Skeda e pasurisë së deklaruar –Arqile Basho –Gjykata e Vlorës

Skeda
Gjyqtari Arqile Basho i Gjykatës së Vlorës do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016.

Gjyqtari Arqile Basho i Gjykatës së Vlorës do të përballet të enjten më 9 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Olsi Komici dhe Xhensila Pine.

Arqile Basho e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si ndihmës gjyqtar dhe në vitin 2000 është emëruar si gjyqtar. Ai e ka ushtruar funksionin në gjykatat e Tepelenës, të Gjirokastrës dhe prej vitit 2011 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari Arqile Basho nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë familjare të deklaruar nga gjyqtari i Gjykatës së Vlorës, Arqile Basho.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtari Arqile Basho deklaronte pasuri me vlerë 1.3 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria familjare kap vlerën e 10.8 milionë lekëve.

Subjekti zotëron familjarisht kursime të akumuluara në gjendje cash me vlerë 4.3 milionë lekë, pasuri tëluajtshme me vlerë 4.1 milionë lekë si dhe pasuri të paluajtshme prej 2.3 milionë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën e deklaruar janë 27.9 milionë lekë, nga të cilat rreth 53% kanë si burim pagën si gjyqtar të Z. Basho, 33% të ardhurat nga aktiviteti bujqësor i bashkëshortes dhe 9% të ardhurat e familjarëve të tjerë.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 13 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” mbajtjen e kursimeve në cash jashtë sistemit bankar si dhe marrjen e një kredie bankare pa specifikuar arsyen.

Më konkretisht, subjekti Arqile Basho rezulton në fund të vitit 2016 me kursime të akumuluara vit pas viti në gjendje cash në vlerën 4,355,300 lekë, ndonëse ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë u vendos si kufi zyrtarëve publikë për likujditete jashtë sistemin bankar vlerën e 1,500,000 lekëve.

Në vitin 2006, subjekti deklaron marrje kredi bankare në vlerë 1,000,000 lekë, pa specifikuar arsyen apo destinacionin e saj.

Në vitin 2015, vajza e subjektit, e cila jeton e ndarë prej tij,  deklaron pasuri të paluajtshme tokë arë dhe magazinë në Tiranë në vlerë totale 2,220,000 leke, në bashkëpronësi me bashkëshortin e saj, ku si burim financimi shërbejnë të ardhurat e kursyera nga puna ndër vite e dy bashkëshortëve.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al