Skeda e pasurisë së deklaruar –Arjan Balliu –Gjykata e Apelit Durrës
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Arjan Balliu –Gjykata e Apelit Durrës

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Arjan Balliu do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 6 nëntor. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Durrësit, Arjan Balliu do të përballet të mërkurën më 6 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për Balliun përbëhet nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Roland Ilia.

Arjan Balliu e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 2000. Më pas, zoti Balliu ka punuar si drejtor i Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave.

Nga viti 2004 Balliu ka ushtruar profesionin e avokatit, ndërsa në vitin 2009 është emëruar inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është rikthyer në sistemin gjyqësor në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Durrësit, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Arjan Balliu nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari Arjan Balliu nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Balliu zotëronte pasuri prej 3 milionë lekësh në vitin 2003, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij është rritur me gati 5 herë, duke kapur vlerën e 15 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, pasuria ndahet në 7.4 milionë lekë pasuri të patundshme, automjete me vlerë 5.2 milionë lekë, 1.4 milionë lekë kursime bankare dhe 1 milion lekë kursime në gjendje cash.

Ndërkohë, bashkëshortja e Z. Balliu, gjyqtarja Rezarta Balliu (Vigani) zotëron më vete disa pasuri të patundshme të përfituara nga trashëgimia, të cilat nuk rezultojnë të jenë vlerësuar në lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 31.1 milionë lekë. Rreth 41% e të ardhurave burojnë nga funksioni si gjyqtar dhe puna si avokat e subjektit, ndërkohë që paga e bashkëshortes si gjyqtare zë rreth 26% të totalit. Rreth 21% e të ardhurave kanë si burim shitjen nga pasuritë e paluajtshme, ndërkohë që 2.5% kanë si burim të ardhurat nga qiraja.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 9 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, njëra prej tyre rezultoi me probleme.

Më konkretisht, Balliu ka deklaruar për herë të parë pasurinë në vitin 2003 dhe është rikthyer në sistemin e deklarimit në vitin 2009, me emërimin inspektor në KLD. Në intervalin 2003-2009, subjekti deklaron shtesë pasurie familjare prej 8.4 milionë lekësh me burim të vetëm të deklaruar të ardhurat prej 2 milionë lekësh nga avokatia. Për rrjedhojë, në vitin 2009 mungon burimi i shtesës së pasurisë prej 6.4 milionë lekësh.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë rezulton si “flamur i kuq” mungesa e deklarimit të pagës së bashkëshortes Rezarta Balliu (Vigani) në kategorinë e të ardhurave për vitin 2003 si dhe për vitet 2009-2011. Duhet theksuar megjithatë se bashkëshortja është subjekt më vete i deklarimit të pasurisë për shkak të funksionit të saj si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.

Vlen gjithashtu për t’u theksuar se bashkëshortja Rezarta Balliu deklaron në vitin 2014 se ka përfituar nga trashëgimia 1/3 e dy apartamenteve dhe një lokali në Durrës, nga i cili përfiton edhe të ardhura nga qiraja.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata Para Fillimit të Detyrës 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *