Avokati Gedeon Dudushi gjatë seancës së shkurtër dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Shtyhet seanca dëgjimore për gjyqtarin Jak Ndoka

Avokati mbrojtës i gjyqtarit të Lezhës kërkoi përjashtimin e trupit gjykues, pasi u rrëzua më parë një kërkesë për çeljen e hetimit për të tre kriteret, duke sjellë shtyrjen e seancës dëgjimore.

Avokati Gedeon Dudushi gjatë seancës së shkurtër dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Gjyqtari Jak Ndoka i Gjykatës së Lezhës nuk u paraqit të premten në Komisionin e Paravarur të Kualifikimit, KPK, ndërkohë që përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Gedeon Dudushi paraqiti dy kërkesa të njëpasnjëshme që sollën shtyrjen e seancës dëgjimore. Procesi i vetingut për gjyqtarin Ndoka po kryhet nga trupa e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari dhe anëtarë Olsi Komici e Xhensila Pine. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Dudushi deklaroi se kishte kërkuar shtyrjen e seancës për shkak të gjyqeve të tjera që duhej të ndiqte të premten dhe shprehu keqardhjen e tij se përse Komisioni i kishte dhënë vetëm disa orë kohë, duke e shtyrë deri në orën 16:00. “Kam ardhur me shpejtësi skëterrë,” u shpreh avokati dhe sqaroi se pasi kishte qenë në një seancë gjyqësore në Tiranë, kishte shkuar në Fier dhe ishte kthyer për të arritur orarin në KPK.

Ai paraqiti kërkesë për riçeljen e hetimit për pasurinë dhe për dy kriteret e tjera të rivlerësimit. Kryesuesja e trupit gjykues, Valbona Sanxhaktari sqaroi se kjo kërkesë nuk ishte pranuar më parë, megjithatë Komisioni u tërhoq dhe vendosi ta shqyrtojë atë pasi të dëgjohen shpjegimet e subjektit në seancë dëgjimore.

Avokati Dudushi deklaroi se e konsideronin paragjykim këtë qëndrim të Komisionit, që sipas tij e kombinuar edhe me shtyrjen e seancës vetëm për pak orë duke mos dhënë mundësinë për një mbrojtje efektive, forconin dyshimet se trupi gjykues shfaqte anshmëri. Ai kërkoi që t’i jepej kohë për të depozituar kërkesë me shkrim për përjashtimin e trupit gjykues.

Vëzhguesi i ONM, Theo Jacobs e cilësoi impresionues cilësimin e trupit gjykues si të njëanshëm nisur vetëm nga qëndrimi për shqyrtimin e kërkesës. Pasi Dudushi shpjegoi se ishte pajtuar prej Ndokës dy javë më parë, Jabos e vlerësoi jokorrekt pretendimin ndaj trupit gjykues.

Megjithatë, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancës deri më 22 nëntor, ora 12.30 dhe kalimin e shqyrtimit të kërkesës për përjashtim një tjetër trupi gjykues.

Jak Ndoka e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1995. Prej gati dy dekadash, ai ka punuar kryetar dhe gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *