Prokurori Artan Madani në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto: Besar Likmeta
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Shtyhet seanca në KPA për prokurorin Artan Madani

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA pranoi si prova disa dokumente të tjera të dorëzuara nga prokurori i Kavajës, Artan Madani dhe i la detyrë Komisionerit Publik që të paraqesë qëndrimin e tij lidhur me këto dokumente.

Prokurori Artan Madani në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto: Besar Likmeta

Seanca e të martës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik ndaj konfirmimit në detyrë të prokurorit të Kavajës, Artan Madani u shty sërish. Kolegji vendosi t’i japë kohë Madanit të dorëzojë disa prova të reja për të cilat ai tha se pret të mbërrijnë nga shteti grek, ndërsa Komisionerit Publik, Florian Ballhysa ju kërkua që të përgatisë qëndrimin e tij ndaj provave të dorëzuara gjatë dy seancave të fundit.

Artan Madani u konfirmua në detyrë me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i kualifikimit, KPK më 1 korrik 2019, ndërkohë që u ankimua nga Komisioneri Publik, Florijan Ballhysa, i cili mori në konsideratë edhe rekomanimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM.

Çështja ndaj Madanit është fokusuar kryesisht në blerjen e një apartamenti 146 metra në fillim të viteve 2000, kursimet cash dhe një fond investimi, për të cilat Komisioneri pretendon se deklarimet nuk janë të sakta, se janë kontradiktore dhe se prokurorit i mungonin burimet e ligjshme për krijimin e këtyre pasurive.

Gjatë seancës së kaluar, Komioneri Ballhysa parashtroi shkaqet e ankimit që u kundërshtuan nga Madani dhe përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Klodian Skënderaj. Këta të fundit dorëzuan disa prova të reja që u pranuan nga Kolegji i cili vendosi të çelte hetimin.

Në seancën të martës më 13 prill, prokurori Artan Madani dorëzoi si prova: një kontratë shit-blerje të një apartamenti nga shtetasi E.K.; një certifikatë historike për shtetasin I.D., djalin e tezes që jeton në Itali; një kontratë shit-blerje të një pasurie të paluajtshme nga ana e I.D. dhe një dokument për revokimin e huapërdorjes së një mjeti, të gjitha të pajisura me vulë apostile, të përkthyera e të noterizuara.

Përfaqësuesi ligjor i prokurorit Madani, avokati Klodian Skënderaj shpjegoi se gjendeshin në kushtet e pamundësisë objektive për të paraqitur në këtë seancë dokumentet me vulë apostile për kunatin e subjektit që jeton në shtetin grek. Ai deklaroi se zyra e avokatisë që kishin pajtuar kishte siguruar dokumentet, por për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, nuk ishte arritur të sigurohej vula apostile. Prokurori Madani i tha trupit gjykues se prisnin që dokumentet, në formën e kërkuar nga ligji, të mbërrinin gjatë ditëve në vazhdim.

Pasi u tërhoq, trupi gjykues i kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë, Ina Ramën, Rezarta Schuetz e Natasha Mulajn vendosi të pranojë provat e dorëzuara nga Madani dhe pyeti Komisionerin Publik nëse mundej të paraqiste qëndrim gjatë të martës.

Komisioneri Ballhysa, pasi evidentoi se edhe provat e dorëzuara nga subjekti në seancën e 18 marsit nuk i ishin përcjellë nga KPA, kërkoi më shumë kohë për përgatitjen e qëndrimit të tij.

Në fund, trupi gjykues vendosi të lërë si detyrë për subjektin që të paraqesë provat e pretenduara prej tij se do t’i mbërrijnë nga shteti grek dhe Komisionerit i kërkoi të paraqesë qëndrimin në seancën e ardhshme, që u vendos të zhvillohet më datë 22 prill, ora 10:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *