Skeda e pasurisë së deklaruar –Arben Vrioni –Gjykata e Apelit Durrës
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Arben Vrioni –Gjykata e Apelit Durrës

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Arben Vrioni do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Durrësit, Arben Vrioni do të përballet të mërkurën më 20 nëntor me Komisionin e Pavar të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për Vrionin përbëhet nga Firdes Shuli, Alma Faskaj dhe Pamela Qirko.

Arben Vrioni e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994 dhe ka punuar për gati dy dekada në Gjykatën e Elbasanit si gjyqtar, nënkryetar dhe kryetar. Në vitin 2016, Vrioni u zgjodh përmes një dekreti të Presidentit të Republikës gjyqtar në Apelin e Durrësit, detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht.

Në dhjetor 2016, Vrioni u bë pjesë e një hetimi të Prokurorisë pas vendimit të debatueshëm të një trupe gjyqësore të drejtuar prej tij për lirimin e parakohshshëm të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha.  Hetimi i prokurorisë u pushua megjithatë pa asnjë rezultat.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Arben Vrioni nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari Arben Vrioni për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Vrioni zotëronte pasuri me vlerë 10.1 milionë lekë në vitin 2003, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare e subjektit rezulton të jetë rritur me 3 herë, duke kapur vlerën e 30.2 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, pasuria ndahet në 10.4 milionë lekë pasuri të patundshme, 16.5 milionë lekë likujditete bankare, automjete me vlerë 1.7 milionë lekë si dhe kursime në cash prej 1.5 milionë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 70.5 milionë lekë. Rreth 50% e të ardhurave kanë si burim një bursë studimi të vajzës së subjektit si dhe punësimin e saj në Shtetet e Bashkuara. Paga për shkak të funksionit zë rreth 23% të totalit, ndërsa paga e bashkëshortes 11%.

Familja Vrioni ka siguruar gjithashtu të ardhura nga shitja e pasurive të patundshme në masën 7% dhe nga trashëgimia në masën 5% të totalit. Dhuratat nga familjarët zënë një përqindje më të vogël.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, dy prej tyre rezultuan me probleme.

Subjekti Arben Vrioni rezultoi me pasuri të pajustifikuar në vitet 2009 dhe 2010, përkatësisht në shumat 3.9 milionë lekë dhe 1.9 milionë lekë, pa përfshirë në këtë analizë shpenzimet e konsumit vjetor. Gjatë këtyre dy viteve, subjekti ka mbuluar shpenzimet për shkollimin e vajzës në Britaninë e Madhe, të deklaruara në vlerën 43 mijë Pound.

Në vitin 2009, subjekti deklaron se ka marrë hua nga baxhanaku në SHBA 25 mijë Pound, para këto të derdhura për llogari të vajzës për studime në Uells. Megjithatë, është e paqartë nëse llogaria e vajzës është përdorur për shlyerjen e shpenzimeve të shkollimit apo jo.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” një depozitë prej 26 mijë dollarësh të deklaruar në vitin 2003, me burim “dhuratë nga nëna”.

Gjithashtu në vitin 2009, subjekti ka deklaruar një depozitë prej 1.3 milionë lekësh me burim nga kursimet e vitit 2008 dhe 2009, pa përcaktuar sipas detyrimit ligjor shumat e kursyera në secilin prej viteve.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *