Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Adriatik Cama-prokuror i Tiranës

Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Adriatik Cama, njëherazi kandidat për KLP do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në vitin 2017.Prokurori i Tiranës, Adriatik Cama do të përballet mëngjesin e së mërkurës në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i rivlerësimit do të drejtohet nga Genta Tafa Bungo, me anëtarë Suela Zhegun dhe Pamela Qirkon.

Prokurori Cama i është nënshtruar vetingut me përparësi, pasi është njëri prej 19 kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Para se të emërohej prokuror i Prokurorisë së Tiranës në vitin 2010, ai ka punuar në Tepelenë dhe në Lushnje.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Adriatik Cama nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar e prokurorit Adriatik Cama për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Adriatik Cama zotëronte pasuri familjare në vlerën e 3.3 milionë lekëve në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij rezulton e dyfishuar me një vlerë totale prej 7.9 milionë lekësh.

Pasuria e zotit Cama ndahet në 4.8 milionë lekë pasuri të paluajtshme, 1.3 milionë lekë kursime të akumuluara në cash, një automjet me vlerë rreth 1.1 milion lekë dhe likujditete në bankë në vlerën e rreth 700 mijë lekëve.

Të ardhurat familjare të prokurorit Cama kapin vlerën e rreth 24 milionë lekëve për të gjitha vitet e deklarimit. Paga nga funksioni dhe ajo e familjarëve përbën pjesën dërrmuese të të ardhurave, ndërkohë që 6.1 për qind e tyre përbëhet nga të ardhurat nga qiratë.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 14 vite të deklaruara të zotit Cama dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me diferenca të pambuluara.

Megjithatë, BIRN ka evidentuar disa “flamuj të kuq” në analizën e deklaratave të pasurive të zotit Cama, të cilat lidhen me disa kredi bankare, një kontratë huaje dhe burimin e paqartë të një llogarie bankare.

Më konkretisht, në deklaratën e vitit 2009 subjekti deklaron blerjen e një ish-parkimi [garazh i përshtatur] për 18 mijë euro. Si burim të kësaj pasurie, Cama deklaron ndër të tjera edhe një llogari bankare me vlerë 600 mijë lekë, e cila nuk rezulton në deklarimet e mëparshme.

Një tjetër burim për shtimin e kësaj pasurie, i evidentuar si “flamur i kuq” është huaja prej 6 mijë eurosh me afat 5-vjeçar. Në fund të vitit 2017, rezultojnë të pashlyera edhe 4 mijë euro.

Gjatë viteve 2007-2017, subjekti dhe bashkëshortja e tij kanë marrë gjithashtu disa kredi bankare pa shpjeguar qëllimin e përdorimit të tyre. Njëra prej kredive bankare në vlerën e 4 milionë lekëve është marrë për të shlyer kreditë e tjera dhe një pjesë e saj është mbajtur cash.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë për vitin 2003  

Deklarata e pasurisë për vitin 2004

Deklarata e pasurisë për vitin 2005  

Deklarata e pasurisë për vitin 2006

Deklarata e pasurisë për vitin 2007  

Deklarata e pasurisë për vitin 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012  

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016  

Deklarata e pasurisë për vitin 2017  

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *