trupës së komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që kishte hetuar klienten e tij, prokuroren Rita Gjati.

Visha pretendoi se kryesuesja e trupës nuk kishte qenë e pranishme në marrjen e një vendimi të ndërmjetëm, pasi kishte qenë jashtë Shqipërisë dhe hodhi dyshime për njëanshmëri të trupës.

Duke iu drejtuar Faskajt, Visha tha se ajo ishte larguar nga Shqipëria dhe nuk kishte qenë e pranishme në datën kur ishte marrë nga KPK një vendim i ndërmjetëm për të refuzuar kërkesat e bëra nga Gjati. Sipas avokatit, kjo vinte në dyshim njëanshmërinë e trupës, duke përjashtuar Faskajn nga përgjegjësia. Ai këmbënguli se vendimi i ndërmjetëm që fillimisht u ishte dorëzuar pa firmë ishte “absolutisht i pavlefshëm”.

Trupa nuk reagoi pas kërkesës së Vishajt dhe dyshimeve të ngritura prej tij, por vëzhguesja e ONM-së, Elka Ermenkova kërkoi fjalën dhe kërkoi që fjala e saj të shënohej në procesverbal.

Ermenkova sqaroi se mbledhja e KPK-së në të cilën ishte marrë vendimi i ndërmjetëm ishte zhvilluar online dhe se të pranishëm kishin qenë të gjithë anëtarët si dhe ajo vetë.

Ermenkova tha se për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, kjo ishte një praktikë procedurale  që po ndiqej nga gjykatat në të gjithë botën, të cilat po zhvillonin edhe dëgjesa në mënyrë virtuale.

Pas fjalës së vëzhgueses së ONM, trupa u mblodh për vendim dhe njoftoi shtyrjen e seancës derisa një trupë tjetër e KPK-së të vendoste mbi kërkesën për përjashtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *