Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Artan Broci-anëtar i Gjykatës së Lartë

Gjyqtari Artan Broci, i cili drejton njëherazi edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare, e cila kap një vlerë prej 44.5 milionë lekësh.Artan Broci është njëherazi anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ai do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.

Artan Broci e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai e ushtroi funksionin pranë kësaj gjykate deri në vitin 2010, kur u promovua në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Në prill të vitit 2013, Broci u dekretua anëtar i Gjykatës së Lartë.

Paralelisht me detyrën si gjyqtar, Broci ka qenë edhe asistent-pedagog në Fakultetin e Drejtësisë si dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është angazhuar si ekspert në disa projekte si dhe ka dhënë kontribut në reformën e drejtësisë për të miturit në Shqipëri.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Artan Broci nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]   

Skeda e pasurisë së deklaruar e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Broci për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Artan Broci zotëronte një pasuri familjare në vlerën e 7.2 milionë lekëve në vitin 2003-kur deklaroi për herë të parë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare është rritur me më shumë se gjashtë herë, duke kapur vlerën e 44.5 milionë lekëve.

Pasuria familjare e zotit Broci ndahet në 23 milionë lekë likujditete në bankë, 15.2 milionë lekë pasuri të paluajtshme dhe 3.9 milionë lekë kursime në cash. Ai zotëron gjithashtu automjete në vlerën 1.6 milionë lekë si dhe bizhuteri të trashëguara nga familja në vlerën e 543 mijë lekëve.

Për periudhën deklaruese 2003-2017, familja Broci ka siguruar të ardhura në vlerën e rreth 100 milionë lekëve. Paga nga funksioni i gjyqtarit përbën vetëm 17.5 për qind e totalit të të ardhurave, ndërkohë që fitimet e bashkëshortes si notere kanë qenë disa herë më të larta dhe zënë 42.5 për qind të totalit.

30.6 për qind e të ardhurave kanë si burim qeratë e pronave, 4.3 për qind fitimin nga shitblerja e pronave dhe 2.5 për qind të ardhurat nga interesat bankare.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me diferenca negative.

BIRN identifikoi megjithatë disa “flamuj të kuq” në këtë analizë, që lidhen me shumat e konsiderueshme të parave që mbahen jashtë sistemit bankar, fitimet e siguruara nga shitblerja e pronave apo transaksionet e kryera me një shtesë apartamenti.

Më konkretisht, në vitin 2006 gjyqtari Broci deklaron blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 103 m2 dhe verandë 44 m2 në zonën e njohur si Shkëmbi i Kavajës në vlerën 55 140 euro. Në vitin 2010, kjo pasuri shitet për 102 mijë euro duke krijuar një fitim prej më shumë se 46 mijë eurosh.

Gjithashtu në vitin 2013, gjyqtari Broci ka deklaruar një shtesë apartamenti me sipërfaqe 65.7 metër katrorë në rrugën Don Bosko në Tiranë. Transaksionet e kryera me këtë pronë janë të paqarta, duke filluar që periudha e ndërtimit pa leje dhe kostot, kontratat e dhurimit pas legalizimit që siguruan bashkimin e pronave dhe shkëmbimin përfundimtar të saj të realizuar në vitin 2016.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar në rastin e zotit Broci lidhet me kursimet e konsiderueshme në cash, të cilat në fund të vitit 2017 kapin shifrën e 3.9 milionë lekëve pavarësisht se kufiri i lejuar nga ligji për deklarimin e pasurisë është në 1.5 milionë lekë.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *